MENU
klinika

Zherar dë Nerval

Poeti i rastësisë

22.05.2019 - 11:58

   Nuk ekziston gjeni pa shije, siç nuk ekziston karakteri pa moralitet.

 

“Ngado që ishin shqiptarët, shiheshin si luftëtarë kryeneçë që nuk e përfillnin vdekjen!”.

 

Zherar dë Nerval ishte emri i penës së poetit francez Zherar Labryni (Gérard Labrunie), eseist dhe përkthyes, njëherazi konsiderohet si një nga poetët më romantikë të Francës. Ai ishte jo vetëm shkrimtar i madh, por edhe adhurues i horizonteve të reja, ishte udhëtari i vetmuar që udhëtoi nëpër Orient dhe të cilit i pëlqente t’i dorëzohej rastësisë. Para se të ishte estetik, pikësëpari ai ishte poetik. Nuk dihet nëse udhëtimi në rastin e Nervalit ishte një arratisje apo një hulumtim në thellësi i gjendjes së brendshme shpirtërore, pasi historia e udhëtimit i kalon caqet e dëshirës për të njohur botën dhe priret gjithnjë ndaj saj që e donte para së gjithash për të “drejtuar jetën e tij si një roman”.

 

 

 

Nervali, një nga poetët më të mëdhenj francezë, jeta e të cilit gëlon nga misteret, sepse pas Zherarit të penës, i quajtur Nerval, fshihej Zherari i matur, i lindur si Labrunie. Lindi më 22 maj 1808 në Paris, temat dhe shqetësimet e romatikut të famshëm do të ndikonin dukshëm tek simbolistët dhe surrealistët. Babai i Nervalit, mjek, u dërgua me shërbim në ushtrinë e Napolonit, nëna i vdiq kur ishte dy vjeç, kështu që u rrit nën kujdesin e të afërmve në fshat, në Mortefontaine në Valois. Kujtimi i fëmijërisë do ta përndiqte si një vizion idilik gjatë gjithë shtegtimit të jetës. Në 1820, shkoi të jetonte me të atin në Paris, u fut në Kolegjin “Charlemagne”, ku takoi edhe poetin Teofil Gotier, me të cilin krijoi një miqësi të qëndrueshme. Në vitin 1828, Nervali përktheu “Faustin” e Gëtes, prej nga mori spunto edhe kompozitori Hektor Berlioz për veprën “Mallkimi i Faustit”.

Gjatë periudhës së krijimtarisë më të madhe, Nerval u shoqërua nga çrregullime të rënda mendore, madje u trajtua të paktën tetë herë. Në një nga veprat e tij më të bukura, në tregimin e shkurtër “Silvi”, shkruar në 1853, përfshirë në “Vajzat e Zjarrit” (1854), ai rikrijon fshatin e fëmijërisë së lumtur. Tek “Aurelia” Nerval përshkruan obsesionin dhe halucinacionet e veta gjatë periudhave të trazimit mendor, kryesisht kujtimi për Xheni Kolon dominon historinë (1853-54). Vitet e vuajtjes dhe ankthit të Nervalit morën fund më 26 janar 1855, kur u gjet i varur në “Rue de la Vieille Lanterne” “Rruga e Fenerit të Vjetër”, Paris.

 

 

 

Nerval e shihte ëndrrën si mjet komunikimi midis botës së përditshme dhe botës së ngjarjeve të mbinatyrshme, si rrjedhojë shkrimet e tij pasqyrojnë vizionet dhe fantazitë që qëndrojnë si kërcënim i kontrollit mbi mendjen e shëndoshë. Kulmin e krijimtarisë e arrinte sa herë kombinonte shijen e hollë me intuitën e pagabueshme për imazhin e duhur, me të cilin do të përshkruante ëndrrat për një parajsë të humbur të bukurisë, plotësimit, pafajësisë dhe rinisë. Melankolia është një sëmundje që na lejon t’i shohim gjërat ashtu siç janë, do shprehej. Zi, revoltë, kërkim i të kuptuarit, këto ishin temat që ndikuan fuqishëm punën poetike dhe formësuan itinerarin letrar të poetit. Poezitë e tij ushtrojnë hipnotizim mbushur me magji, me parfumet e tyre misterioze.

“Një grua që kisha dashur për një kohë të gjatë dhe të cilën do ta quaja Aurelia, ishte e humbur për mua. Pa marrë parasysh rrethanat e kësaj ngjarjeje, që do të kishte një ndikim kaq të madh në jetën time. Gjithkush mund të rrëmojë mes kujtimeve të veta për emocionin më shpirtcopëtues, fshikullimin më të tmerrshëm që merr shpirti nga fati; pikërisht atëherë duhet të vendosim të vdesim ose të jetojmë: Unë do t’ua them më vonë pse nuk kam zgjedhur vdekjen”.

Ndryshe nga narratori, Nervali e zgjodhi vdekjen një ditë janari, duke e lënë “Aurelian” e papërfunduar, tregim i cili nuk e veçon ëndrrën dhe jetën, përkundrazi i bashkon ato, pohon kërkimin për unitetin e humbur nga një “Unë” që rrëfen dhe tregon përvojën që ai synon të kapërcejë në një harmoni të re. Nerval gjithnjë eksploron me pasion “tjetërkund” në hapësirë dhe në kohë.

 

Njolla e zezë

Kushdo që ngultas diellin me sy ka vështruar

I duket se ka parë si fluturon me ngulm

Përreth tij, në ajër, një njollë e irnuar.

 

Kështu dhe unë, i ri, edhe më guximtar,

Një çast mbi lavdinë guxova sytë t’i ngul:

Një njollë e zezë m’i ngeli shikimit lakmitar.

 

Qysh aherë, mbi gjithçka, si shenjë ogurzezë,

Në çdo vend ku syri më ndalet ndonjëherë,

E shoh të qëndrojë dhe ajo, njollë e zezë!

 

Pa reshtur mes meje dhe lumturisë! Përherë?

Oh! vetëm shqiponja – o kob, kobi ynë!

Sodit e pandëshkuar Diellin dhe Lavdinë.

 

“Çdo lule është një shpirt që shpërthen në natyrë”.

 

“Dashuria – më e shijshmja, më e rralla gjellë në botë. Duel pa gjak. Hare e gëzim më lart ngrihet se çdo art”./Konica.al

 

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit