Këto që kanë ndodhur e ndodhin në Shqipëri kohët e fundit, veç të tjerash janë dhe çështje kulture, paaftësi bëshkëjetese kulturore.
Sipas Samuel P. Huntington (Profesor i Harvardit)…Kultura është relative, moraliteti është absolut. Siç e ka treguar Michael Walzeri, kulturat janë “të trasha”; ato përcaktojnë institucionet dhe modelet e sjelljes që i udhëheqin njerëzit në rrugët e drejta në një shoqëri të veçantë.
Mirëpo përtej këtij moraliteti maksimalist, ka dhe një moral minimalist “të hollë”, i cili mëshiron “tiparet e përsëritura të moraliteteve të veçanta…”….Nganjëherë ne ecim së bashku me të tjerët, në shumicën e rasteve ecim vetëm. E megjithatë, një moral minimal “i hollë” rrjedh prej kushteve të përbashkëta njerëzore dhe në të gjitha kulturat ndeshen “dispozita universale” (fq 371).
Cilat duhet të ishin e duhet të jenë vlerat bërthamë të shoqërisë sonë?! Cili do të ishte thelbi i të qenit shqiptar (sipas një x modeli të huaj, përparimtar).
1. Të vihet Kombi përpara bashkësisë dhe shoqëria mbi veten! Sa larg jemi përballë këtij morali absolut!
2. Të mbështetet familja si guri themeltar i shoqërisë, si celula bazë e saj, në të kundërt mbjellim shkatërrim. Sa fort ja kemi tronditur themelet familjes në Shqipëri! E përderisa do të na mungojë morali familjar, kurrësesi s’mund të kërkohet moral shoqëror e shtetëror!
3. Mbështetje dhe përparësi e meritave individuale në shoqëri, kundrejt vlerave të hierarkisë e familjes, që çojnë automatikisht në nepotizëm. Për fat të keq, nepotizmi tek ne ka hedhur rrënjë qysh herët dhe vendin e meritokracisë e zuri (pa e kuptuar) “shkërdhatokracia”, siç e përkufizonte i madhi Dritëro Agolli.
4. Harmonia raciale e fetare, një domosdoshmëri, që shpesh, edhe pse ne i propogandojmë të përsosura, realisht përbrenda mbajnë kundërshti e përbuzje, pra degradim në një shoqëri fallce.
5. Konsensus në vend të kundërvënies, dhunës e urrejtjes. Asnjëherë këto të fundit nuk sjellin lirinë e të gjithëve, aq më tepër lirinë e votës, por vetëm ndërrim rolesh e hakmarrje, thjesht riciklim. Ndërrimit të lëkurës (qimes), ringjalljes së sjelljeve barbare dhe hipokrizisë kulturore në qytetërimin tonë s’duhet t’u krijojmë më terren të ujitur e plehruar!
Modelet e harmonisë së kulturave e bindjeve të ndryshme nuk na mungojnë! Le të na bëhen ato sunduese në jetën e përditëshme, me veten dhe qytetërimet e tjera!