MENU
klinika

Nga Gjergj Meta

Njeriu i ri komunist si antinjeri dhe shëlbimi i tij

30.05.2019 - 19:12

Regjimi komunist në Shqipëri ka qenë ndër sistemet politike më perverse dhe më çnjerëzore të gjithë lindjes komuniste.

Ende nuk është e perceptuar saktësisht dhe si duhet thellësia e humnerës në të cilën ndërtuesit e atij sistemi e zhytën njeriun shqiptar. Qysh në fillimet e tij zhduku, me anë të elementit injorant e të pashkollë, menjëherë klasën intelektuale ekzistuese, për të ngritur një klasë të re intelektuale, lehtësisht e manipulueshme nga regjimi, intelektualë oborri, thellësisht të kushtëzuar nga ideologjia komuniste, aspak të lirë, madje edhe sot e kësaj dite, nga ajo ideologji dhe shërbëtorë të patundshëm të regjimit, duke i mohuar vetes deri edhe lirinë individuale në shkallën më maksimale.

I njëjti regjim, pasi mbyti mendjen dhe arsyen, duke zhdukur studimin e filozofisë dhe të klasikëve të mendimit, duke i zëvendësuar apo rrudhur në vetëm katër pseudoklasikë (Marksi, Engelsi, Lenini dhe Stalini), por duke lënë jashtë Platonin, Aristotelin, Agustinin, Boecin, Abelardin, Tomë Aquinin, Averroen, Avicenën, Kantin, Duns Skotin, Hegelin, Shopenhauerin, Nicen, Bergson, Husserl, Sartre, Hajdeger, e sa e sa të tjerë, mendoi edhe krijimin e një religjioni të ri duke hequr religjionet e vjetra, zakonet prapanike dhe besimet fetare. Në krye të këtij religjioni qëndronte “mesia i ri”, Udhëheqësi suprem, me “apostujt”, komiteti qendror. Madje na bëri ta lexojmë edhe Prometeun si revolucionar marksist e të gjithë letërsinë klasike greke e latine me sytë e ideologjisë dhe luftës së klasave, duke zvetënuar kështu studimin e saj.

Kështu menjëherë, çka nuk kishte ndodhur në asnjë vend të lindjes, ai regjim prishi objektet e kultit, ndaloi ushtrimin absolut të kultit fetar, deri edhe në fshehtësinë e familjes, duke futur spiunë deri edhe vetë familjarët, dhe arriti deri në absurdin e shpalljes së ateizmit kushtetues, edhe ky një primat që nuk e ka arritur as Koreja e Veriut ende.

E gjithë kjo makinë propagandistike, kapilare deri në fshatrat më të thella, nëpërmjet komisarëve të dritës dhe njerëzve të manipuluar, gjoja në emër të emancipimit dhe të dijes, por kriminale dhe e themeluar tërësisht mbi etjen për pushtet absolut të pak njerëzve, prodhoi një njeri të ri. Një njeri i ri i prodhuar në një nga laboratorët më mendjemanipulues dhe kriminalë të historisë.

Të vetmit që rezistuan disi ishin ato njerëz që bashkuan urtinë e mendjes, me traditën e të parëve dhe një shpirt religjioz të paepur. Disa prej tyre vepruan në fshehtësi të madhe me rrezikun se një ditë do të zbuloheshin, ndërsa të tjerë, më pak të kujdesshëm, përfunduan burgjeve për të mos dalë më të njëjtët njerëz prej atyre burgjeve, por thellësisht të dëmtuar në mendje, shpirt dhe në sjellje.

Njeriu i ri komunist ishte antinjeri, ishte kërcënimi më i madh që iu bë njeriut shqiptar, pasojat e të cilit nuk janë afatshkurtra e mbi të cilat duhet të reflektojmë të gjithë.

E mos të harrojmë se vetë termi “njeri i ri” është term dhe koncept i Dhiatës së re të Biblës marrë nga letrat e shën Palit (Ef 4, 24). Asgjë origjinale pra nën diellin e regjimit komunist.

Edhe ne që kemi qenë të vegjël, apo ata që kanë lindur nga njerëz që kanë jetuar atë regjim, kemi trashëguar në indet tona, në gjenet tona sadopak nga ai njeri i ri-antinjeri. Nuk është naivitet, apo obsesion të merresh me të kaluarën tonë komuniste dhe pasojat e saj. Janë pasoja që i prekim ende me dorë, janë ende të pathara plagët e atij regjimi.

Ai regjim duhet vetëm përbuzur e nuk ka një ndjenjë tjetër ndaj tij. Përbuzja i shkon për shtat asaj ngrehine antinjerëzore, asaj makine vrasës e përçudnuese të njeriut e sidomos të shpirtit të tij. Të rinjve tanë duhet t’u mësojmë përbuzjen për atë regjim kriminal, ashtu sikurse për çdo regjim tjetër kriminal, sikurse ishte fashizmi apo nazizmi. Neve na takoi ky regjim e ne atë duhet të përbuzim.

Regjimin ama, por jo njerëzit. Askënd nuk mund dhe as nuk duhet të përbuzim. Nëse ai regjim kishte “komisarë” përbuzës nuk duhet të ndodhë e njëjta gjë sot me ne. Mbetet në kujtesën time tregimi i Atë Anton Lulit që takoi në rrugë, pas shembjes së regjimit, në Tiranë prokurorin e famshëm që e kishte dënuar dhe e përqafoi. Ky është krishterimi pjesë e të cilit jam, ky është Krishti, kjo është kredoja ime. Njerëzit nuk përbuzen, ideologjitë dhe regjimet po. Regjimet diktatoriale dënohen, përbuzen, ndërsa marrëdhëniet njerëzore duhet të shërohen, sepse kështu u lëmë brezave një shoqëri më të mirë e të paqtë.

Ne nuk mund të bëjmë sikurse bëri regjimi komunist që përbuzi jo vetëm ata që mendonin ndryshe apo kundër regjimit, por përbuzi edhe gratë e fëmijët e tyre, madje edhe duke e ditur që, pikërisht falë atyre zakoneve prapanike, gratë e fëmijët nuk kishin tagër të ndikonin zgjedhjet e vendimet e zotit të shtëpisë, pra ishin të pafajshëm.

Madje ai regjim përbuzi e trajtoi si armik edhe fetuset e palindura vetëm se ndodheshin në barkun e gruas së një të arratisuri apo armiku të regjimit. Nëse ideologjitë abortiste nuk e quajnë njeri një fëmijë të palindur dhe i japin të drejtën vetes ta vrasin, regjimi komunist e etiketonte armik një fetus apo një zigotë vetëm sepse ishte ngjizur nga dy armiq të komunizmit. Kampi i Tepelenës ishte pikërisht fytyra më e zvetënuar e regjimit, sepse u mor me gra e fëmijë, madje edhe me të sapolindur apo të palindur ende.

Ne sot nuk mund të bëjmë kështu assesi. Ne duhet të punojnë për një shoqëri të pajtuar në relacionet njerëzore e në të njëjtën kohë të ndarë përfundimisht nga e keqja që solli komunizmi në Shqipëri, për të mos e përsëritur më kurrë.

Këto mendime më erdhën duke ndjekur polemikat e fundit rreth raportit tonë me të kaluarën komuniste.

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit