MENU
klinika

“KO” në raundin e parë

I mjaftojnë 2 minuta/ Wilder shkatërron Breazeale

19.05.2019 - 19:46

Boksieri amerikan Deontay Wilder mundi me “KO” në raundin e parë sfidantin Dominic Breazeale, duke mbrojtur titullin kampion bote në peshën e rëndë në kategorinë WBC.

Dueli mes dy boksierëve u zhvillua “Barclay Center” të Brooklyn dhe u fitua shumë shpejt nga Wilder, të cilit i mjaftuan 2 minuta për të hedhur në tapet Breazeale.

Një e djathtë e fortë e Wilder çoroditi Breazeale, që nuk e priste këtë goditje, duke rënë në tapet dhe nuk u ngrit gjatë numërimit të gjyqtarit.

Kjo është hera e 20-të për Wilder që fiton një duel si profesionist me “KO” që në raundin e parë.


“Fuqia që kam është dhuratë e Zotit, diçka reale dhe nuk kam nevojë të stërvitem për këtë gjë”, tha Wilder, që ka 41 fitore dhe 1 barazim në karrierën e tij.

Ndërsa për Breazeale kjo është humbja e dytë në karrierë, ku numëron edhe 20 fitore.

Duket se ai nuk bën dot hapin e madh drejt titullit, teksa humbjen e parë e ka ndaj kampionit tjetër të botës të këtij Divizioni, Anthony Joshua.

“Unë mendoj se kjo sfidë mes nesh do të ndodhë. Në zemrën time e besoj këtë gjë”, tha Wilder, që fitoi lehtësisht një përballje që konsiderohej më e fortë.