MENU
klinika

"Municionet i plasën në dorë Bashës"

Kur ‘flet Amerika’, Tirana hesht! Përndryshe…shihemi pas 30 qershorit

31.05.2019 - 21:50

*Nga Eduard Zaloshnja

Ndërhyrja e parë amerikane në krizat shqiptare ka qenë edhe më ekzistencialia për shtetit tonë.

Pas Luftës së Parë Botërore, politikanët shqiptarë ishin të përçarë, nën ndikimin e fqinjëve që donin ta ndanin mes tyre shtetin e ri shqiptar (të njohur nga Konferenca e Londrës së 1913-ës).

U desh ndëryrja vendimtare e Presidentit Uillson në Konferencën e Paqes, që i vuri fre synimeve të fqinjëve, dhe që u dha krah politikanëve që donin vazhdimësinë e shtetit shqiptar. Pas asaj ndërhyrje fatlume, u mblodh Kongresi i Lushnjës, dhe historia dihet si ka vazhduar.

Do të duhej të kalonin 70 vjet, që SHBA të ndërhynte përsëri në një krizë shqiptare. Në vitin 1991, pasi PPSH-ja kishte fituar zgjedhjet e para pluraliste (rezultati i tyre u njoh ndërkombtarisht), filloi greva e përgjithshme në vend. Ndërkohë, në Tiranë pati përplasje mes protestuesve dhe forcave të rendit, që u shoqëruan edhe me vënie zjarri të një pjese të Pallatit të Kulturës.

Nga ana tjetër, “Vullnetarët e Enverit” po kërcënonin se do të marshonin drejt Tiranës, për t’u përplasur me protestuesit.

konferenca e londres
konferenca e londres

Në kushtet kur vendi mund të futej në spiralen e luftës civile, Zëri i Amerikës mbështeste hapur opozitën, ndërsa i ngarkuari me punë i Ambasadës Amerikane në Tiranë (amabasadori ende nuk ishte konfirmuar nga Senati), u takua me kryeministrin Nano. Dhe pas atij takimi, u arrit marrëveshja mes mazhorancës e opozitës për krijimin e qeverisë së stabilitetit, e cila do ta çonte vendin në zgjedhje të parakohëshme një vit më vonë.

Ishte përsëri ndikimi i Zërit të Amerikës dhe ndërhyrja e ambasadës amerikane ajo që rrëzoi qeverinë e stabilitetit (të kryesuar nga socialisti Bufi), pasi nuk arriti ta stabilizonte vendin. Qeveria teknike që erdhi pas saj e çoi vendin në zgjedhjet e marsit 1992, që sollën PD-në në pushtet.

Katër vjet më vonë, pas zgjedhjeve të kontestura të 1996-ës, Departamenti i Shtetit i kërkoi Berishës përsëritjen e zgjedhjeve në 40 zona elektorale, gjë që nuk ia rrezikonte mazhorancën PD-së në Kuvend. Por Berisha pranoi përsëritjen vetëm në 16 zona. Nëse një më tepër do të kishte pranuar, do t’i ishte vënë në rrezik mazhoranca e cilësuar me 2/3 në Kuvend, e cila i duhej për t’u rizgjedhur si President i Republikës dhe për të miratuar projekt-kushtetutën (që i ishte rrëzuar në referendumin e 1994-ës).

Pas snobimit publik që i bëri Uashingtonit, ambasada amerikane u bë si një faltore ku faleshin opozitarët dhe eksponentët e mediave kritike ndaj Berishës.

Ndërkohë, FMN-ja dhe Banka Botërore (që dominoheshin e dominohen nga Uashingtoni financiarisht) filluan sulmin ndaj firmave piramidale, të cilat kishin lulëzuar nën vëzhgimin dashamirës të Berishës (një ndër gabimet që ka pranuar publikisht ai – në një emision të Fevziut para zgjedhjeve të 2005-ës – ka qenë pikërisht mosmbyllja e firmave piramidale me kohë).

Dihet si rrodhën ngjarjet më tej. Kur shpërtheu revolta për paratë e humbura në skemat piramidale, amerikanët i propozuan Berishës që të emëronte Eduard Selamin si kryeministër dhe të shpallte zgjedhje të parakohëshme. Por ai nuk pranoi. Kur situata mbërriti pikën e vlimit, amerikanët arritën t’i ulin palët në negociata, që filluan para 1 marsit 1997. Por Berisha nuk u tërhoq dhe pas 1 marsit, depot e armatimeve të ushtrisë u hapën (rreth 1 milionë armë ranë në duart e popullsisë civile). Në zgjedhjet e parakohëshme të atij viti, nën mbikqyrjen e 6 mijë trupave ndërkombëtare, koalicioni i majtë mori 2/3 e vendeve në Kuvend.

Pas katër vjetëve të mbushura me protesta të PD-së (madje edhe me zaptime të armatosura të kryeministrisë dhe insitucioneve të tjera), u zhvilluan përsëri zgjedhje parlamentare. Mazhoranca e majtë arriti të merrte 3/5 e mandateve – mjaftueshëm për të zgjedhur Nanon President të Republikës dhe Metën kryeministër. Por 3/5 i arriti përmes skemës së Dushkut dhe përdorimit të policisë e Gjykatës Kushtetuese. Dhe ambasada amerikane ndërhyri përsëri. Ajo përdori e para frazën “mjaftueshëm vota për kryeministrin, por jo për presidentin”. Që do të thoshte se ose Meta, ose Nano duhej të mbeteshin me gisht në gojë (edhe pse kishin bërë përpjekje titanike për ta patur të dy gishtin në mjaltë…)

Me ndihmën e Brukselit dhe Berlinit, Uashingtoni arriti të gjente një zgjidhje, sipas së cilës Nano e Berisha ranë dakord të zgjidhnin si president Moisiun (një ushtarak në pension) dhe Nano të bëhej eventualisht kryeministër.

Por muaji i mjaltit nuk zgjati shumë. Berisha e akuzonte çdo ditë Nanon dhe ministrat e tij për korrupsion, ndërkohë që ndërkombëtarët po shqetësoheshin për skafët e gomonet e shumta që transportonin përtej Adriatikut drogë, armë, emigrantë ilegalë, e prostituta. Dhe Uashingtoni filloi qitjet nga larg, sa me kritikat në Zërin e Amerikës dhe sa me seanca dëgjimore në Kongres.

Para zgjedhjeve të 2005-ës, në Tiranë erdhi Drejtori i CIA-s, i cili u takua me Nanon. Dhe disa ditë më vonë, Nano i humbi zgjedhjet, pa bërë ndonjë rezistencë të madhe për të apeluar vendimet e KQZ-së.

Pas vrasjes së 4 protestuesve në 21 janar 2011 (jashë kangjellave të Kryeministrisë), FBI-ja bëri një ekspertizë, e cila fajësonte drejtpërdrejt zinxhirin komandues të Gardës së Republikës. Por gjykata shqiptare nuk e pranoi atë ekspertizë (pranoi ekspertizën shqiptare, që konkludoi se plumbat kishin bërë rikoshet tek halat e pishës..). Dhe më pas filluan qitjet nga Uashingtoni, sa nga Zëri i Amerikës e sa nga Kongresi. Ato qitje paralajmëruan rrotacionin e dytë paqësor rradhazi. Gjë që s’kishte ndodhur më parë në historinë shqiptare.

Parvjet, pasi i dërguari i Merkelit nuk arriti ta nxirrte opozitën nga çadra para kryeministrisë, erdhi ndihmës-zëvendës-sekretari i shtetit amerikan dhe u dorëzoi të dy palëve një projekt-marrveshje, duke i paralajmëruar që të mos ndryshonin asnjë fjalë të saj. Rama dhe Basha u takuan më pas, dhe bënë një marrëveshje edhe më të avancuar se ajo amerikane, duke krijuar përshtypjen se do të kishim një koalicion të madh (PS-PD) pas zgjedhjeve.

Por Rama siguroi 74 mandate, duke mos patur nevojën për ta futur Bashën në qeveri. Dhe Basha i druhet tani një marrëveshje të re me Ramën kryeministër, sepse mund t’i rrjedhin votat si parvjet.

Në fakt, Zëri i Amerikës i kishte dhënë sinjalet për një parapërgatitje për rrotacionin e rradhës (në vitin 2021). Ai raportoi për fallsifikimin e regjistrimit në SHBA të kompanisë që qeveria Rama i kishte dhënë tenderin e Unazës së Tiranës, si dhe raportoi për përgjime të Vangjush Dakos, nga të cilat lihej të kuptohej se ai mund të ishte përfshirë në blerje votash. Ndërkohë, raportet vjetore të Departamentit të Shtetit kritikonin qeverinë për nivel të lartë korrupsioni dhe luftë të pamjaftueshme ndaj trafikut të drogave të forta.

Duke përdorur pikërisht këto argumente, opozita kaloi në veprimin ekstrem të djegjes së mandateve parlamentare, si dhe në kërcënimin për përplasje civile në ditën e zgjedhjeve lokale (në rast se Rama nuk jep dorëheqjen deri atëherë).

Por ky kurs ekstrem nuk mund të duartrokitej nga Uashingtoni, i cili e bëri të qartë përmes ndihmës-zëvendës-sekretarit të shtetit, se parlamenti dhe qeveria janë legjitime, dhe opozita duhet të garojë në zgjedhje për të ardhur në pushtet. Përkthimi: Uashingtoni i dha municione opozitës, por për 2021-shin. Me djegjen e mandateve, ato municione i plasën në dorë Bashës. Amerika nuk pranon më rrotacione të dhunshme në Shqipëri dhe as krijimin e precedentëve të rrezikshëm për të ardhmen.

A është kjo arsyeja e qendrimit të prerë amerikan?

Këto ditë do ta marrim përgjigjen e kësaj pyetje, nëse në Tiranë mbërrijnë emisarë posaçërisht për krizën (e jo zyrtarë dytësorë si këta që mbërritën sot). Me pak fjalë, Basha duhet të presë ardhjen e ndonjë emisari të posaçëm amerikan, që të ketë ndonjë shpresë për 2021-shin.

Përndryshe… shihemi pas 30 qershorit!/ realstory.al