Gjatë ditës së djeshme është arrestuar një 36-vjeçar, i cili ndodhej prej 7 muajsh në kërkim si anëtar i grupit të “Avdylajve”.
Marjo Zeqiri, ndryshe njihet si “Edinjo”, është arrestuar nga Policia e Durrësit.
Ai ishte prej 7 muajsh në kërkim nga Prokuroria për Krimet e Rënda në Tiranë.
“Edinjo”, u vu në pranga në Durrës në kuadër të operacionit “Vol-Vo 4” që ka nisur që në tetor të vitit të kaluar.
Me arrestimin e Zeqirit shkon në 45 numri i të arrestuarve, pjesë e operacionit “Vol-Vo 4”.
Dosja hetimore te Krimet e Rënda në Tiranë përfshin akuza për trafik droge të drejtuar nga grupi i Shijakut, korrupsionin e zyrtarëve që solli arrestimin e ish-drejtorit të Burgjeve Arben Çuko, por edhe abuzimet me pronat që prangosën ish-deputetin tjetër socialist, Arben Ndoka.
Dy ish-deputetët socialistë u liruan më pas dhe aktualisht janë në arrest shtëpie, ndërsa persona të tjerë ndodhen në kërkim.