Në periudhën shtator-tetor të këtij viti Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike planifikon nisjen e pilotimit të sistemit të ri të leximit 3-mujor të matësve, me synimin që më pas ai të shtrihet në të gjithë vendin.
Gjatë raportimit të Komisionin parlamentar të Veprimtarive Prodhuese, administratori, Adrian Çela tha se niveli i faturës në 2 muaj do të jetë në bazë të mesatares disavjeçare, ndërsa fatura e tretë do të jetë sistemuese.
Leximi 3-mujor i matësve pritet të ulë kostot për kompaninë e shpërndarjes, por nga ana tjetër do të kërkojë reduktim të personelit. Aktualisht OSHEE nuk e ka përcaktuar rajonin se ku do të pilotohet skema e re, po Çela thotë se synimi është që ajo të jetë gjithëpërfshirëse me gjithë llojet e problematikave.
Aplikimi i sistemit të ri të leximit do të kërkojë edhe ndryshimin e rreth 650 mijë matësve induktivë, të cilët klasifikohen nga OSHEE si lehtësisht të manipulueshëm.
Lajmi për projektin e ri të OSHEE-së u bë i ditur nga kreu i këtij institucioni Ardian Ccela në Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, gjatë seancës dëgjimore me përfaqësues të Ministrisë së Energjisë dhe Infrastrukturës, ERE, KESH, OST, OSHEE, AKBN, për problematikat e hasura gjatë shqyrtimit të raportit vjetor të ERRE 2018.
Të ftuar ishin Ilir Bejtja, Zëvendësministër MEI, Enea Karakaçi drejtor juridik në MEI, Adrian Cela, Administrator i OSHEE, Petraq Lika drejtor, Benet Beci Administrator I KESH, Besjan Kadiu drejtor i Departamentit Juridik në KESH, Sokol Dishnica shef kabineti në OST, Ylli Demiri këshilltar, z. Ilir Belba, drejtor në AKBN, z. Petrit Ahmeti Kryetar ERE etj.
Kryetari i komisionit Niko Peleshi në fillim të mbledhjes përmendi disa nga problematikat kryesore të cilat u bënë për këtë seancë dëgjimore. “Një nga çështjet që u shtrua për diskutim EDHE sot ka lidhje me bashkëpunimin me OSHEE dhe institucionet përgjegjëse, për marrjen e masave për zgjidhjen e problemit të porosisë së kabinave elektrike, pasi siç rezultonte dhe në raport 51.3% e tyre nuk janë në pronësi të OSHEE-së.”, theksoi ndër të tjera z. Peleshi.
Relatori, Arben Pëllumbi gjatë fjalës së tij u shpreh se gjatë shqyrtimit të raportit të ERE u vu në dukje puna e madhe dhe arritjet që janë bërë në sektorin e energjisë nga të gjithë faktorët dhe operatorët e këtij sistemi, në lidhje me uljen drastike të humbjeve.
“Gjatë shqyrtimit të këtij raporti, dhe meqenëse jemi në përgatitjen e rezolutës për tja paraqitur seancës plenare, na dolën disa problematika që menduam t’i diskutojmë bashkërisht për të parë mundësinë që ne si anëtarë komisioni të japim kontributin tonë në përshpejtimin dhe zgjidhjen sa më të shpejtë të këtyre problematikave.”,- vazhdoi më tej, Pëllumbi.
Mbledhja vazhdoi me dëgjesën mbi problematikat e hasura me të ftuarit dhe përfaqësuesit e institucioneve që ishin të pranishëm, si edhe me komentet, pyetjet e përgjigjet nga anëtarët e komisionit.