229 pes – Romakët pushtojnë për here të parë Ilirinë, kur dy konsuj, Fulvus dhe Postimius, me ushtritë e tyre (njëri nga deti e tjetri nga toka) u dërguan për të ndëshkuar mbretëreshën Teuta – Ajo kishte vrarë ambasadorin romak, pasi ky i ishte përgjigjur pa respekt. Historiani Polybius (203 pes – 120 pes) tregon se, Roma dërgoi në oborrin e mbretëreshës Teuta dy ambasadorë për ta paralajmëruar që ilirët duhej të ndërprisnin piraterinë ndaj anijeve dhe brigjeve italiane.
Teuta iu përgjigj se ilirët ishin njerëz të lirë dhe nuk kishin nevojë për urdhërat e saj se si të silleshin. Një nga ambasadorët, ai më i riu në moshë, ia ktheu: ‘Mbretëreshë Teuta, romakët kanë një traditë të shkëlqyer se është shteti që merret me dënimin e atyre që kryejnë gabime, dhe me ndihmën e atyre që vuajnë gabime.
Me ndihmë të Zotit, ne do të bëjmë sa më shpejt ç’është e mundur që mbretëresha ilire të ndryshojë mënyrën se si qeveris nështetasit e saj’. Ishin këto fjalë, në oborrin e saj, nga një i huaj, që e zemëruan Teutën, e cila dërgoi njerëz dhe e vranë ndërsa ambasadori po i hypte anijes për t’u kthyer në vendin e tij. Kur lajmi mbërriti në Romë, romakët u zemëruan së tepërmi dhe autoritetet menjëherë filluan mbledhjen e legjioneve, përgatitën flotën, dhe u nisën për herë të parë drejt brigjeve të Ilirisë dhe asaj pjese të Evropës.
1720 – Anija “Le Grand St Antoine” arrin në Marsejë nga Lindja e Mesme – udhëtarë dhe personeli i anijes ishin prekur nga murtaja, duke sjellë në Evropë sëmundjen e cila do të shkaktonte rreth 100.000 të vdekur në Marsejë dhe në krahinat pranë. Vetëm në Marsjejë vdiq më shumë se gjysma e popullsisë – nga 90 mijë banorë para murtajës, në 40 mijë. Për të penguar përhapjen e sëmundjes, Parlamenti miratoi vendimin për dënim me vdekje të çdo personi që kapej duke komunikuar mes Marsejës dhe pjesës tjetër të Provences. Për të zbatuar këtë ndarje, u ngrit një mur (Mur de la peste), i cili rrethoi Marsejën. Muri prej gurësh ishte 2 m i lartë dhe 70 cm i gjerë, me post-roje të vendosur prapa murit. Mbetjet e murit mund të shihen edhe sot në pjesë të ndryshme të Plateau de Vaucluse.
1787 – Kuvendi Kushtetues u mblodh në Filadelfia nën udhëheqjen e George Washingtonit, për të krijuar një mënyrë të re qeverisëse, bashkim, bazuar në federalizëm.
1846 – Në Frashër të Përmetit lindi Naim Frashëri poeti më i madh i rilindjes kombëtare shqiptare, mendimtar dhe veprimtar i shquar i arsimit dhe kulturës, pasurues i gjuhës shqipe – poet romantik, i këndoi dashurisë, natyrës, mallit më mirë se gjithkush tjetër – zëri më i ëmbël i mirëkuptimit mes bashkë-atdhetarëve të përçarë. Më 1900, vdiq në Stamboll – 54 vjeç.
Lutja
nga Naim Frashëri
“Det i p’an’i mirësisë, q’emrin tënd s’e zë dot ngoje,
Qysh e ngrehe gjithësinë pa lënë farë nevoje!
Fali njeriut urtësinë, mirësinë, njerëzinë,
Butësinë, miqësinë, dashuri, vëllazërinë
Epu sheshevet lul’ e bar dhe pyjevet gjeth e fletë,
Resë shi, aravet bimë e mos lerë gjë të metë,
Fali erë trëndelinës, manushaqes, trëndafilit,
Kalliut bukë, mizës pjesë, zogut ngrënie, zë bilbilit,
E drurëvet epu pemë dhe uratë bagëtisë,
Dërgo dhëmbj’ e kujdes për to në zëmërt të njerëzisë
Epi pjergulls’ e vështit rrush dhe vozësë fali verë,
Mos e lerë pa të kurrë, kurrë thatë mos e lerë
Fali diellit flak e zjarr dhe hënës e yjet dritë,
Edhe detit uj’ e kripë, gjithësisë jet e ditë.
Yjtë le të vinë rrotull dhe njerëzit të punojnë,
Të dëfrejn’ e të gëzohen dhe si vëllezër të shkojnë.
Tregomu dhe shqipëtaret udhën e punës së mbarë,
Bashkomi, bëmi vëllezër edhe fjeshtë shqipëtarë,
Falmi, falmi Shqipërisë ditën e bardh’ e lirisë,
Udhën e vëllazërisë, vahn’ e gjithë mirësisë.
Nxirr të vërtetën në shesht, paskëtaj të mbretëronjë,
Errësira të përndahet, gënjeshtëra të pushonjë.”
1925 – Tenesi, SHBA; Arsimtari John Scopes (1900 – 1970) akuzohet për mësimin e teorisë së Darvinit mbi evoluimin e njeriut nga majmuni; përfshirja e kësaj teorie në programet shkollore ndalohej me ligj (Akti Butler) në shtetin Tenesi, ndërsa Skops, mësues shkence u kishte folur nxënësve në klasë rreth evolucionit; prindër të shqetësuar u ankuan ndaj mësuesit dhe çështja shkoi në gjyq. Gjyqi zgjati rreth 2 muaj; Xhon Skops u gjet fajtor dhe u dënua me 100 dollarë gjobë. Çështja u ankimua në Gjykatën e Lartë Tenesi, e cila vendosi se Akti Butler është kushtetues, por rrëzoi vendimin për gabime teknike dhe për këtë arsye gjoba iu hoq të pandehurit dhe i vu jurisë. Ngjarja bëri bujë dhe më 1960 u dramatizuar në filmin me titull “Inherit the Wind” me aktorin e njohur Spencer Tracy në rolin e avokatit mbrojtës. Ndërsa Akti Butler kundër mësimit të teorisë së Darvinit në shkolla mbeti në Tenesi deri më 18 maj 1967, kur u shfuqizua nga legjislatura e shtetit.
1946 – Jordania fiton pavarësinë nga Britania (Dita Kombëtare e Jordanisë)
1961 – Presidenti Xhon Kenedi përcakton qëllimin për dërgimin e një njeriu në Hënë para përfundimit të dekadës. “Këto janë kohë të jashtëzakonshme. Forca dhe bindjet tona kanë imponuar mbi këtë komb rolin e udhëheqësit për kauzën e lirisë.
Nuk ka në histori sfidë më të vështirë apo më të rëndësishme…” Dhe qëllimi i përcaktuar nga Kenedi u arrit para fundit të dekadës; Vera e vitit 1969 ishte një kohë e veçantë në histori kur njerëz nga Toka – astronautë amerikanë – shkuan me anijen Apollo 11 në Hënë, zbritën dhe u kthyen në Tokë pa problem. Bota i nderoi këta astronautë si heronj. Neil Armstrong dhe Edvin ‘Buzz’ Aldrin ishin të parët që zbritën në Hënë. Po ata nuk ishin të fundit. Agjencia amerikane për fluturime në Hapësirë e njohur me akronimin NASA, ndërmorri edhe 6 misione të tjera në Hënë me anije Apollo. Në dhjetor të vitit 1972, astronautët amerikanë lanë në Hënë një pllakë metalike me këtë mbishkrim: “Këtu njeriu përfundoi eksplorimin e parë të Hënës…” . Kështu, eksplorimet në Hënë që kishin filluar me anijen Apollo 11 më 1969, përfunduan me anijen Apollo 17 në vitin 1972. Ulja e anijes Apollo 11 në Hënë përkoi, rastësisht ose jo, me 66 vjetorin e fluturimit të parë me aeroplan të Vëllezërve Wright.
1979 – Ndodh fatkeqësia më e rëndë ajrore në historinë e SHBA-së (me përjashtim të sulmeve të 11 shtatorit 2001), kur një aeroplan udhëtarësh DC – 10 u rrëzua në aeroportin O’Hare të Çikagos, duke vrarë mbi 273 njerëz.
1989 – Mikhail Gorbachev zgjidhet President Ekzekutiv i Bashkimin Sovjetik, duke shërbyer nga viti 1990 -1991. Ai fitoi çmimin Nobel për Paqe për kontributin në shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik që solli fundin e luftës së ftohtë.
1995 – Ushtria serbe boshnjake vret 72 të rinj në qytetin boshnjak të Tuzlës.
1999 – Kongresi amerikan denoncon Kinën për spiunazh bërthamor ndaj SHBA-së gjatë dy dekadave të mëparshme.
2013 – Yuichiro Miura i Japonisë bëhet personi më i moshuar, 80 vjeç, që ngjit malin Everest.