MENU
klinika

Konferenca e përbashkët

Mogherini: Negociatat të arritshme në qershor, opozita të reflektojë

08.05.2019 - 19:05

Në konferencën e përbashkët për shtyp të kryeministrit Edi Rama me Shefen e Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini u shpreh se objektivi i Shqipërisë për çeljen e negociatave në qershor është i arritshëm, por nuk duhet marrë lehtë.

Më tej Mogherini u shpreh se Reforma në Drejtësi ka bërë hapa para, ndërsa thekosi edhe 3 arritjet e Shqipërisë.

“Keni treguar rezultate konkrete për reformat. Ju përgëzoj për punën që keni bërë. Besoj që ju po kaloni një proces transformimi të Reformës në Drejtësi.

1- Është arritur me reformën, ju keni arritur të keni një reformë që do ishte shembull edhe për disa nga shtetet anëtare të BE. Vettingu ka sjellë rezultate të prekshme. Ne e shohim sa krenarë janë shqiptarët për vettingun. 80% e qytetarëve shqiptarë e mbështesin.

2- Ulja drastike e kultivimit të kanabisit. Po sjell rezultate mbreslënëse.

3- Janë ndërmarrë shumë operacione për shpërbërjen e grupeve kriminale.

Ne duhet të jemi mbështetës ndaj Shqipërisë për të objektivin e saj drejtë BE-së. Është përgjegjësia jonë që ne të njohim punën tuaj dhe të japim vlerësime pozitive. Besoj se çelja e negociatave në qershor është i arritshëm, por nuk duhet ta marrim lehtë. Ti përdorim javët në vijim për të punuar që shtete anëtare të BE-së të njohin punën e tyre. Vazhdoni jepni kontributin tuaj duke komunikuar me miqtë tuaj europianë që të kenë më shumë besim te Shqipëria dhe e ardhmja jonë europiane.”

Mogherini, gjithashtu përcolli mesazhin e BE-së për partitë politike shqiptare dhe rolin e tyre në integrimin europian.

Ajo u shpreh, se partitë politike, duke nënkuptuar opozitën e cila ndodhet jashtë dyerve të parlamentit, nuk duhet t’u kthejnë shpinën rolit të tyre të proceseve demokratike dhe përgjegjësisë që kanë ndaj qytetarëve që e kanë votuar, ndërsa theksoi se partitë duhet ta dëgjojnë këtë mesazh të fortë të BE-së.

“BE e ka përsëritur qëndrimin e vet. Besoj që partitë politike nuk duhet tu kthejnë shpinën rolit të tyre të proceseve demokratike dhe përgjegjësisë që kanë ndaj qytetarëve që e kanë votuar. Qytetarët nuk duhen privuar nga opsionet e ndryshme politike për zgjedhjet e ardhëshme vendore.

Ky është një qëndrim që ne e kemi shprehur ngahera dhe të keni besim që ky është një mesazh i fortë dhe i bashkuar nga të gjitha institucionet e BE-së duke filluar që nga parlamenti dhe të gjitha grupet e partive politike atje. Unë besoj që këtë presin qytetarët shqiptarë. Ata duan që të gjitha palët dhe partitë të mbështesin aspiratën e tyre legjitime. Edhe një herë ju referohem rezultateve të sondazheve që treguan që 88% e qytetarëve shqiptarë kanë një ndjesi pozitive ndaj BE-së. Kjo i ngarkon me përgjegjësi të mëdha të gjithë udhëheqësit në vend, pavarësisht nga ngjyrat e tyre politike. Ky është një mesazh dhe ne duhet ta dëgjojmë këtë mesazh.”

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN