Largimi i Gattusos dhe Leonardos shkaktoi shumë pakënaqësira dhe shumë pikpyetje në klubin kuqezi.
Ndoshta lëvizja e Gattuso iishte disi më e pritshme, ndërsa largimi i drejtorit sportiv i habiti tifozët, duke qenë se Leonardo është një nga më të mirët në qarkullim për rolin e tij.
Megjithatë disa orë më pas ka reaguar edhe Administratori i Deleguar i Milanit, Ivan Gazidis ka shpjeguar gjithçka në një rrëfim për gazetën italiane “La Gazzetta dello Sport”, duke qenë se ishte ai i cili vendosi të bënte këto ndryshime.
I ardhur te Milani në muajin dhjetor të vitit të kaluar, ai tha se nuk ka folur për asnjë moment, pasi i është dashur të mësojë sa më shpejt mënyrën se si funksionon futbolli Italian.
“Erdha në Dhjetor dhe jam angazhuar totalisht për të kuptuar si funksionon futbolli në Itali dhe si është situata te Milani. Elliot e mori klubin në mënyrë të befasishme dhe pagoi menjëherë 220 milionë euro, për ta shpëtuar nga probleme shumë më të rënda dhe menjëherë më pas morëm Leonardon, i cili na ndihmoi shumë për të zgjidhur një sërë problemesh të tjera”, tha Gazidis.
Teksa i komplimentoi si Gattuson edhe Leonardon duke i quajtur profesionistë të vërtetë, Gazidis zbuloi edhe arsyet e këtyre lëvizjeve.
“Leo vendosi të largohet për të përjetuar sfida të reja. Asnjë konflikt me të, përveçse mirënjohje e madhe për gjithë sa ka bërë për Milanin gjatë kësaj periudhe. Gattuson nuk kam fjalë ta përshkruaj. Një njeri i jashtëzakonshëm, që mori mbi shpatullat e tij përgjegjësinë e plotë të sezonit.
Ka bërë një llogari dhe ka vendosur të mos e mbajë më këtë barrë, por mirënjohje e madhe edhe për të. Nuk e kam njohur më përpara, por këtu kuptova që është një njeri i jashtëzakonshëm. Do të jetë gjithmonë mik i Milanit”, theksoi ai.
Sa i përket të ardhmes së klubit dhe synimeve në merkato, Ivan Gazidis tregohet i drejtpërdrejtë me të gjithë, duke deklaruar se nuk do të synohen futbollistë të mëdhenj në afatin kalimtar.
“Historia dhe marka e Milanit janë, pro aspekti financiar është mjaft i rëndësishëm pasi futbolli ka evoluar shumë. Mjaft më me gënjeshtra, pasi nuk do të ketë asnjë futbollist të madh në këtë merkato për ne. Do të synojmë profile futbollistësh që kanë mundësinë të rriten bashkë me klubin, pasi duhet të dalim sa më shpejt nga kjo situatë financiare.
Të mos harrojmë që kemi edhe Fair Play-n Financiar, me të cilin duhet të bëjmë mirë llogaritë. Do të blejmë të rinj me cilësi të mëdha teknike, që kanë mundësi për t’u bërë kampionë të mëdhenj”, përfundoi administratori i kuqezinjve.