MENU
klinika

Nga Mentor Nazarko

Gjermania ia jep ‘pataten e Ballkanit’ Francës

01.05.2019 - 13:45

Samiti i Berlinit ishte ngjarja më e rëndësishme për një pjesë të madhe të Ballkanit, për faktorin shqiptar, posaçërisht, dhe jehona e tij do të ndihet gjatë gjithë viti që vijon.

Tre ishin momentet kryesore që priteshin në lidhje me faktorin shqiptar kryesisht:

1. Marrja e sinjaleve të qarta ose jo për çeljen e negociatave të Shqipërisë edhe Maqedonisë në lidhje me integrimin në Bashkimin Evropian.

2. Liberalizimi i vizave për Kosovën në qershor;

3. Direktivat që do të vinin prej dyshes gjermano-franceze për bisedimet Kosovë-Serbi.

mentor nazarko-konica.al

Të tre këto ngjarje ishin në lidhje me njëra-tjetrën dhe Shqipëria me Kosovën do të duhet ta përforconin pozitën e njëra-tjetrës, kështu që gjithçka që u tha në lidhje me njërën prej temave, ka ndikuar edhe tek tjetra.

Por, para se të analizojmë efektet e këtij takimi për faktorin shqiptar, dhe duke marrë më veçmas ato për Shqipërinë e njëlloj dhe për Kosovën është e domosdoshme që të shpjegojmë atë se çfarë përfaqësonte ky samit.

I zhvilluar pak javë para zgjedhjeve parlamentare, për institucionet evropiane, ky samit nga dyshja franko-gjermane synonte që të fuqizonte zërin e shteteve kryesore të Bashkimit Evropian, në një rajon që quhet ndryshe “oborri i Evropës”, i cili i ka sjellë vazhdimisht telashe asaj, me luftrat e brendshme, refugjatët apo klandestinët, trafiqet e drogës apo edhe ato të armëve, etj, dhe më së fundmi me shndërrimin e rajonit në një zonë ku përplasen ndikimet e atyre që quhen, sipas një konvencioni të butë, faktorë të tretë që janë praktikisht Turqia, Rusia apo Kina.

Kështu që, në këtë mënyrë dyshja franko-gjermane, dy personazhet më të rëndësishme në Evropë, presidenti Makron dhe kancelarja Merkel, (e cila ndonëse është në fund të mandatit të saj po luan fuqishëm deri ditën e fundit), kishin synim që të potenconin atë që Bashkimi Evropian, posaçërisht Franca dhe Gjermania do luajnë fuqishëm dhe nuk do ta harrojnë Ballkanin, por do të kujtohen më shumë pas zhvillimit të zgjedhjeve.

Pra, ky ishte mesazhi që preku dy prej kërkesave të faktorit shqiptar.

Çelja e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë

As Shqipëria dhe as Maqedonia nuk do të trajtohen për të çelur negociatat në qershor, por në vjeshtë, pas zhvillimit të zgjedhjeve. Aq e vërtetë është kjo, sa Franca, e cila është pengesa kryesore për këtë qëllim, konsideron që hapja e një teme të tillë, ashtu si dhe ajo e liberalizimit të vizave do ti jepte pikë krahut të djathtë të zonjës Le Pen, partive të djathta në Europë, kështu që do ishte mirë që tema të tilla të shtyheshin për në vjeshtë.

Shtyrja e negociatave të Shqipërisë, nuk ka lidhje vetëm me Shqipërinë, por me qëndrimin francez, me drojën e presidentit Makron i cili nuk dëshiron të flitet për zgjerim në një moment të tillë si ky i vigjiljes së zgjedhjeve evropiane. Nëse do të ishte e vërtetë që do të kishte lidhje me Shqipërinë atëherë do të ishte Maqedonia ajo që do të favorizohej. Duket se as Maqedonia e cila i ka kartat në rregull për çeljen e negociatave, nuk do të merret në konsideratë përpara vjeshtës.

Liberalizimi i vizave për Kosovën

Të njëjtin fat pati edhe kërkesa e Kosovës për liberalizimin e vizave, ndonëse kontigjenti potencial i cili do të përfitonte nga kjo është shumë i vogël, midis 600 mijë dhe 1 milion shtetasve. Prapë se prapë Evropa ka frikë se një lajm si ai për liberalizimin e vizave do të ishte ‘karburant’ për të nxitur votat drejt ekstremit të djathtë.

Negociatat Kosovë-Serbi

Dhe tema e tretë më e rëndësishme ishte ajo që lidhet me negociatat Kosovë-Serbi, dhe këtu duket se dyshja pati një lloj përparimi relativ. Ndonëse ky sukses mban erën e kundërvënes midis Bashkimit Evropian, dy shteteve kryesore të tij, (tani që Anglia nuk po di se ku është brenda Bashkimit Evropian apo jashtë tij) me SHBA-të. Pra, pozicioni franko-gjerman në fillim të këtij samiti, ngjante se ishte në kundërvënie me SHBA-të në lidhje me dialogun, kurse nga mënyra se si u mbyll samiti duket se pati një lloj konvergjence sepse janë disa elementë që e mbështesin këtë pohim. Aq e vërtetë është kjo, sa ambasadori amerikan në Gjermani, Grenell pati takime me drejtuesit e shtetit të Kosovës,për të konvergjuar pozicionet me ta(?).

Pra, një samit i nisur, i shpallur, i menduar se do të ishte një marrje iniciative e BE-së, dy shteteve kryesore të tij, në lidhje me bisedimet Kosovë-Serbi, kundrejt faktorit amerikan, praktikisht rezulton se është një lloj konvergjence me SHBA-të dhe janë disa elementë si:

1. Nga të gjithë deklarimet publike të kancelares Merkel apo Makron nuk kishte pozicionim i cili është kundër atij momenti që konsiderohet më problematik që është praktikisht shkëmbimi i territoreve apo ndryshimi i kufijve apo demarkacioni. Në një intervistë të sotme zëdhënësi I zonjës Merkel Siebert e ka bërë të qartë se shqetësimi gjerman është ndaj një marrëveshje që mund të lëndonte të tjerët, pa hyrë në detaje.

2. Prej këtij samiti u vendos që bisedimet të zhvillohen në 1 korrik me ftesën e presidentit francez, pra Franca merr iniciativën në lidhje me Ballkanin. Në fakt Franca e bëri të qartë se do të rikthente vëmendjen në Ballkan me iniciativat e saj në katër fusha, dhe nëpërmjet moderimit të bisedimeve Kosovë-Serbi, ajo hyn plotësisht në rol.

3. Këto bisedime do të zhvillohen pa e hequr Kosova taksën. Serbia u detyrua që të pranojë që të ulet në bisedime pa u hequr kjo taksë. Vuçiç e pranoi me gjysmë zemre këtë kusht të francezëve.

Është zgjedhur që të moderojë këto bisedime një vend si Franca i cili nga analizat e mëparshme mendohet se nuk ka asnjë lloj tabuje në lidhje me formën e marrëveshjes. Besohet seFranca do të pranojë çdo lloj rezultati që do ti japin vetes të dyja palët nga bisedimet, pa patur kurrfarë tabuje lidhur me shkëmbimin e territoreve siç e ka Gjermania.

Është ky moment i cili e bën të qartë që ky rol i dyshes franko-gjermane nuk është kundërvënës, por në fakt marrje iniciative, pa dalë nga ato që duke se ishin linjat e qëndrimit amerikan. Ky qëndrim është në favor të një marrëveshjeje, të një njohjeje të ndërsjelltë, pa vija të kuqe për llojin e marrëveshjes, ndonëse pozicioni amerikan është I përmbledhur në atë shprehjen që ‘jeni të lirë të vendosni marrëveshjen që doni por mos kujtoni se ju kemi dhënë një letër të bardhë ku të shkruani çfarë të doni’.

Kjo është në një farë mënyre përmbledhja që mund të bëhet për takimin e Samitit të Berlinit, një ngjarje e rëndësishme që faktoi, vuri në provë momente të funksionimit të Shqipërisë me Kosovën ne arenën ndërkombëtare, apo dhe të sjelljes së udhëheqësve të saj në forume si këto.

U testua lloji i marrëdhënies të liderëve shqiptarë me zonjën Merkel, të cilat ngjanin se ishin të cënuara sadopak, posaçërisht ato të Ramës apo të Thaçit dhe duket se ato u normalizuan.

Priten reagimet amerikane, ndonëse zhvillimet ndërkombëtare janë shumë dinamike për të eklipsuar një ngjarje si Samiti i Berlinit.

Me video:

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



"Më futën një dru, më shtrembëruan nofullën"

I liruari me amnisti zbulon prapaskenat se si janë kushtet në burg

"Një tjetër skandal i madh pritet të dalë në dritë..."

Eksperti Karamuço paralajmëron “furtunë” në Policinë e Shtetit

“Bashkëpunëtorja e Bashës, miqësi me Xhaçkën”

Bardhi tregon prapaskenat: Pse nuk e ka nënshkruar mocionin kundër deputetes

Ja çfarë shkruan revista amerikane!

Planet e dhëndrit të Trump për Deltën e Vjosës

"‘Hodhe gurin e fshehe dorën’, siç bëre pas 21 Janarit"

Djegia e mandateve, Basha i përgjigjet Metës: Ti na nxite!