Kuvendi ka përjashtuar, Partinë Demokratike dhe Lëvizjen Socialiste për Integrim nga përfitimi i fondeve që rrjedhin nga buxheti i shtetit për partitë politike që garojnë në 30 qershor.
Për zgjedhjet lokale, Kuvendi ka vendosur që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve t’i shpërndajë partive politike të regjistruara një fond prej 65 milionë lekësh të reja.
Projektvendimi i miratuar në seancën e fundit parlamentare sanksionon se sasia e fondit nga buxheti i shtetit do t’u akordohet atyre partive partive politike të regjistruara si subjekte zgjedhore, ndërsa mbetet e pa përcaktuar mënyrën se si do të ndahet kjo vlerë.
Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve për këtë çështje do të veprojë mbi bazën e neneve 87 dhe 88 të Kodit Zgjedhor, ku përcaktohet në mënyrë specifike se si shpërndahet ky fond.
Neni 87, pika 1 përcakton se partitë politike pjesëmarrëse në zgjedhje dhe që kanë marrë jo më pak se 0,5 për qind të votave në shkallë vendi, përfitojnë fonde nga buxheti i shtetit në bazë të numrit të votave që secila parti ka marrë në ato zgjedhje.
Fondi për këtë qëllim përcaktohet me vendim të Kuvendit dhe përbën zë më vete në buxhetin e shtetit për vitin zgjedhor përkatës.
Në kushtet kur Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim dhe forcat e tjera opzoitare që nuk janë regjistruar në zgjedhje janë përjashtuar, Partia Socialiste pritet të marrë pjesën më të madhe të fondit, më shumë se 85 përqind.
Referuar kodit zgjedhor, 5 përqind e këtij fondi shkon për partitë politike që hyjnë për herë të parë në zgjedhje, ku përfituese do të jetë edhe Bindja Demokratike e krijuar së fundmi nga Astrit Patozi.