MENU
klinika

A i vrau komunizmi?

Faktet dhe të pathënat e 5 Heronjve të Vigut!

25.05.2019 - 12:16

5 HERONJTË E VIGUT

10 FAKTE

  • Ahmet Haxhia, Naim Gjylbegu, Ndoc Mazi, Hydajet Lezha dhe Ndoc Deda ishin pesë të rinj komunistë që u vranë në përpjekje me rreth 200 persona, banorë të Mirditës, të cilët u kërkonin atyre të largoheshin nga krahina.
  • Të pestë ishin pjesë e batalionit partizan”Perlat Rexhepi”, një formacion ushtarak që vepronte në veri të vendit.
  • Ahmet Haxhia, Ndoc Mazi dhe Naim Gjylbegu ishin nga qyteti i Shkodrës dhe të tre ishin shokë që nga fëmijëria.
  • Të tre të rinjtë nga Shkodra kishin qenë më parë të arrestuar dhe të dënuar disa herë për bindje politike komuniste.
  • Hydajet Lezha ishte nga Lezha dhe Ndoc Deda ishte nga Miloti. Të dy iu bashkuan tre djemve nga Shkodra për të realizuar misionin.
  • Të pestë kishin disa muaj që kishin nisur misionin e tyre në Mirditë, për të përhapur idetë komuniste dhe për t’iu bashkuar rezistencës që komunistët po u bënin pushtuesve gjermanë.
  • Urdhërin për misionin e tyre e kishte dhënë komanda e batalionit, pas një udhëzimi që Shtabi i përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare kishte dhënë më parë.
  • Shtabi i përgjithshëm kishte udhëzuar që në krahinat e Malësisë së Madhe, Pukës dhe Mirditës, batalioni “Perlat Rexhepi” të caktonte grupe të vogla partizanësh për të angazhuar popullsinë në luftë kundër pushtuesve.
  • Udhëzimi ishte që komunistët të zëvendësonin ndikimin e kapidanit Gjon Markagjoni në zonën e Mirditës.
  • Në nder të 5 heronjve në qendër të qytetit të Shkodrës, në vitin 1960, u vendos një skulpturë e autorit Shaban Hadëri. Ajo u hoq prej andej në vitin 2006, për t’u zhvendosur në periferi të Shkodrës.

DEKLARATA TË BUJSHME PËR VRASJEN

Xhelal Gjeçovi, historian

“Ishin pesë të rinj plot ëndrra, dëshira dhe vullnet, me karakteristika e tipare të veçanta po që i lidhi e i bashkoi për të mos u ndarë kurrë një ideal i përbashkët, një ideal i madh e i shenjtë, çlirimi i vendit nga pushtuesit e huaj nazifashistë, të cilët ata iu përkushtuan me tërë qënien e tyre”.

Uran Butka, historian

“Atyre iu kërkua, që të dorëzoheshin, por partizanët zunë pozicione luftimi. Pas një qëndrese të gjatë, pesë partizanët e rrethuar u vranë. Këta të rinj nuk u vranë në luftë kundër okupatorëve, por në luftë civile që shkaktoi mjerisht qindra viktima edhe në Mirditë”.

 

10 MISTERE

  • Si ka mundësi që për një vrasje 5-fishe Prefektura e Shkodrës e njoftonte Ministrinë e Brendshme dy ditë me vonesë?
  • Si ka mundësi që ministria e trajtonte vrasjen pesëfishe, të kryer për motive politike ?
  • Si ka mundësi që, edhe pse njerëzit që bënë pritën e mësuan se cilët ishin viktimat ,Prefektura e Shkodrës dhe Ministria e Brendshme nuk i kishte identifikuar edhe dy ditë pas vrasjes ?
  • A u krye kjo vrasje për faktin se komunistët po synonin të kishin ndikim në Mirditë, krahinë të cilën e drejtonte kapiten Mark Gjonmarkaj?
  • Përse historianët e djathtë e kanë paraqitur vrasjen e pesë partizanëve komunistë si vrasje për të kundërshtuar idetë komuniste, në mënyrë që të mos triumfonte komunizmi në Shqipëri?
  • Përse një pjesë e historianëve të djathtë e paraqet këtë vrasje të rëndomtë, dhe deri për motive banale?
  • Përse historiografia komuniste e ka paraqitur këtë ngjarje si përplasje të komunistëve me barjaktarët e zonës për të mbështetur ose jo pushtuesit gjermanë?
  • Përse sa herë ndërrohen pushtetet në Shqipëri, ndërrohet edhe vendndodhja e monumentit të pesë heronjve në qyttetin e Shkodrës.
  • Përse vetë historiografia komuniste numrin e personave që i rrethuan të pestë, e ka dhënë në fillim 60, pastaj 200 dhe më pas 300 persona?
  • Përse ende nuk ka një version zyrtar të qartë të motivit real të kësaj ngjarjeje?

 

TË DHËNA NË SHIFRA

60 KUNDËR 5 : Ka qënë përplasja me armë në Vig që solli vrasjen e të pestë.

8 ORË LUFTIME : U zhvilluan mes forcave që kishin rrethuar 5 komunistët në fshatin Vig të Mirditës.

Brenda debatit për Luftën e Dytë Botërore në Shqipëri ka edhe një debat tjetër për mënyrën se si më 21 pusht të vitit 1944 u vranë pesë të rinj komunistë, partizanë të batalionit “Perlat Rexhepi” në fshatin Vig të Mirditës. Palët janë ndarë si me thikë , nëse Ahmet Haxhia , Naim Gjylbegu, Ndoc Mazi, Hydajet Lezha dhe Ndoc Deda ishin përparimtarë dhe patriotë që luftonin pushtuesit gjermanë , apo ishin terroristë dhe Malësia nuk mund t’i lejonte të përhapnin idetë komuniste. Aq të larguara janë palët,saqë monumenti për nder të tyre, i vendosu gjatë regjimit komunist në qytetin e Shkodrës, është hequr e vënë sa herë që pushteti kalon nga e djathta tek e majta.

 

SKENA E KRIMIT

Prej kohësh telegrafisti i Milotit, Ndoc Deda , shoqëronte në zonën e Mirditës katër komunistët Ahmet Haxhia, Naim Gjylbegu, Ndoc Mazi dhe Hydajet Lezha për të përhapur idetë komuniste dhe për të bindur banorët të luftonin pushtuesit. Ata shkonin shtëpi më shtëpi për këtë aksion politik, në një krahinë që në fakt, ndryshe nga të tjerët, nuk i kishte përkrahur idetë komuniste. Kjo jo vetëm nuk u kishte pëlqyer të parëve të zonës, Markagjonëve, por ata organizuan ndaj të rinjëve një pritë. Në paraditen e të hënës së 21 gushtit, rreth 60 persona, kryesisht forcat e familjes Markagjoni dhe të xhandarëve të drejtuar nga kryetari i komunës së Kashnjetit, u bënë pritë duke i rrethuar në një luginë, duke u kërkuar largimin prej asaj zone ku ata kishin kohë që jetonin. Të pestë kundërshtuan, të bindur se misioni i tyre për të ngritur popullin në luftë dhe për të përhapur idetë komuniste ishte i drejtë. Kjo solli replika dhe debate të ashpra që u shoqëruan me nisjen e betejës. Pas rreth 8 orë bisedash, negociatash, debatesh dhe përplasjesh me armë, të pesë komunistët mbetën të vrarë, ndërsa nga njerëzit që ngritën pritën nuk pati asnjë viktimë. Kjo edhe për shkak të terrenit të favorshëm. Ndarja e opinionit vijoi edhe pas vrasjes. Zyrtarët e shtetit të asaj kohe e trajtuan si një reagim të banorëve të zonës për të kundërshtuar komunizmin. Të habit fakti që edhe pse ishin vrarë pese persona, Ministria e Brendshme informohej dhe informonte zyrtarisht për ngjarjen dy ditë më vonesë. Më 23 gusht 1944 Prefektura e Shkodrës njoftonte këtë ministri për vrasjen e pesëfishtë në Vig të Mirditës:

“Më 21 gusht në Vig të Mirditës janë vra pesë komunistë të paidentifikuar”.

Por ironia shkon edhe më tej kur, edhe pse kishin kaluar disa ditë dhe e gjithë zona e dinte se cilët ishin viktimat, autoritetet e policisë nuk i kishin identifikuar ende.

“Simbas njoftimit të komisarit të policisë së këtushme prej pesë komunistëve të vramë në përpjekje me vullnetarët e katundit Vig të Mirditës dy prej tyre janë identifikuar, të quajtunit… dhe Ndoc Mazi të dy nga ky qytet.”

Por sapo u mësua vrasja e të pestëve, Partia Komuniste mori flakë nga zemërimi. Në datën 28 prill nëntor 1944, gazeta “Kushtrimi i Lirisë” për vrasjen e heronjve të Vigut pothuajse dha kushtrimin.

“Me vdekjen para sysh në çdo hap njësiti trim udhëtonte më shumë natën sesa ditën në malet e egra të Mirditës. Por një ditë, më 21 gusht, kalimi i tyre nëpër Vig u spiunua. Ata ishin vetëm pesë, . . . armiqtë ishin 200. Njësiti futet në pritë në vendin më të rrezikshëm, atëherë kriminelat kërcënojnë shokët të dorëzojnë armët… Përgjigjja ishte e prerë. Njësiti mblidhet tok dhe ia fillon këngën e luftës”.

LETRA PUBLIKE

Nuk ndodh shpesh që një grup njerëzish, të sigurt që do të vriten, të shkruajnë një letër pak momente përpara se t’i përshkojë plumbi. Të ndodhur në gjendjen më kritike Haxhia, Gjylbegu, Mazi, Lezha dhe Deda shkruan një letër, që ndonëse me përmbajtje dhe ide komuniste, është unikale për kohën, mënyrën dhe artikulimin. Letra nis me parullën “Vdekje fashizmit, Liri Popullit “ dhe u drejtohej udhëheqësve komunistë.

Të dashtun shokë.

Jemi të rrethuem dhe presim që në çdo minutë të na përshkojnë plumbat e tradhëtarëve, por ne kemi vendos ma mirë me dhanë jetën si me le, sesa me tradhtue luften që kemi nisur, se një herë kemi thënë, ja vdekje ja liri. Pra, o shokë, ju do ta ndiqni punën deri në ate vend që e kemi lënë me guxim të pathyeshëm.Shokë, ne nga malet e Mirditës … Ju cojmë përshëndetjet e fundit me brohorit me një za vdekje fashizmit, liri e popullit! Vdekje okupatorit barbar që na ka çnderue vatanin. Vdekje tradhëtarëve Gjon Marka Gjoni, Kol Bibë Miraka, Mustafa Kruja etj. Rroftë Partia Komuniste Shqiptare. Rroftë Këshilli i Parë Antifashist, rroftë rinia komuniste shqiptare që po jep heronj për çlirimin e vendit prej tradhtarëve dhe okupatorit. Rroftë ushtria partizane vullnetare N.Ç.L.SH.

Të fala të pesë shokët

Teli, Bensiku, Minuku, Tygri dhe Hydaj

Vig. më 21.8.1994

 CILËT ISHIN PESË HERONJTË

Më shumë se më cilët ishin pesë komunistët që u vranë në Vig të Mirditës në atë ditë të nxehtë gushti, historiografia zytare është marrë me arsyen përse u vranë ata. Por cilët ishin në të vërtetë misionarët komunistë, partizanë të batalionit “Perlat Rexhepi”, që u ekzekutuan në kushtet e pamundësisë së mbrojtjes?

PËRSE U VRANË PESË KOMUNISTËT

Për historiografinë komuniste, pesë komunistët u vranë nga forcat tradhtare që bashëpunonin me pushtuesit. Ky version pothuajse nuk është zëvendësuar edhe sot zyrtarisht. Por mbështetës të forcave të djathta e kane hedhur poshtë atë, duke e lidhur me veprimtarinë e tyre komunistët. Të dy këto versione qëndrojnë ende sot të ndara. Ajo që nuk ndryshon është se 60 shqiptarë vranë 5 shqiptarë vetëm 3 muaj përpara se të përfundonte Lufta e Dytë Botërore në Shqipëri.

VERSIONI 1

Në zonën e Mirditës nuk kishte pushtues gjermanë. Por kjo nuk do të thoshte që komunistët nuk synonin t’i shtrinin idetë e tyre dhe ta bënin popullin për vete, duke mbështetur luftën ndaj pushtuesve. Ekziston urdhëri për misionin që ata pesë partizanë morën për të kryer në Mirditë.

“Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare kishte udhëzuar komandën e batalionit “Perlat Rexhepi” që në krahina si Malësia  e Madhe, Pukë, Mirditë ku tani për tani nuk mund të hyhej drejpërdejt ushtarakisht, të veprohej në grupe të vogla, të cilat duhet të hynin në lidhje me malësorët trima e të besës që jetonin në këto anë, për t’u shpjeguar atyre qëllimet e luftës sonë “.

Por kjo ra ndesh me Gjon Marka Gjonin, të parin e Mirditës. Në traktin e Partisë Komuniste të Komitetit Qarkor të Shkodrës, të nxjerrë pas ngjarjes, jepen detaje që lidhen me rrethimin, por duke shtuar edhe një element të dyshimtë, sipas të cilit forcat e Marka Gjonit po shkonin të sulmonin partizanët e Divizionit të Parë. Ja si është dhënë versioni i parë i ngjarjes prej komunistëve:

“Në javën e tretë të gushtit 1944, një njësit partizan po shkonte prej Kashtanjerit të Mirditës për në një katund tjetër. Ndërsa njësiti po kalonte lumin Gjadër ndeshet me nja 60 bashibozukë të tradhëtarit Gjon Marka Gjoni, që të primë prej kryetarit të komunës së atij katundi po shkojshin kundër forcave partizane të Divizionit të Parë Sulmues. Njësiti ynë siç ishte detyra i ftoi bashibozukët të mos bajshin gjakderdhje të kotë për hesapin e okupatorit dhe të tradhëtarëve, mos t’i sjellshin armët kundër vëllazënve të tyre. Por ata të nxitun nga kryetari i Komunës të verbuem nga injoranca e tyne,ftesës vëllazërore të partizanëve iu përgjigjën me batare pushkësh. Atëherë lufëtarët e lirisë megjithëse në pozita të këqija pse kundërshtarët i kishin pre pozicionet e tyre nuk u menduan më gjatë po ia shkrepën dhe të shtimeve iu përgjigjën me të shtime, plumbave të tradhëtarëve iu përgjigjën me pushkët e tyne që shpirtëzoheshin ngga zemra luajsh. Naim Gjylbegaj, Ndoc Mazi, Ahmet Haxhija, Ndoc Deda, Hidajet Lezha ranë pa frymë përdhe.”

Dhe reagimi i komunistëve isht flakë për flakë.

“Gjaku i pesë dëshmorëve të lirisë, i pesë patizanëve të tjerë skuqi edhe nji herë tokën e qarkut tonë, u bashkue me gjakun e të tjerëve dëshmorëve për të provuar se populli shqiptar e meriton lirinë të cilën po e fiton me gjak.”

VERSIONI 2

Version i palës kundërshtare është shumë më i thjshtë, por edhe ai lë vend për dyshime. Kapidan Marka Gjoni nuk mund të lejonte që në Mirditë të fillonte ndikimi komunist, prandaj ai nuk mund t’i linte pesë partizanë të “bënin ligjin” në atë zonë ku as gjermanët nuk ishin prezentë. Nën konceptimin e antikomunistit Marka Gjoni luftonte edhe ideologjinë që e quante të gabuar e terroriste, por njëkohësisht nuk lejonte që komunistët të ndikonin në zonën ku ai ishte paria. Edhe historianët që e mbështetin atë që e quajnë heroizëm të të pestëve, e pranojnë këtë argument.

“Shtabi i Përgjithshëm kërkonte gjithashtu që të studioheshin shkaqet pse kapidani i Mirditës e kishte humbur ifluencën mbi një pjesë të mirë të popullit dhe të kapej pas kësaj për t’u futur në zemrën e tij, për të marrë në dorë iniciativën e për të dominuar situatën aty. Për t’ia arritur kësaj duhet demaskuar veprimtaria e reaksionit dhe duhet likuiduar foleja e tij në kullat e Gjon Marka Gjonit. Pikërisht një detyrë e tillë, e vështirë, me rreziqe e me përgjegjësi, iu besua njësitit dhe ai e përmbushi atë me përkushtim të lartë.”

Por historian Uran Butka është shumë më afër së vërtetës teksa vrasjen pesëfishe e cilëson pjesë të luftës civile që ndodhi gjatë Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri.

“Më 21 gusht, në Vig të Mirditës u rrethuan nga forcat e Markagjonëve dhe ato të xhandarëve të komanduara nga kryetari i Komunës së Kashnjetit, pesë partizanët të batalionit Perlat Rexhepi; Ndoc Mazi, Naim Gjylbegu, Ndoc Deda, Ahmt Haxhia dhe Hydajet Lezha, që do të takoheshin me njësitin partizan të Mirditës. Atyre iu kërkua që të dorëzoheshin, por partizanët zunë pozicione luftimi. Pas një qëndrese të gjatë, pesë partizanët e rrethuar u vranë. Këta të rinj nuk u vranë në luftë kundër okupatorëve, por në luftë civile që shkaktoi mjerisht qindra viktima edhe në Mirditë”.

 Shkëputur nga libri me autor Roland Qafokun: “100 VRASJET MË TË BUJSHME”

(Në historinë e shtetit shqiptar në të gjitha trojet shqiptare )

1912-2017

“Pasuria që s’e blejnë dot paratë”

Libri për suksesin e vërtetë dhe rritjen personale

Ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar

Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe

Premiera “13” nën petkun e Sulejman Rushitit

“Kadare, Kuteli, Fishta…të ndërthurur në dramën bashkëkohore”

Erdhi si një mrekulli për publikun shqiptar

Marie Kraja, diva me zërin e pastërt dhe të kthjellët