Ish-deputeti i PD, Klevi Balliu, ka dalë para Gjykatës së Tiranës, për t’u njohur me masën e sigurisë.
Ai u arrestua dy ditë më parë gjatë protestës së banorëve të “Astirit”së bashku me tre të tjerë, pasi tentuan t’i bllokojnë rrugën eskortës së kryeministrit Edi Rama.
Gjatë protestës pati përplasje mes protestuesve dhe policisë.
Prokuroria ka kërkuar “arrest shtëpie” për Balliun, ndërsa avokati mbrojtës, Genc Gjokutaj, kërkoi shpalljen të paligjshëm të arrestimit dhe lirimin e menjëhershëm të klientit të tij. Ndërsa “arrest me burg” prokuroria ka kërkuar për tre banorë të “Unazës së Re”
Klevis Balliu akuzohet për veprat penale “kundërshtim me dhunë ndaj punonjësve të policisë”, “prishje e qetësisë publike” dhe “pengim i qarkullimit të mjeteve të transportit”.
Ish-ligjvënësi demokrat ka mohuar akuzat në adresë të tij, ndërsa ka deklaruar se gjyqi ndaj tij është politik dhe i urdhëruar nga Edi Rama. “Kjo është Polici dhe Prokurori si në kohën e Enver Hoxhës. Ky është gjyq politik i Edi Ramës”, tha Balliu nga kafazi i Gjykatës së Tiranës.