MENU
klinika

Rikthen 'veteranët' e De Biasit

“Euro 2020″/ Reja: Objektivin e dini të gjithë!

28.05.2019 - 15:49

Trajneri i Kombëtares, Edy Reja, doli në konferencë për shtyp para dy ndeshjeve eliminatore të Euro 2020 me Islandën dhe Moldavinë.

Italiani zbuloi edhe listën e futbollistëve me të cilët do të punojë gjatë grumbullimit për këto ndeshje.

Reja zbuloi se janë rreth 18 lojtarë që nga epoka e De Biasit dhe disa lojtarë të tjerë nga koha e Panuccit.

“Janë 18 lojtarë që kanë qenë me De Biasin. Janë dhe lojtarët e tjerë që kanë qenë me Panuccin. Më duhet kohë që të bëj vlerësimin e duhur. Kam parë të rinj dhe 4 lojtarë të Partizanit, por janë edhe lojtarë të tjerë që kam parë dhe më pas i kam kthyer.

Vrionin e kam parë, por më pas e ktheva, pasi nuk kishte gjendjen e duhur. Duhet durim për këto dy ndeshje që kemi. Tani për tani, kam një listë 35 lojtarë, që unë po i ndjek. Koha është shumë e shkurtër, ndaj vendosa të marr ata lojtarë që kanë qenë më përpara”, tha Reja.

Tekniku 74-vjeçar foli rreth objektivave të kombëtares si dhe atmosferës brenda në skuadër.

“Objektivin e dini të gjithë, është të arrijmë në Europian. Janë 6 skuadra, 2 të parat kualifikohen. Do të mundohemi të rregullojmë pjesën mbrojtëse e më pas të kalojmë te sulmi. Çdo lojtar duhet ta ketë të qartë objektivin, para se të vijë në Kombëtare. Kam folur edhe me djemtë, lojtarët që vijnë këtu duhet ta ndjejnë këtë skuadër. Shqiptarët që jetojnë jashtë e ndjejnë skuadrën. Futbolli është sport primar këtu në Shqipëri dhe shikoj që janë shumë të lodhur.

 Kam folur me lojtarët dhe kam udhëtuar shpesh për t’i takuar. Ka dëshirë dhe entuziazëm që unë i ndiej. Futbollistët duan të bëjnë më të mirën e mundshme. Ne kemi punuar një javë me futbollistët që kishin përfunduar kampionatet. Falënderoj dhe Partizanin që më dha mundësinë të shoh futbollistët. Lojtarët që kishin përfunduar kampionatin i afrova për t’i mbajtur në aspektin e duhur fizik. Stërvitja e vërtetë do të fillojë sot.”, u shpreh italiani.

Reja zbuloi më tej si do të rreshtohet skuadra në fushë teksa caktoi edhe objektivat e këtyre dy ndeshjeve.

“Modulin e bëjnë lojtarët. Nuk po them se do të bëj lojë sulmuese, le të shohim. Sa i përket pjesës mbrojtëse, nuk e kam caktuar akoma. Dua që kur të krijohen mundësitë në zonë, të jetë dikush për të shfrytëzuar. Ndeshjen e dytë besoj do t’i kem gjërat e qarta.

Kemi mesfushorë që mund të luajmë me skemën 3-5-2. Lenjani e Roshi mund të luajnë, por është Hysaj që nuk është i përshtatshëm për këto krahë. Kur luan me 2 sulmues ke nevojë që skuadra të jetë e ekuilibruar, nuk shkon në sulm pa pasur municione. Do të ekuilibroj skuadrën përtej modulit. Janë lojtarët që duhet të dinë çfarë të bëjmë dhe kjo është e rëndësishme.

Kam një 3-5-2 ose 4-3-1-2 që i përafrohet më shumë karakteristikave të ekipit. Firmos menjëherë për 4 pikë, pasi do t’i jepte besim ambientit. Janë të gjithë të bindur se mund të bëjë mirë, por rezultati të jep harmoni. Unë dua të kujdesem që kur të nis punën të bëjmë gjëra të rëndësishme”, theksoi ndër të tjera tekniku kuqezi.