MENU
klinika

Dy të rënë në Letoni

Flamuri në gjysmë-shtizë në bazën e NATO-s, ngushëllojnë politikanët

11.05.2019 - 09:02

Pasi humbi jetën edhe efektivi Klodian Tanushi, i plagosur në Letoni gjatë misionit të NATO-s, në bazën e NATO-s në Herat, Afganistan flamuri shqiptar është ulur në gjysmë shtizë.

Kontigjenti i V-të Paqeruajtës ka nderuar veprën sublime të dëshmorëve të rënë Letoni. Kujtojmë se Major Klodian Tanushi u plagos pas shpërthimit të minës që vrau nëntetaren Zarife Hasanaj.

Lajmin e trishtë e ka dhënë Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, në facebook.

“Një lajm tjetër i dhimbshëm vjen nga Letonia. Komandanti i kontingjentit shqiptar në misionin e NATO “Enhanced Forëard Presence”, major Klodian Tanushi humbi pak çaste më parë betejën e fundit me jetën. Me zemër e me shpirt i gjendemi pranë familjes, bashkëshortes e tri fëmijëve në këtë ditë zije. Do t’ju mungojë atyre, por do të na mungojë të gjithëve ne që patëm fatin ta njohim.Do mbetesh përjetë në mendjen e zemrën tonë Klodi, miku ynë!”

Edhe Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, ka shprehur ngushëllimet në një postim në twitter. Prindërve të majorit që jetojnë në Tiranë lajmin ua dhanë Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralbrigade Bardhyl Kollçaku dhe zv.shefja e SHPFA, gjeneralë Manushaqe Shehu.

Pas lajmit të hidhur kanë reaguar kreu i Shtetit, Ilir Meta, si dhe ai i opozitës, Lulzim Basha.

“I tronditur nga lajmi i hidhur i ndarjes nga jeta të komandantit të kontingjentit ushtarak shqiptar në misionin e NATO-s në Letoni, major Klodian Tanushit. Në këto momente shumë të vështira për familjen Tanushi, me zemër jam pranë bashkëshortes dhe tri fëmijëve të tij, duke u shprehur ngushëllimet më të sinqerta”, shkruan presidenti Meta, i cili e mbyll mesazhin e tij duke iu drejtuar viktimës “heroi ynë”.

“U prehsh në paqen e përjetshme heroi ynë!”.

Katër ditë më parë, nga shpërthimi i një minen ë bazën ushtarake Camp Adazi në Letoni humbi jetën nëntetarja Zarife Hasanaj dhe u plagosën major Klodian Tanushi, i cili ndërroi jetë mbrëmjen e sotme, dhe reshter Julian Kapaj. Ky i fundit ndodhet në gjendje të stabilizuar.