MENU
klinika

Intervista

Pendarovski për Kosovën: Idetë për kufijtë çojnë drejt konflikteve

11.05.2019 - 22:13

Presidenti i sapozgjedhur i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski deklaroi se ndjen kënaqësi që së shpejti do ta ketë mundësinë të jetë presidenti i parë i shtetit të tij që do ta vizitojë Kosovën.

Pendarovski në një intervistë për RTK, theksoi se, si president i ri i Maqedonisë së Veriut, personalisht do të angazhohet për zhvillimin e mëtejmë të marrëdhënieve me Kosovën, në interes të qytetarëve të të dyja vendeve.

“Më vjen mirë që do të jem presidenti i parë i Maqedonisë së Veriut i cili do të ketë mundësi ta vizitojë Kosovën. Receta për sukses në integrimet evropiane është bashkëpunimi, në radhë të parë me vendet fqinje”, deklaroi Pendarovski, duke paralajmëruar se personalisht do të angazhohet që Maqedonia e Veriut të ketë marrëdhënie të shkëlqyera me Kosovën si edhe me Shqipërinë.

Presidenti i Maqedonisë së Veriut kategorikisht e kundërshtoi mundësinë për ndryshimin e kufijve si zgjidhje për kontestet rajonale, duke theksuar se zgjidhjet e tilla vijnë nga konfliktet.

I pyetur se si i komenton angazhimet e presidentëve të Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiç për korrigjimin e kufijve si zgjidhje për kontestet midis dy shteteve, Pendarovski tha se kjo është ideja më e keqe që e ka dëgjuar deri më tani.

“Ide më të keqe se kjo nuk kam dëgjuar. Të gjithë e dimë se ndryshimi i kufijve, kudo që të ndodh është recetë për konflikt. Sikur të mundej kjo gjë të zgjidhej në tryezë deri më tani do të zgjidhej. Por, kjo ide, sipas informacioneve të cilat i kam, nuk ka mbështetje as tek faktorët vendimmarrës në Evropë dhe në SHBA. Unë me dy duart e mbështes qëndrimin e Bashkimit Evropian i cili angazhohet për zgjidhje të cilën do ta arrijnë Beogradi dhe Prishtina dhe e cila nuk do ta destabilizojë rajonin por do të kontribuojë për stabilitetin e tij”, deklaroi Pendarovski.

Ai premtoi se do të angazhohet edhe për ndërtimin sa më të shpejtë të pjesës së autostradës Prishtinë – Shkup në anën e Maqedonisë dhe shprehu keqardhje që Maqedonia është vonë me përmbylljen e këtij projektit nga ana e vet e kufirit.

“Duhet ta përfundojmë sa më parë pjesën tonë të autostradës. Me keqardhje duhet të them se puna e anës tonë është mjaft vonë në krahasim me atë që e kanë bërë autoritetet kosovare”, deklaroi Pendarovski.

Presidenti i ri i zgjedhur i Maqedonisë së Veriut, pasi mori certifikatën nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, tha se me këto zgjedhje vendi tregoi se mund të veprojë në mënyrë evropiane dhe institucionet duhet të punojnë në mënyrë profesionale.

Për nënshkrimin e ligjeve që nuk janë nënshkruar nga Presidenti aktual Gjorge Ivanov, ai tha se do të konsultohet me ekipin e tij ligjor javën e ardhshme. Ai njoftoi se do të reformojë shërbimet e Inteligjencës nën autoritetin e Presidentit.

Revansh politik, tha ai, nuk do të ketë as në institucionet nën autoritetin e presidentit dhe as në zyrën presidenciale.

Të gjithë ata që kanë punuar në mënyrë profesionale, siç theksoi ai, do të vazhdojnë të punojnë dhe kushdo që ka shkelur ligjin do të mbajë përgjegjësi.

“Për herë të parë që nga vitet ’90, të gjithë pjesëmarrësit në procesin zgjedhor kanë njohur rezultatin e zgjedhjeve. Kjo ndodh pas 25 vjetësh dhe është një rekomandim jashtëzakonisht i mirë për ne si shtet në prag të samitit të qershorit të BE. Pas disa dekadash, shteti ka treguar se mund të sillet në një mënyrë evropiane dhe institucionet të jenë profesionale dhe jo-partiake,” tha Pendarovski.

Ai shtoi se pas dorëzimit të postit së bashku me presidentin aktual Gjorge Ivanov, ai do të takohet me punonjësit, ku do t’u tregojë atyre se nuk kanë asgjë për tu frikësuar.

“Revanshi politik duhet të tejkalohet. Kush e ka shkelur ligjin do të përgjigjet, ai që punon siç duhet, me profesionalizëm, do të mbetet në punë pavarësisht nëse është anëtar i partisë në pushtet, në opozitë apo jo anëtar i ndonjë partie politike,” tha Pendarovski.

Rreth ligjeve të panënshkruara nga Ivanov, Presidenti theksoi se do të përpiqet sa më shpejt që të jetë e mundur, brenda javës së ardhshme për të ngritur ekipin e tij ligjor për shkak se, siç tha ai, nuk dëshiron të nënshkruajë “verbërisht”.

Presidenti maqedonas tha gjithashtu se do të reformojë shërbimet e sigurisë nën juridiksionin e tij, abuzimet e të cilëve shkaktuan krizën e thellë politike në vitin 2015.

“Do të ketë reformin të këtyre shërbimeve sepse segmente të rëndësishme janë ende të pareformuara”, tha Pendarovski kur u pyet se çfarë do të bëhet persona të Shërbimeve të Inteligjencës, të përfshirë në disa ngjarje të pakëndshme.