MENU
klinika

Mbyllet protesta

Basha nuk bën pazare/ Rama: Humbe autobuzin e qershorit!

13.05.2019 - 18:45

Ora 22:18/ Rama-Bashës: Autobuzin e këtij qershori e humbe!

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas marshimit të sotëm të opozitës.

Sipas Ramës, marshimet për të rrëzuar qeverinë me kapsolla janë xhiro bosh që nuk nxjerrin askund, ndërsa duket njësoj si me studentët ka kthyer pyetjen “Kur do flasim”

“Marshimet për të rrëzuar qeverinë me kapsolla janë xhiro bosh që nuk nxjerrin askund. Përsëri respekt për Policinë e Shtetit në taksiratin që e ka zënë. Dhe një mesazh për LB: Lëri kapsollat!

Autobuzin e këtij qershori e humbe po mos humb trenin e qershorit 2021!Kur do flasim?”, shkruan Rama.

Ora 21:20/ Basha mbyll protestën: S’ka forcë që na ndalon, nuk ulemi për pazar

Kryedemokrati Lulzim Basha mbylli marshimin protestë prej rreth tre orësh në pesë institucione që sipas opozitës janë të kapura nga krimi.

Përmes një fjalimi nga selia e PD, Lulzim Basha tha se nuk ka forcë që e ndal opozitën nga përpjekjet e saj për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kreu i PD deklaroi gjithashtu se nuk nuk do të ulet për pazar.

“Nuk ka forcë të na ndalojë për zgjedhje të lira dhe të ndershme. S’ka forcë që na ul në pazare. Në një kohë kaq të shkurtër, prej një njoftimi prej 24 orësh, ju marshuat për tre orë në këtë protestë marshim.

Ju jeni më të vendosur, më të vendosur për të sakrifikuar gjithçka për demokracinë. Mesazhi i vendosmërisë absolute me të cilin do të vazhdojmë këtë betejë të vendosur deri në fund për betejën tonë për liri dhe demokraci si gjithë europa. Forca jonë është bashkimi, është pjesëmarrja, është vendosmëria dhe kësaj force nuk i bën dot ballë as Edi Rama dhe as banda e tij e inkriminuar.

Le të vazhdojmë rrugën që kemi nisur, misioni ynë është mision brezash, për të gjithë fëmijët e Shqipërisë”, u shpreh Basha.

Ora 20:57/ Protestuesit e opozitës thyejnë xhamat tek Drejtoria e Policisë

Pas qëndrimit disa minuta tek Ministria e Brendshme, protestuesit kanë shkuar para Drejtorisë Vendore të Policisë së Tiranës në shenjë proteste kundër ndalimit të dhjetëra protestuesve të opozitës.

Situata është tensionuar në këto momente, ku protestuesit kanë hedhur molotov dhe kanë thyer xhama në ambientet e Drejtorisë së Policisë.

Në stacionin e fundit të protestës së sotme, tubimet kanë vijuar me hedhje fishekzjarresh dhe flakadanësh. Mbështettësit e opozitës kanë marrë pllaka nga trotuari dhe kanë goditur vazhdimisht xhamat e Drejtorisë.

Me gjithë reshjet e shiut, protestues nga rrethet dhe kryeqyteti janë vijojnë protestën e thirrur nga opozita që sot ishte në formën e një marshimi.

Ora 20:10/ Marshimi vazhdon te Ministria e Brendshme, protestuesit: Rama ik!

Prej gati dy orësh opozita po proteston kundër qeverisë, në të pestën protestë kombëtare, e cila vjen dy ditë pas asaj të 11 majit, ku pati konfrontime mes protestuesve dhe policisë.

Me gjithë reshjet e shiut, protestues nga rrethet dhe kryeqyteti janë mbledhur para kryeministrisë për protestën e thirrur nga opozita që sot ishte në formën e një marshimi dhe u ndal në disa institucione të Tiranës zyrtare, të cilat janë vënë shpesh nën akuzë nga opozita, si Kryeministria, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, Parlamenti, Ministria e Brendshme dhe në fund Drejtoria e Policisë së Tiranë.

Protestuesit kanë mbërritur tek Ministria e Brendshme, në pikën e parafundit të marshimit të tyre protestë. Basha dhe përfaqësues të tjerë të opozitës ndodhen mes tyre, ndërsa marshimi vijon edhe nën shi. Protestuesit dëgjohen duke thënë gjithë kohës “Rama ik!”.; “Polici e leshit”; “Polici e krimit”.

19:40/ Tymuese e fishekzjarrë, ndizet oborri i Drejtorisë së Policisë

Protestuesit e opozitës kanë nisur marshimin në drejtim të Drejtorisë së Policisë së Shtetit.

Nënkryetari i PD-së, Edi Paloka i kërkoi militantëve që të ndjekin liderin e opozitës, Lulzim Basha. “Të gjithë drejt Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, pastaj do marshojmë tek Parlamenti i krimit, do marshojmë drejt ministrisë së Brendshme dhe më pas në Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Ndiqni kryetarin e opozitës”, tha Paloka.

Pak minuta më përpara, Basha u kërkoi protestuesve që të marshonin drejt 5 institucioneve, ndërsa hodhi akuza të forta ndaj ministrit të Brendshëm, Lleshaj.

Sipërmarrës, të papunë, intelektualë, pensionistë, të gjithë bashkë në një betejë, krah për krah për të çliruar Shqipërinë nga qeveria e krimit. Jemi para selisë së kryeministrit ilegjitim që i ka orët e numëruara dhe do të marshojmë së bashku ne 5 pikat që simbolizojnë institucionet që u ka vjedhur shqiptarëve.

Së pari drejt institucionit të kryeministrit, që nuk nxjerr më ligje, më pas drejt Drejtorisë e Përgjithshme e Policisë, me mesazhin se ne duam një polici të ligjit, jo një polici të krimit. Pas kësaj drejt Parlamentit, me mesazhin tonë të prerë se nuk e njohim Kuvendin e Krimit“-tha Basha.

Ora 19:14/ Basha: Qeveria iu përgjigj thirrjes tonë me dhunë barbare dhe gaz helmues

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në nisjes së fjalës së tij përpara protestuesve të opozitës, tha se qeveria iu përgjigj thirrjes së opozitës për votën e lirë me dhunë dhe gaz helmues.

“Vetëm 48 orë më parë, shqiptarët u bashkuan në një protestë të jashtëzakonshme për të kërkuar një të drejtë të pakështuezueshme, garancinë për lirinë dhe dinjitetin e çdo shqiptari, votën e lirë dhe të ndershme. Qeveria dhe kryeministri ilegjitim iu përgjigj thirrjes tonë me dhunë barbare, me provokime, me rrahje, me gaz helmues.

Përgjigja e vetme e Edi Ramës ishte dhuna. Me dhunë i mori zgjedhjet, ky është kryeministër ilegjitim. Tash, dy vjet Prokuroria ka vetëm një mision; të ndalë hetimin e dosjeve kriminale ku janë kapur kupola e Rilindjes me kupolën e mafies për të blerë votën”, tha Basha.

Basha u shpreh se bashkimin e opozitës nuk e shuan dot dhuna barbare e Edi Ramës.

“Ne jemi sot në këtë marshim-protestë për të thënë qartë; refuzojmë dhunën e qeverisë së ardhur me dhunë. Ne do t’i përgjigjemi me bashkimin e shpirtrave tanë, me fuqinë e pjesëmarrjes, me fuqinë e vendosmërisë dhe shpresës që ka lindur që nuk e shuan dot as shiu i bekuar i Perëndisë dhe as më pak dhuna barbare e Edi Ramës dhe veglave të tij kriminale”, tha ai.

Ora 18:56/ Zbulohet axhenda, ja ku do të marshojë opozita

Zbulohet rruga që do përshkojnë protestuesit e thirrur sot nga opozita në protestën e pestë kombëtare.

Sipas informacioneve, marshimi do të nisë nga sheshi “Skënderbej” e do të përfundojë tek Drejtoria e Policisë së Tiranës.

“Itinerari i marshimit të protestës së thirrur nga opozita nis nga sheshi Skënderbej, më pas Kryeministria, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë- Parlamenti- Ministria e Brendshme- Drejtoria e Policisë Tiranë.

Simbolika e këtij marshimi proteste janë institucionet e kapura nga krimi- Parlamenti dhe Qeveria, si dhe institucionet që janë vegla të dhunës barbare policore mbi qytetarët dhe liritë e të drejta e tyre”, bënë me dije burime nga PD.

Ndërkohë, në selinë e PD janë mbledhur një numër i madh mbështetësish në pritje të kryedemokratit, Lulzim Basha.

Ora 18:45/ Ka nisur protesta e opozitës para Kryeministrisë.

Protestues nga rrethe të ndryshëm kanë nisur të grumbullohen para kryeministrisë për protestën e pestë kombëtare të thirrur sot nga opozita.

Ndërkohë Kryeministria është e rrethuar me gardh metalik dhe ka një numër të madh policësh.

Në protestë janë bashkuar edhe banorët e Unazës së Re.

Protesta e sotme erdhi si vendim në mbylljet të protestës së 11 majit, të shtunën që përfundoi me ndalimin e sekretarit organizativ të PD, Sahit Dollapi.

Gjendet trupi i pajetë i të riut! Në pranga autori

Hodhi nga ura shokun dhe fshehu krimin, policia zbardh vrasjen

“Na mungon propaganda kombëtare në planin ndërkombëtar”

Debati për gjuhën shqipe në RMV, Rama: Nuk është çështje gjykatash, por…

Tre arsyet pse mazhoranca nuk e zbaton vendimin e Gjykatës Kushtetuese

Opinioni i Komisionit të Venecias, gazetarja Lala: Reagimi i Bushkës, për të vënë duart në kokë

Arben Ahmetaj akuzohet se shkaktoi dëm ekonomik 7 miliardë lekë

GJKKO kthen në SPAK dosjen “Buka”!