MENU
klinika

Pesë anarkitë dhe Shqipëria

Noli do ta fshikullonte ende realitetin

10.05.2019 - 12:35

Kanë të drejtë dhe ata që qeshin dhe ata që zemërohen. Se puna është për të qeshur dhe për të qarë. Po atyre që zemërohen do t’u përmend fjalët që i tha Ali Pasha Pukëvilit, konsullit frënk në Janinë. Kafazi i këtij kish rrahur një ditë një njeri të Ali Pashës, i cili pa humbur kohë vuri njerëzit e tij t’i heqin një dru të shëndoshë atij kafazi. Kur Pukëvili protestoi me zemërim për rrahen e kafazit të tij, Ali Pasha iu përgjigj me këto fjalë: Nuk të shkojnë këto Pukëvil, ai që rreh e rrahin.

Dhe unë po ju thom, kush qesh, qeshet. Dhe kur duroni  Ahmet  Zogu që bën një shaka kolosale dhe groteske mbi kurrizin e Shqipërisë, pse zëmërohi kur ne bëjmë një shaka mbi kurrizin e shakaxhiut? Nemëni leje tani të përshkruaj, me pak fjalë historinë dhe teatrin, ku Ahmet Zogu bëri dhe vazhdon shakanë e tij. Në konfuzion të përgjithshëm dhe i ndihmuar prej lajthimeve fatale të kundërshtarëve të tij, Ahmet Zogu rrëmbeu fuqinë të cilën po e mban në dorë. Kjo s’është gjë e zorshme për të bërë, kur të merret ndër sy që në vendin tonë  mbretëron konfuzioni i pesë  anarkive.

 

 

E pra, anarkia fetare: katër fe  të ndryshme  që s’kanë zënë rrënjë në zemrën e një populli pagan.

E dyta, anarkia sociale: këtu s’ka as klasë bejlerësh, as klasë bujqish, as klasë burxhoazie. Këtu bujku është më bej se beu, beu më bujk se bujku. Kini një shembull të bukur në Partinë Popullore, e cila mbahet sot ne fuqi prej bejlerëve.

E treta, anarkia morale: këtu qeni s’njeh të zotin;këtu karakteret lopësohen, qullosen dhe ndërrojnë forma dita-ditës si në kaleidoskop. Këtu ambiciet jane pa fre e pa kufi. Këtu i padituri i di të gjitha dhe i pazoti është i zoti për të gjitha.

E katërta, anarkia patriotike: këtu brënda në një ditë, si me magji, trathëtori bëhet patriot dhe patrioti trathëtor.  Këtu  shohim përpara syve tanë të kapërdisen si patriot të mëdhenj, ata që kanë luftuar për “harfet” e për  flamurin e babës, që kanë djegur Shqipërinë e Mesme  ose ata që janë puthur me andartët  e i kanë  ndihmuar për të shkretuar anembanë Toskërine; këtu si më thoshte një mik, është më mirë të jetë njeriu trathëtor  e të shikojë interesin e tij e të jetë i sugurt që të nesërmen do të proklamohet patriot i madh.

E pesta, anarkia e idealeve:  këtu idealet e errëta, të shtrembra e të mumifikuara të  të Fanarit e të Buharës përfyten e përleshen në një luftë për vdekje me idealet e gjalla, elegante dhe të ndritshme të Perëndimit; na mungojnë vetëm idealet e antropofagëve. Po për të zënë vendin e ketyre kemi kolltukofagët, krimba të verdhë me kokë të zezë, që rriten me plagët e infektuara të  Shqipërisë në lëngim, këpushë, që mund t’i copëtosh, po jo t’i ç’qitesh nga trupi që kafshojnë e thëthijnë.

Herodoti na tregon se në betejën navale të Salaminës, një athenian kapi një anije persiane me dorën e djathtë e s’e lëshonte gjersa ia prenë; ahere e kapi me dorën e mëngjër; ia prenë edhe këtë; ahere e kapi me dhëmbë dhe s’e lëshoj gjersa i prenë. Sikur të ngjallej Herodoti përsëri do të shikonte që kolltukofakët tanë janë më të fortë se ky trim legjendar i vjetërsisë greke. Që t’i  çqitësh këta tanët nga kolltuku duhet t’u preç jo vetëm duart e kokën, po edhe këmbët e trupin.

Perëndia, i zemëruar që të na mundojë për mëkatet e stërgjyshërve, na ngarkoi me barrën të vemi urdhër e rregull në mes të këtyre pesë anarkive. Hodhëm një sy  mbi problemin e tmerruar që kishim përpara e na u ngjethën mishrat, po s’u trembëm e ju përveshëm punës. Qysh mund të hezitonin e të druheshin? A ka ideal më të lartë se sa të nxjerrësh vendin tënd nga shpella e errësirës, ta shërosh nga plagët shekullore, ta lirosh nga thonjt e nga gërshërët e hydrës së anarkive?

 

 

A ka ideal më bujar se sa të krijosh e të vesh një racë të re, të fortë   të disiplinuar, me fenë e detyrës në zemëer, me diellin e lirisë në ballë e me flamurin e sakrificat për të mirën e përgjithshme në dorë? Ja një punë për një komb ndërtonjës, për nation-buldier, ja një punë për një trim legjendar, ja një punë për një gjysmë perëndi. Po këtë punë gjysmë perëndie dhe tiranie e rrëmbeu dhe e mban me thonjët e tij një shakaxhi i turbullt, i cili mbi të pesë anarkitë që ekzistonin shtoi dy anarki të tjera: anarkinë shtetërorë dhe anarkinë ekonomike dhe financiare.

Shkakaxhiu vazhdon në fuqi, i ndihmuar prej këtyre anarkive dhe i përkrahur prej shokëve parizanë, të cilët s’duan të njohën e të ndreqin lajthimin nistor që bënë kur e vunë në krye të punës. Shakaxhiu, duke parë që shokët mërziten, e ndryshon nga koha në kohë shakanë, e kabineti e partizanët e tij flenë rehat gjersa shohin që shakaja bëhet më e keqe dita me ditën(…)

Kështu u sakrifikuansi në cepin emisare(bouc’s  emissaires) Xhafer Ypi, Hysen Vrioni, Koleka dhe orën e fundit Tatzati! Me ikjen e Kolekës udhët s’u ndreqnë, as u ndërtuan urat.

Me ikjen e Hysen Vrionit nuk u zunë ata që vaditën të dy, Lalët e Vlorës me hinka prej kupe; përkundër, iku Koço Memo-o, i pandehuri për atentatin kuindër jetës së Myfit Beut me katër ruajtës të burgut të Gjirokastrës dhe tani jep dëshmime mi kurris të qeveritarëve  tanë përpara Komosionit Ndërkombëtar të Anqetës në Janinë. Ikja e Tatzatit ngjau dhe është tepër shpejt të themi ç’ndryshime do të sjellë në Ministerin e Luftës. Po s’mundim veç se të çfaqim për nën kolonelin Ministër të ri, të cilin e shohim sot të vijë pranë minotaurit që ka shokët e tij.

 

Mbetet Ministër i Arësimit që t’i lërë mësonjësit të vdesin urie nga mospagesat e rrogës dhe të mbyllë shkollat që janë edhe të hapura. Mbete Ministri i Financave që të lërë pa rrogë e pa bukë nëpunësit, ushtrinë e xhandarmërinë, që t’i shtrojë parlamentit buxhetet klasike të balancuara në kartë e të çkallmuara në realitët dhe që të ruajë arkën e zbrazur të Shtetit mos bjerë brenda ndonjë mi e thyen kokën. Por mbetet Ministri i Financave që të na japë nga koha në kohë shpjegime të gjata e të mërzitura, të cilat bëjnë te dremiten  edhe ata deputetë që kanë mërak të kjartë.

Mbetet edhe Ministri i Punëve të Jashtme për të bërë gafa. Kur arçë herën e funtmë hodha syno nga salla e Komisionit të Administratës në avllinë e parlamentit, dhe pashë që Kopshti i Ministrisë së Punëvë të Jashtme është tharë krejt. Atje më parë lulëzonin qepë kastravecë dhe kunguj; atje pulkat dhe zogat klloçitnin dhe bënin vezë taze, të cilat depozitoheshin me kujdes në dollapet e Ministrisë, ku ruhen arkivat e shtetit. Tani vura re me hidhërim që qepët e kastravecat ishin tharë, dhe ahime! Ishin çdukur dhe kungujt që na kujtonin kohët simpatike të ministrave tanë.

Dhe ku? Në Bukuresht! Dy gafa menjëherë. Se një ministër i Punëve të Jashtme nuk mundt të shkojë vakant në një kryeqytet, ku të japë shkak të përhapen thasheme të ndryshme për misione të fshehta diplomatike. Me të mësuar udhëtimin  e tij, gazetat përhapnë menjëherë që ministry ynë vajti për të kaluar Shqipërinë n’Entasitin e Vogël dhe për të kërkua një mbret për fronin e Shqipërise. Është’ e vërtetë që ministri i përgënjështroi të dyja këto lajme, po puna e tij është të mos epte shkak të përhapeshin këto lajme, se shpesh është gjë inopurtune të vërtetosh e të përgenjështrosh thashetheme.

Pastaj Ministri ynë s’duhej  të kish vajtur në Bukuresht për arsyen për te cilën oborri i Belgradit për të cilën nuk e quajti si persona gratë që të përfaqësonte shtetin tonë ne dasmën e mbretit të Aleksandrit të Serbisë. Detyra e një Ministrit në vakancë është të lehtësohet dhe të çlodhet. Po ministri ynë jipte intervista dhe ja një pjesë e intervistës së tij në gazetën e Bukureshtit Adeverue (E vërteta) date 28 korrik: Ahmet Zogu ka bërë studime në Evropë, di disa gjuhëra të huaja dhe është një njeri me idera përparimtare. Kjo natyrisht është një gënjështër së të gjithë e dimë qe Ahmet Zogu nuk ka bërë aspak studime në  Evropë, e pale studime serioze. Në këtë mes vritet xheneral Telini, turbullohet tërë atmosfera e Ballakanit, çmallen ngatërrime në kufitë  Veriut.

 

 

 

Vermoshi e Shënt Naumi ndodhen në rrezik, po Ministri ynë nuk e prish qetësinë e vakancave me këto gjëra të vogla. Dhe që ardhi, I detyrohet A. Zogut, i cili dërgoi 8 telegrame që ta çqitë nga Bukureshti e ta sjellë këtu në datën e votës së besimit, me që votat e  P.Popullore u pakësuan pas ikje së kryetarittë P.Popullore me shokët. Mbetet e mbetet Ahmet Zogu i rrethuar prej kolltukofagëve dhe i qarkuar në shpellën e tij prej mizërie hafiesh e dallkaukësh; mbete ky shakaxhi që pretendon oksidentalizëm dhe liberalizëm, kur ushqen në idealet më të errëta të orientit; kur shkel liritë e popullit dhe shaktërron arkën e shteti për të arrirë qëllimet e tij personale, ky shakaxhi sot na vjen për votë besimi, për të bërë mbledhjet e asamblesë konstituente, e për të mbaruar shakanë kolosale e groteske që ka nisur mbi kurrizin e këtij shteti të mjerë.

Ne deputetët e opozitës jemi të detyruar ta ndalojmë këtë shaka me çfarëdo mënyre, se kemi frikë që kjo do të jetë  ndofta shakaja e fundme e Shqipërise, pas së cilës do të nisin dhembjet e barkut pa shpresë shërimi.E quajmë të tepërt t’u bëjmë apel ministrave të sotëm për një beau geste(veprim të mirë ) e për dimicien, se zotërinjt e tyre janë të sëmurë, pa shpresë nga kolltukofagia dhe ethet e kësaj sëmundje nuk i lënë të shohin përgjegjësinë e tmerruar  që marrin përpara kombit dhe historisë. Po na mbetet një shpresë dhe kjo varet nga shokët deputëtë të shumicës që janë të bindur të bëjnë një gabim duke përkrahur këtë guvernë, po që s’kane arrirë dhe në pikën që ta njohin e ta ndreqin.Sot është dita e funtme. Sot a kurrë. Kombi e pret prej jush këtë akt patriotizmi dhe urtësie politike.Kombi pret prej jush të bëni detyrën me dorën në zemër për të mirën e Atdheut.Konica.al

 

(Nga fjalimi i mbajtur nga Fan S Noli në parlamentin shqiptar, në vitin 1924)

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit