Gjatë fjalës së tij në seancën plenare, deputeti Lefter Maliqi ka sulmuar ashpër dhe ka lëshuar akuza të forta kundër drejtorit të përgjithshëm të burgjeve, Agim Ismaili, ndërsa i është drejtuar Ministres së Drejtësisë, Etilda Gjoni.
Maliqi tha se ky i fundit nuk plotëson kriteret për të qenë në krye të këtij institucioni dhe se të gjitha detyrat shtetërore që ka ushtruar më herët, është pushuar nga puna pasi është gjetur në shkelje të ligjit.
Deputeti Maliqi tha po ashtu se Ismaili ka kërcënuar përmes email-eve punonjëset femra të policisë së burgjeve, ndërsa tha se i ka quajtur këto të fundit me etiketime si ‘’dordolec”.
“Ju keni emëruar drejtor të përgjithshëm të burgjeve një njeri me probleme shumë të mëdha, unë iu kam shprehur shqetësimin edhe juve edhe zotit kryeministër. Meqë iu dhimbset drejtoria e burgjeve, e para çfarë shkolle ka mbaruar ky person?
Se më rezulton që ka mbaruar Kristalin, e dyta a e keni parë të shkuarën e tij që është liruar nga policia ku akuzohej për lidhje ndërkombëtare me drogën? Në 2004 shkarkohet për paaftësi në detyrë, për fyerje dhe shantazhe.
Tani bëhet drejtor i përgjithshëm i burgjeve, nuk i njeh, për katër muaj ka shkuar vetëm një Fier, por çon e-mail, shantazhon, drejtorët nuk i pret. Kërcënime dhe shantazhe me drejtorin e policisë së burgjeve. Tenderat në drejtorinë e burgjeve bëhen te ministria e Brendshëm.
Administrata kërkon mbështetje. Merreni dhe pyeteni të shikoni nivelin, ai kërcënon policet femra, o thotë dordolec policeve. U thotë policëve kaqola, quan kandar burgun e Vaqarrit.
Ky njeri ka marrë edhe kompetenca të jashtëzakonshme. Ai shantazhon të gjithë punonjësit dhe drejtuesit, ka kërkuar të shkarkojë dy- tre herë kunatin e n/ kryetares së Kuvendit. Një ditë mund të plasë me këtë situatë”, u shpreh Maliqi.