MENU
klinika

Ivica Buljan në Tiranë

“Jul Çezar” prova në TKE “Kujtim Spahivogli”

16.05.2019 - 16:51

Regjisori i njohur kroat, Ivica Buljan, ka mbërritur në Tiranë, këto ditë. Regjisori ka zgjedhur aktorët shqiptarë, për të vënë në skenë “Jul Çezarin”. Teatri Eksperimental “Kujtim Spahivogli” sapo ka postuar fotot e para të provave, ku pjesëmarrës janë aktorët: Alfred Trebicka, Amos Zaharia, e të tjerë. Shfaqja do të vihet në skenë nga mesi i korrikut, ndërsa regjisori Buljan do të rikthehet sërish të hënën në Tiranë, për të vijuar provat, sikur saktëson në postim TE “Kujtim Spahivogli”.

 

 

Prania e regjisorit të njohur në skenat botërore, duket se premton një produksion të madh këtë herë. Londo e quan një nga shfaqjet më të rëndësishme të kalendarit të institucionit. I konsideruar si një nga 10 regjisorët më të mirë në botë, shpallur nga “New York Times”, Buljan ka nisur prej një jave provat për produksionin e madh në teatrin shqiptar.

Tragjedia “Jul Çezari”, tragjedia historike nga Uilliam Shekspir, besohet të jetë shkruar në vitin 1599.

 

 

Në këndvështrimin historik, drama reflekton ankthin e përgjithshëm të Anglisë elizabetiane mbi vazhdimësinë e lidershipit. Në kohën kur u krijua dhe u vu në skenë për herë të parë, mbretëresha Elizabetë, një sovrane e fortë, ishte e moshuar dhe refuzonte të emëronte një pasues, duke u hapur udhë shqetësimeve, se pas vdekjes së saj mund të shpërthente një luftë civile, e ngjashme me atë të Romës.

 

 

“Jul Çesar” është njëra prej disa veprave dramatike të Shekspirit, bazuar në ngjarje të vërteta nga historia romake, ku përfshihen edhe Koriolanus dhe Antoni me Kleopatrën. Edhe pse vepra titullohet “Jul Çezar”, Bruti flet në më shumë se katër here, po kaq rreshta sa karakteri kryesor dhe subjekti i dramës psikologjike fokusohet mbi betejën e Brutit, mes kërkesave konfliktuale të nderit, patriotizmit e miqësisë.

 

***

 

Pak mbi jetën dhe karrierën e regjisorit Ivica Buljan

Regjisori Buljan, ka studiuar shkenca politike në Zagreb dhe fillimisht ka punuar si shkrimtar dhe kritik i rregullt i teatrit për “Slobodna Dalmacija”, një gazetë e përditshme e botuar në Split, Kroaci. Buljan me shkrimet e tij profesionale ka bashkëpunuar edhe me revistat teatrore ndërkombëtare “Primer Acto” (Madrid), “Ubu” (Paris, Londër), “Mask” (Ljubljana). Fillimisht nisi të punojë me skenën tetarore, si drejtues teatri dhe i disa festivaleve ndërkombëtare të tetarit.

 

I vlerësuar për mjeshtërinë edhe suksesin në teatër, Buljan ka dhënë leksione për teatrin në Paris, Bruksel dhe Moskë, po ashtu është i njohur si lektor ligjërues në “La MaMa” në Nju Jork. Gjithashtu, ai është profesor në Akademinë Kombëtare të Teatrit, në Saint-Étienne, Francë.

Si dramaturg, ka punuar në Kroaci, Francë dhe Slloveni dhe ka bashkëpunuar në më shumë se njëzet projekte ndërkombëtare me drejtuar nga emra si: Vito Taufer, Matjaž Pograjc, Christian Colin, Pierre Diependaele, Jean-Michel Bruyere, Krizstof Warlikowski, Eduard Miller, Robert Waltl.