MENU
klinika

Pasqyrimi

Protesta për të arrestuarit/ Basha: Do i përgjigjemi dhunës, Rama drejt fundit

12.05.2019 - 11:22

Ora 12:45/ Basha mbyll protestën: Junta Kriminale e Ramës ka marrë peng vendin

Kryetari i PD Lulzim Basha iu bashkua protestuesve të opozitës në Drejtorinë e Policisë së Tiranës.

Basha tha se junta kriminale e Ramës ka marrë peng vendin, terrorizon qytetarët, por opozita është e bashkuar dhe nuk thyhet, deri në fitoren e demokracisë.

“Junta kriminale e Edi Ramës e shndërroi Tiranën në fushë-betejë. Mbrëmë u zhvillua beteja më e madhe e opozitës dhe shqiptarëve për liri dhe demokraci. Shqiptarët kërjuan Kushtetutën, shtetin e së drejtës, liritë themelore që iu takojnë.

Tirana mbrëmë u mbush me doza luftarake, me gaz helmues, një akt kriminal ky që mund ta bëjë vetëm një juntë. Rama dhe të tijtë iu përgjigjen me gaz popullit liridashës shqiptar. Por e kanë të kotë.

Opozita dhe shqiptarët nuk ndalen së protestuari deri në arritjen e demokracisë së vërtetë. Rama ka marrë pushtetin me bandat kriminale dhe ka zaptuar çdo institucion, parlamentin, gjykatat, prokurorinë.

Sot kemi parlament të krimit dhe njerëzit që ulen aty janë faqezinj që përfaqësojnë krimin, oligarkët e jo popullin e thjeshtë shqiptar”, deklaroi Basha.

Ora 12:13/ Bashkëshortja e Bashës i bashkohet protestës: Situatë e tmerrshme!

Ndërsa pritet që kreu i PD, Lulzim Basha, t’i bashkohet protestës që po mbahet para Drejtorisë së Policisë në Tiranë ku kërkohet lirimi i të arrestuarve, bashkëshortja e tij Aurela, është para mes qytetarëve.

Në një prononcim për mediat, Aurela nuk ka pranuar të bëjë asnjë koment si bashkëshortja e liderit të PD, por ka thënë se ka dalë si qytetare dhe se situatën e sheh të tmerrshme.

Ajo tha se sa herë që ta thërrasin për protestë, do t’u bashkohet.

“Unë kam dalë si qytetare sot, situatën e shoh të tmerrshme. Sa herë të më thërrasin për protestë, unë do të dal”, u shpreh Aurela.

Ora 11:38/ Paloka: Populli të marrë fatin në dorë ose…

paloka2-konica.al

Ish-deputeti i PD Edi Paloka duke folur për protestën e opozitës, deklaroi se ajo bëhet kundër dhunës policore, ndërsa shton se forcat e policisë kanë arrestuar edhe persona që nuk kanë lidhje me protestën.

“Kjo polici ka arrestuar edhe qytetarë që nuk kanë pasur lidhje me protestën. Janë bërë arrestime të qytetarëve nëpër lokale dhe ky është një skandal. I çmenduri ka urdhëruar arrestimin e qytetarëve të vendit.

Ky tubim i opozitës bëhet kundër dhunës ndaj Sahit Dollapit dhe të gjithë qytetarëve të tjerë. Kjo polici ka keqtrajtuar qytetarët.

Këtu ose qytetarët marrin në dorë fatin e tyre ose Shqipëria rrezikon të kthehen në diktaturë, më keq se më parë, se sot ka në krye një kriminel si Rama.

Përpos disa segmenteve të ndershme të saj, Policia e Shtetit është e inkriminuar, është e njëjta polici që kanabizoi vendin”, deklaroi Paloka.

 

Ashtu siç dhe ishte lajmëruar, opozita ka nisur grumbullimin në ambientet e Drejtorisë së Policisë.

Protestuesit kanë bllokuar hyrjen e Policisë së Tiranës, ndërkohë që dhjetra forca policie ndodhen aty për të mbajtur situatën në kontroll.

Sipas informacioneve, deri tani janë liruar 13 të arrestuar.

Në protestë pritet të marrë pjesë edhe kreu i PD, Lulzim Basha.

Ish-deputeti i PD-së, Ervin Salianji ka deklaruar sot se protestat e opozitës janë demokratike dhe ato nuk kanë qenë në proporcion me dhunë që ushtroi policia një ditë më parë.

Salianji tha në një prononcim për mediat se protestat do të vijnë duke u radikalizuar.

“Të gjithë protestat tona janë demokratike, dhe e djeshme ishte protestë demokratike dhe jo në proporcion me dhunën e ushtruar nga policia. 
Por protestat do të vijnë duke u radikaluzuar sepse nuk mund të lejojmë instalimin e një diktature në vitin 2019”, ka thënë Salianji.

Lajmi për protestën e sotme u bë e ditur pak pas mesnatës së të shtunës nga kreu i demokratëve, Lulzim Basha, menjëherë pas mbledhjes së opozitës mbajtur në orën 00:15.

Protesta po zhvillohet para ambjenteve të drejtorisë së Policisë së Tiranës për lirimin e të arrestuarit.