MENU
klinika

AKU gjobit rrjetin e marketeve

Produktet jashtë afatit të përdorimit

16.05.2019 - 20:26

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka kontrolluar dje një rrjet marketesh ku janë gjetur produkete jashtë afatit të përdorimit në rafte për tregëtim.

Gjatë kontrollit të ushtruar në një subjekt të licencuar për tregtimin e produkteve ushqimore, pjesë e një rrjeti të njohur marketesh në vend, inspektorët e Drejtorisë Rajonale të AKU, Qarku Tiranë, konstatuan se subjekti nuk dispononte licencën përkatëse për kategorinë e aktivitetit, si dhe vendin ku e ushtron atë, kishte mangësi në etiketimet e produkteve dhe nuk dispononte një sistem funksional gjurmueshmërie.

Gjithashtu, inspektorët konstatuan se disa produkte si sallam, proshutë dhe salmon tregtoheshin jashtë afatit të përdorimit.

Në përfundim të kontrollit zyrtar, ndaj subjektit u morën këto masa:

1. Masë administrative “Gjobë” me vlerë 300,000 lekë për nxjerrje në treg të ushqimeve përtej afatit të përdorimit,
2. Masë administrative “Gjobë” me vlerë 200,000 lekë për mungesë të sistemit të gjurmueshmërisë,
3. Masë administrative “Gjobë” me vlerë 1,000,000 lekë për mungesë të licencimit për kategorinë II.1.B (licenca për veprimtaritë me kodin II.1.B kërkohet për çdo vend të ushtrimit të veprimtarisë së shitjes dhe ka të bëje me kritere të posaçme si: përshtatshmëria e pajisjeve, teknologjisë dhe mjediseve me standardet e shërbimit).

Ndërkohë është marrë masa administrative “Bllokim”për produktet të cilat ishin jashtë afatit të përdorimit, së bashku me detyrimin e subjektit për asgjesimin e tyre sipas procedurës të përcaktuar nga ligji dhe njoftimin e AKU-së për të siguruar prezencën e inspektorëve të saj në procesin e asgjësimit.