Këtë të martë, presidenti i vendit Ilir Meta ka pritur në takim një delegacion të stafeve drejtuese të Senatit të Kongresit Amerikan dhe Këshillit të Atlantikut.
Pas përfundimit të këtij takimi janë zbardhur edhe temat që kanë qenë në fokus të takimit.
Përmes një njoftimi të shpërndarë për mediat, kreu i shtetit thotë se me delegacionin e SHBA-së në Tiranë kanë diskutuar mbi tema aktuale, zgjidhjen sa më shpejt të krizës politike dhe rolin që ka Shqipëria në rajon dhe më gjerë si faktor stabiliteti.
“Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta priti sot një delegacion me përfaqësues të stafeve drejtues të Senatit e Kongresit Amerikan, si dhe të Këshillit të Atlantikut me qendër në Uashington DC, të kryesuar nga z.Damon Wilson.
Presidenti Meta njohu delegacionin mbi zhvillimet dhe sfidat në rajon, prioritetet e Shqipërisë në kontekstin e integrimit europian, si edhe me domosdoshmërinë e bashkëpunimit strategjik midis Shqipërisë dhe SHBA.
Zhvillimet e brendshme politike, zgjidhja sa më e shpejtë e krizës aktuale dhe nevoja për reflektim të menjëhershëm, zbatimi e implementimi i reformës në drejtësi mbështetur në shinat kushtetuese, hedhja e hapave të nevojshme drejt integrimit në BE dhe roli i rëndësishëm i Shqipërisë në rajon si faktor kyç për stabilitetin, ishin temat kryesore të diskutimit”, njofton presidenca.