MENU

Ekspertët

‘Niveli i informalitetit mbetet shqetësues’

13.05.2019 - 18:54

Niveli i lartë i ekonomisë  informale është ngritur si shqetësim kryesor   nga ekspertët e ekonomisë  në vendin tonë.

Gjatë  një forumi shkencor  të organizuar nga Akademia e Shkencave,  ekspertët, të cilët sollën  analiza më në detaje të situatës ekonomike në vend  ndër vite e deri në ditët e sotme, nënvizuan se  ka ardhur koha të përcaktohen prioritet e zhvillimit ekonomik  dhe politikat  të jenë të studiuara  me seriozitet.

Sipas një studimi të bërë  nga   Organizata Europiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim, evidentohet se ne sektorin privat aktiviteti informal është 1.4 herë më i lartë  se ai formal, ose 40-45% më shumë, gjë e cila u diskutua  nga të pranishmit në forum duke marrë shkas  për të propozuar  zgjidhjet përkatëse për problematikat e ndryshme  që po has ekonomia në vend.

Ndërkohë Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve u ka bërë thirrje bizneseve që btë denoncojnë çdo rast të përfshirjes së punonjësve tanë në sjellje korruptive apo jo etike dhe në shkelje të ligjeve tatimore, duke premtuar ruajtjen e anonimatit të denoncuesit.

Ajo pohon se integriteti i figurës së punonjësit të Administratës Tatimore është një sfidë e fortë dhe e vazhdueshme. Reagimet, komentet, denoncimet e opinionit publik janë instrumentat shtesë me të cilat ne përpiqemi të vetëpërmirësohemi e të vetëkorigjohemi. Përmirësimi i imazhit dhe impakti i punës sonë në jetën e bizneseve, nëpërmjet respektimit të ligjit dhe trajtimit të barabartë është mision që përkufizon strategjinë tonë të punës.

Në vazhdën e kësaj përpjekje, për parandalimin dhe goditjen e rasteve korruptive brenda aparatit të administratës tatimore funksionon Drejtoria e Investigimit të Brendshëm (Antikorrupsion), e cila ndjek dhe adreson denoncimet e ndryshme të qytetarëve apo raporteve të auditit.

Përgjatë vitit 2018 (janar – dhjetor), DIBA ka verifikuar dhe investiguar 63 raste të denoncuara, nga të cilat: 28 Çështje janë regjistruar dhe investiguar; 3 Çështje janë referuar në Prokurori, ku janë përfshirë 7 inspektorë, referuar nenit 248 të Kodit Penal për “Shpërdorim Detyre”; 49 punonjës janë konstatuar me shkelje ligjore dhe janë referuar në Komisionin e Disiplinës: 35 raste të ardhura nga burime të ndryshme informacioni, janë verfikuar dhe investiguar, por nuk janë regjistruar si çështje, pasi nuk përmbajnë dhe nuk plotësojnë elementët e nevojshëm për procedim të mëtejshëm.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN