Në Maqedoninë e Veriut sot do të zhvillohet balotazhi për zgjedhjen e presidentit të vendit ku në garë janë kandidati i LSDM dhe partive të koalicionit, Stevo Pendarovski dhe kandidatja e VMRO-DPMNE-së, Gordana Siljanovska- Davkova.
Të drejtë vote do të kenë 1.808.131 votues, të cilët do të votojnë në 3480 vendvotime në 80 komuna, të cilat do të hapen nga ora 7.00 e mëngjesit dhe do të mbyllen në mbrëmje në orën 19.00.
President do të zgjidhet ai kandidat që do të fitojë shumicën e votave, me kushtin që në votime të dalin mbi 40% e trupit votues apo 723.253 votues.
Në raundin e parë jehona e votuesve ishte 41,8%. Në rast se nuk arrihet censusi, atëherë sipas Kushtetutës do të organizohen zgjedhje të reja presidenciale. Gara në raundin e parë ishte e ngushtë, pasi që Pendarovski fitoi me një epërsi prej vetëm 4.528 vota.
Këto janë zgjedhjet e gjashta presidenciale të vendit dhe të parat me emrin e ri Maqedonia e Veriut.