MENU
klinika

Bilanci

Surprizon opozita, protesta mbyllet pa incidente

25.05.2019 - 18:35

Ora 22:15/ Një protestë tjetër brenda Majit? Zbulohet data

Vetëm pak minuta pas mbylljes së protestës së gjashtë kombëtare, nga Partia Demokratike ka ardhur dhe konfirmimi për protestën e ardhshme.

Bëhet me dije se protesta e ardhshme e opozitës do të jetë pas 6 ditësh, më 31 maj.

Pas mbylljes së protestës së opozitës, Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha kërkoi një mbledhje me ish-deputetët demokratë me qëllim falenderimin e tyre për punën me strukturat dhe pjesëmarrjen në protestat e opozitës.

Në mbyllje të protestës Basha, iu drejtua mbështetësve të tij nga selia blu.

Ai tha se e sotmja ishte protesta më masive popullore në 29 vite dhe se Europa e ka dëgjuar tashmë zërin e tyre.

Por kreu i opozitës nuk ka hequr dorë nga kërkesat, pasi ai theksoi se është koha për zgjidhje politike, largimi i kryeministrit, qeveri tranzitore zgjedhje të lira.

Ora 21:57/ I jep fund protestës, Basha mbledh ish-deputetët në tavolinë

Pas mbylljes së protestës së opozitës, Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka kërkuar një mbledhje me ish-deputetët demokratë.

Mësohet se Basha ka ndërmarrë këtë veprim për të falënderuar ish-deputetët për punën e tyre me strukturat dhe pjesëmarrjen në protestat e opozitës.

Në mbyllje të protestës Basha, iu drejtua mbështetësve të tij nga selia blu.

Ai tha se e sotmja ishte protesta më masive popullore në 29 vite dhe se Europa e ka dëgjuar tashmë zërin e tyre.

Por kreu i opozitës nuk ka hequr dorë nga kërkesat, pasi ai theksoi se është koha për zgjidhje politike, largimi i kryeministrit, qeveri tranzitore zgjedhje të lira.

Ora 21:41/ “Bulevardi plot, protesta paqësore”/ Çfarë shkruan gazetari britanik?

Protestat e shumta të opozitës kanë ngjallur edhe interesimin e mediave ndërkombëtare.

Në protestën e sotme përpara Kryeministrisë, po merr pjesë edhe gazetari i njohur ndërkombëtar, Tim Judah, i njohur për artikujt e tij në media të rëndësishme botërore.

Midis të tjerash, ai shkruan se “Bulevardi është plot. Deri tani gjithçka është paqësore”.

Ora 21:30/ Përfundon protesta, Basha: Evropa e dëgjoi zërin tonë!

Rreth 2 orë pas nisjes së protestë së gjashtë kombëtare të opozitës së bashkuar kryedemokrati Lulzim Basha, iu drejtua mbështetësve të tij nga selia blu.

Basha tha se e sotmja ishte protesta më masive popullore në 29 vite dhe se Europa e ka dëgjuar tashmë zërin e tyre.

Për kreun e opozitës, tashmë është koha për zgjidhje politike, largimi i kryeministrit, qeveri tranzitore zgjedhje të lira.

“E duam Shqiperine si gjithë Europa. Me këtë thirrje kemi nisur qëndrimin tonë më 16 shkurt, që kulmoi sot në pjesëmarrjen më masive popullore, në 29 vite. Mesazhi më i qartë i shpresë që ka nisur e nuk do të fiket deri sa beteja ndaj të keqes të fitohet plotësisht.

Cdo ditë e më shumë bashkimi bëhet më i vendosur, mesazhi i sotëm është i qartë e i prerë, ndaj miqve aleatëve se jemi gati të sakrifikojmë gjithçka për votën e lirë, jemi popull i Europës e nuk do pranojmë kurrë despotizmin antieuropian të një grupi bandidësh e kriminelësh që kanë bllokuar rrugëtimin drejt europës.

Sot japim këtë mesazh të qartë e të vendosur, Europa e dëgjoi zërin tonë dhe tani është koha për zgjidhje politike, largimin e ramës qeveri tranzitore zgjedhje të lira, e vetmja rrugë për të hapur dyert e mbyllura të Europës” u shpreh Basha.

Nën vargjet e Himnit kombëtar është mbyllur kështu edhe protesta e ditës së sotme më 25 Maj nga opozita e bashkuar.

Ora 21:23/ “Thyhet heshtja”, shpërthejnë vatrat e zjarrit, hidhen sende drejt Kuvendit

Ashtu sikurse herë të tjera, edhe në protestën e sotme të opozitës, situata para Parlamentit po përkeqësohet.

Dy vatra të vogla zjarri kanë shpërthyer aty nga ndezja e pankartave, ndërsa disa protestues kanë hedhur sende të forta në drejtim të forcave të rendit.

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi ka ndërhyrë duke kërkuar nga protestuesit që të mos hedhin gurë drejt policëve.

Ora 21:14/ “Protesta më e fuqishme”, Berisha: Nuk mund t’ua rrëmbesh pluralizmin!

Ish-kryeministri Sali Berisha, i kërkoi kreut të qeverisë Edi Rama që të tërhiqet dhe të mos mendojë se mund t’ua rrëmbej shqiptarëve pluralizmin.

“Kryengritësit guximtar me qindra mijëra si asnjëherë në histori, realizuan protestën më të fuqishme që ka realizuar vendi.

Me këtë rast, dua t’i them monstrës, Edvin Kristaq Xhelati, mos mendo për një të mijtën e sekondës se mund t’ua rrëmbesh këtyre burrave dhe grave pluralizmin. Kur të rrëmbesh jetët e tyre, mund tua rrëmbesh pluralizmin. Po rikthehet në origjinën e etërve të tyre xhelatë.

Lexo mesazhin e tyre. Protesta e tyre është për liri. Dije mirë se 300 pashë nën tokë po u fute do të grehin si mi për të dhënë llogari”, tha Berisha.

Ora 21:05/ Protesta zhvendoset tek Kuvendi, FNSH dhe një autobot në gatishmëri

Ndërsa protestuesit i janë drejtuar parlamentit për të vijuar protestën e tyre, edhe policia ka marrë masa.

Mësohet se policia, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë si dhe një autobot janë në gatishmëri tek parlamenti.

Perimetri i sigurisë është me gardh metalik.

Ndërkohë një pjesë e protestuesve janë afruar tek gardhi i policëve të vendosur në fund të oborrit të parlamentit.

Ora 20:46/ Opozita “bën kthesë”, heq dorë nga dhuna, tërhiqen drejt Kuvendit

Ora 20:36/ “Asnjë tiranas në miting?”/ Braçe ironizon protestën: Ja ku janë qytetarët!

Zëvendëskryeministri, Erion Braçe ka publikuar disa foto të Parkut të Liqenit në kryeqytet, ku sipas tij janë grumbulluar të gjithë qytetarët e Tiranës dhe jo në mitingun e opozitës.

Sipas Braçes nëse nuk shikoni asnjë “tiranas” në miting, ata sipas tij kanë zgjedhur Parkun e Liqenit.

“LIVE: TIRANA ZGJEDH #PARKUNELIQENIT!

Nuk shihni tiranas ne miting? JA KU ESHTE POPULLI I TIRANES!”, shkruan Braçe.

Ora 20:28/ Basha: Po shkojmë drejt një përplasjeje civile të pashmangshme!

Kreu i PD, Lulzim Basha po mban fjalim në protestën e opozitës.

“E paprecedentë, në këtë bashkim historik zemrash dhe mendjesh, në këtë garanci kombëtare për fitoren e betejës tonë për shqipërinë si gjithë Evropa

Janë bashkuar zemrat dhe mendjet e shqiptarëve, sonte shoh në sytë tuaj, dëgjoj me zërin tuaj unë dhe gjithë Shqipëria, Evropa dhe gjithë Bota shpresën e një kombi të ngritur në këmbë për të mos u ulur kurrë.

Është mbushur ky shesh me kurajo, me vendosmëri me një mesazh të vendosur. Të dëgjojë gjithë bota: Rama Ik

Ky është mesazhi i sotëm, tre muaj qëndresë, bashkim. Ky është mesazhi i qytetarëve të bashkuar, përtej dallimeve partiake, krahinore, të gjithë bashkë për të larguar shkaktarin e krizës së thellë. Njeriun që për pushtetin e tij futi krimin në Parlament, njeriun që për pushtetin e tij asgjesoi Gjykatën Kushtetuese dhe të Lartë, kapi drejtësinë. Rama Ik!

Njeriu që vodhi taksat e popullit dhe ia dha një grushti kriminelësh duke iu hequr bukën fëmijëve tanë, duke shpunësuar qindra e mijëra, duke i përzënë nga shtëpia si një kriminel ndaj popullit të vet. Rama ik!

Ky mesazh buron kudo. Ky mesazh është mesazh i çlirimit të qeverisë nga krimi, mesazhi i çlirimit të ekonomisë është mesazhi i shkëputjes së Shqipërisë nga një grusht horash që na kanë marrë peng të ardhmen tonë. Rama ik!

Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët. Vëllezër dhe motra, zëri juaj kumboi fortë në këto 3 muaj të bashkuar. Ai mundi propagndërn e shëmtuar të Ramës, ndali përpjekjën mafioze për ti fshehur realitetin e Shqipërisë, syve të botës dhe kjo vetëm falë pjesëmarrjes suaj. Për hërë të parë që nga nisja e kësaj beteje zëri juaj po dëgjohet dhe nuk do të ketë asnjë fund tëjteër përvec largimit të qeverisë së krimit.

Mjerë ai që nuk ka veshë dhe nuk dëgjon. E dëgjoi e gjithë Shqipëria e bota. Zgjedhje demokratike pa opozitën nuk ka, nuk do të ketë, Rama ik. Në një javë Europa tregoi standardin e saj të vëretët. Nga Londra tek Viena, politikanët dhanë dorëhejen dhe i rikthyen sovranit atë që i takon sovranit. Sot në vendin tonë, për akoma pak kohë zotër ndihen plitikanët e lidhur me krimin. Një grup njerëzish që i janë sulur pasurive tuaja. Ata ndjehen zotër dhe e shohin popullin si shërbëtor.

Rama sakrifikoi gjithçka tuajën për një qëllim, pushtetin e tij. Për këto arsye kërkon ta çojë vendin drejtë një përplasje të pashmangshme civile. Artur Bushi, Tërmet Peçi nëse drejtësia nuk do të ishte e kapur, do ti dënonte dhe hetonte. Në dosjen e 184 Pjerin Ndreu, Sako, Imeraj janë pjesëmarrës në skemën e shitblerjes së votave. Për pushtetin e tij, pasurinë e tij, Rama jo vetëm i ka mbrojtur hajdutët, por do ti gradojë në 30 qershor, bashkë më bashkëpunëtorët e tij. Kjo është alternativa e Edi Ramës dhe më fton mua dhe ne të kapitullojmë. Jepjani përgjigjën:Rama ik. Ta dëgjojë në Surrel dhe në cdo bunker ku futet.

Mirënjohje kam sot për kurajon tuaj. Ne jemi popull i Europës dhe ne jemi njerëz që besojë të vlera dhe dinjiteti i njeriut. Ne bësojmë tek atdheu, demokracia, liria, ndaj kjo betejë sot bëhet për Shqipërinë dhe Europën. Në orën vendimtare ku qytetarët e Europës i dejtohen kutive të votimit le ti shtrijnë sytë në këtë shesh dhe të shohin se beteja po shkon drejt fitores. Dua të shpreh mirënjohje për miqtë përëndimorë që kanë folur në një zë dhe kanë kërkuar ti jepet fund zgjdhjeve kriminale. Zgjidhja politike kalon vetëm përmes largimit të shkaktarit dhe përdhunuesit serial të zgjdhjeve. Mesazhi ynë Rama ik.”

Ora 20:16/ “S’ka zgjedhje pa opozitën”, Basha: Mesazhi nga populli “Rama ik”

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha tha se aspirata që ka mbledhur shqiptarët në kauzën e tyre është Shqipëria si gjithë Europa.

Para mijëra protestuesve, Basha tha se ky bashkim është garanci kombëtare për fitoren e betejës.

“Mirë se keni ardhur në këtë miting madhështor. Në këtë bashkim historik zemrash dhe mendjesh, në këtë garanci kombëtare për fitoren e betejës sonë për shqipërinë si gjithë Europa.
Këtë shesh e ka pushtuar si asnjëherë tjetër oqeani i pandalshëm i sovranit. janë bashkuar zemrat dhe mendjet e shqiptarëve.

Sonte shoh në sytë tuaj, dëgjoj me zërin tuaj unë dhe gjithë Shqipëria, Europa dhe gjithë bota shohim e dëgjojmë shpresën e një kombi të ngritur më këmbë për të mos u ulur më kurrë. Është mbushur ky shesh me vendosmëri, me një mesazh të prerë ta dëgjojë gjithë bota ‘Rama ik’.

Ky është mesazhi, kjo është aspirata, ky është misioni që i ka mbledhur shqiptarët në këtë bashkim. Për herë të gjashtë në këtë shesh, dhjetëra herë në këto muaj zgjimi kombëtar.

Nuk ka në Europë kryeministër që të kapet duke vjedhur zgjedhjet. Nuk ka në Europë politikan që ta mbushë partinë e tij, gr e tij parlamentar me përdhunues, vrasës e trafikantë e të mos shporret e të shkojë para drejtësisë.
Standardet e Europës, vlerat e Europës do të ishin diktuar me dhjetëra herë.

Sot e deri sa të bëhet realitet dhe shumë shpejt do të bëhet kam një mesazh nga populli Rama ik.
Ky është mesazhi i sovranit, tash tre muaj qëndresë. Ky është mesazhi i sovranit, i qytetarëve të bashkuar përtej dallimeve partiake e krahinore, të gjithë bashkë për të larguar shkaktarin e krizës më të thellë. Njeriun që për pushtetin e tij futi krimin në parlament.

Njeriun që për pushtetin e tij shkatërroi gjykatat, kapi prokurorinë, paralizoi drejtësinë, njeriu që e kthehu Shqipërinë në bazë të krimit të organizuar. njeriut që vodhi taksat e popullit më të varfër dhe ia dha një grushti oligarkësh, grabitqarë, një grushti kriminelësh duke iu hequr bukën e gojës fëmijëve”, deklaroi kreu i PD.

Ora 20:04/ Me thirrjet “Rama ik”, PDIU i bashkohet protestës

Simpatizantë të PDIU kanë marshuar drejt protestës së opozitës para Kryeministrisë.

Simpatizantët dhe kreu i PDIU Shpëtim Idrizi, janë nisur nga selia e partisë.

Ata i janë bashkuar protestës së opozitës.

Me flamuj dhe thirrje “Rama ik” simpatizantët e PDIU kërkpjnë dorëheqjen e Kryeministrit.

Ora 19:56/ Kryemadhi: Dhuna i shton jetën Ramës…, ai e di që ka ikur!

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim ka përsëritur disa herë se protestuesit nuk duhet të bien pre e provokimeve dhe të përdorin dhunë.

Në një prononcim në nisje të protestës, Kryemadhi iu bëri thirrje të distancohen nga dhuna. Ajo tha se dhuna i shton jetën kryeministrit Edi Rama, që sipas saj është i ikur.

Kryemadhi theksoi se goditja më e madhe është qëndresa e qytetarëve.

“Ne sot në atë shesh me ato qindra dhe mijëra shqiptarë protestojnë dhe për ata socialistë që janë të pamundur të vijnë aty, për policët, për administratën publike që ndihet e kërcënuar, mësuesit e mjekët.
Ne jemi sot për të treguar që jemi qytetarë, që jemi të vendosur në rrugën tonë, që jemi më të vendosur se kurrë. Jemi këtu sepse e duam vendin. Ne sot më shumë se kurrë tregojmë që jemi europianë. Dëshira për të qenë anëtarë të BE është shumë më shumë se çdo flamur politik.

Për mua protesta e ka arritur qëllimin e saj. Çdo ditë e më shumë qytetarët shtohen, deklaratat në favor të opozitës shtohen.
Deklaratat qaramane të kryeministrit… Dua të them që të mos vazhdojë të provokojë qytetarët, t’i lërë të protestojnë në mënyrë qytetare dhe të largojë provokatorët. Iu bëj thirrje shqiptarëve të distancohen nga çdo akt dhune sepse viktima nuk është Rama, por shqiptarët, ata që kanë ikur.

Çdo dhunë që bëjmë i japim pikë Edi Ramës. Ai ka ikur, e mori përgjigjen e tij. Ai e di shumë mirë që ka ikur. Ai e di shumë mirë se dhuna i shton jetën atij. Qëndresa e qytetarëve shqiptarë është goditja më e madhe për Edi Ramën. Sot kjo protestë madhështore, entuziaste është çlirim shpirtëror.
Dialogu ynë është një dialog kombëtar. Ka të bëjë me shqiptarët jo individët”, deklaroi kryetarja e LSI.

Ora 19:45/ Protesta vjen me risi, 500 balona “IK” ngrihen në qiell

Opozita ka ardhur në këtë protestë të 25 Majit, me risi duke u prezantuar me një pankartë gjigande

Si dhe rreth 300 anëtarë të Forumit Rinor të Partisë Demokratike mbajnë në krahë një shirit të bardhë në shenjë paqeje.

Ata janë pozicionuar pranë kordonit të policisë për të evituar përplasjes mes protestuesve dhe forcave të policisë dhe dhunës.

Minibalona me mbishkrimin “Ik”, po lëshohen përpara ndërtesës së Kryeministrisë.

Janë rreth 500 mini-balona të tilla që do të lëshohen në ajër.

Ora 19:10/ Detaje të reja, një banderolë gjigande dhe shirita të bardhë

Ka nisur grumbullimi i protestuesve të thirrur nga opozita në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Qytetarë nga njësia 7 në kryeqytet po përshkojnë në këmbë distancën nga “21 dhjetori” tek sheshi Skenderbej.

Me një pankartë gjigande të vendosur para rreshtit të protestuesve dhe thirrje “Rama ik” ata kanë mbushur “Rrugën e Kavajës” për t’iu bashkuar protestuesve të tjerë në Bulevard.

Pak minuta para nisjes së protestës, zbulohen detaje të reja nga skenari i opozitës.

Rreth 300 anëtarë të Forumit Rinor të Partisë Demokratike do të mbajnë në krahë një shirit të bardhë në shenjë paqeje.

Ata do të pozicionohen pra kordonit të policisë për të evituar përplasjes mes protestuesve dhe forcave të policisë dhe dhunës.

Kjo nuk është hera e parë që të rinjtë e FRPD apo protestuesit ndërmarrin një veprim të tillë.

Edhe në protestën e 21 shkurtit, protestues dhe mbështetës të opozitës janë rreshtuar kordon para efektivëve të policisë duke mbajtur në krah një shirit të bardhë në shenjë paqeje.

Ora 18:57/ Shashkat e para/ Nis grumbullimi i protestuesve para Kryeministrisë

Përpara godinës së Kryeministrisë ka nisur grumbullimi i protestuesve të opozitës.

Sot pritet të zhvillohet protesta e gjashtë kombëtare.

Siç i shihni në këto foto, protestuesit mbajnë pankarta si “Rama ik” apo “S’ka zgjedhje pa opozitën”, vuvuzela apo daulle, si dhe nësfond dëgjohen edhe shashkat e para.

Dhjetëra mijëra persona janë nisur nga rrethet për t’u grumbulluar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Ora 18:17/ Zbardhen shifrat, mijëra qytetarë nga rrethet vijnë sot në protestë

Plot 62 450 protestues nga rrethet janë nisur për në Tiranë për të marrë pjesë në protestën e opozitës.

Kjo është shifra që jep Partia Demokratike duke iu referuar të dhënave nga degët e saj në 11 qarqet e vendit përveç Tiranës.

Burime nga PD bëjnë të ditur se “pavarësisht presionit të policisë, ndalimeve të shumta të protestuesve, të gjobave ndaj autobusëve, prania e qytetarëve pritet të jetë madhështore”.

Qarku Shkodër – 9450 qytetarë
Qarku Lezhe – 7300 qytetarë
Qarku Kukës – 3800 qytetarë
Qarku Dibër – 3500 qytetarë
Qarku Durrës – 9800 qytetarë

Qarku Elbasan – 8100 qytetarë
Qarku Berat – 3000 qytetarë
Qarku Fier – 5600 qytetarë
Qarku Vlorë – 5000 qytetarë
Qarku Gjirokastër – 2200 qytetarë
Qarku Korçe – 4700 qytetarë

Ora 18:35/ Protesta kombëtare/ Opozita mbush sërish sot rrugët e Tiranës

Opozita do të mbushë sot sërish Tiranën me mbështetësit e saj për të protestuar kundër kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë.

Kryeministri Edi Rama ka shpejtuar të ftojë kundërshtarin e tij politik në tryezën e dialogut, por lideri i PD-së, Lulzim Basha duket se është i vendosur në kauzën e tij. Në mënyrë të përsëritur shefi i ekzekutivit iu drejtua Bashës me tre letra publike duke i kërkuar dialog pa kushte, pasi siç pohonte mes tjerash kryeministri, koha nuk pret sepse 30 qershori po afron.

Lideri i selisë blu ka mohuar në formë kategorike një dialog në këto kushte, ndërsa ka shtuar se kryefjala e kauzës së opozitës së bashkuar është largimi i kryeministrit Rama dhe krijimi i qeverisë tranzitore.

Sipas Bashës, këto janë dy parakushte që do të ndihmojnë në zgjidhjen e krizës politike, e cila prej kohësh në fakt është shoqëruar me argumente dhe akuza të forta në distancë mes palëve.

Këtë të shtunë opozita ka paralajmëruar protestën me përmasa kombëtare përpara godinës së kryeministrisë në orën 19:00, e cila sipas drejtueseve të partive opozitare, do të jetë protesta më e madhe e organizuar ndonjëherë gjatë historisë së pluralizmit politik në Shqipëri, ku prej nisjes së saj kanë mbetur vetëm pak minuta tashmë.

Dje lideri demokrat nga Mati, teksa i ftoi qytetarët të marrin pjesë në protestë i dërgoi një tjetër mesazh kryeministrit se nuk ka asnjë hap pas në synimet e opozitës, pavarësisht thirrjeve të Ramës përmes letrave për dialog pa kushte.

Por duket se ‘ujërat’ politikë në vend disi janë trazuar pas apelit të koalicionit gjerman CDU/CSU, i cili përmes një deklarate për mediat ftoi partitë në Shqipëri të ulen në dialog dhe të diskutojnë për të gjitha temat, pa përjashtuar edhe mundësinë e shtyrjes së zgjedhjeve të 30 qershori.

Në të njëjtën gjatësi valë u vendos edhe presidenti i Republikës, Ilir Meta, i cili dje dha një mesazh të fortë duke theksuar se është i gatshëm të sakrifikojë edhe mandatin, me qëllim që palët të gjejnë zgjidhje për krizën ku ndodhen aktualisht vendi.

Gjithashtu kreu i shtetit theksoi se do të jetë i hapur të dekretojë një tjetër datë për zgjedhjet lokale, ndërsa iu bëri apel palëve që të jenë më të përgjegjshme dhe të shohin me përparësi interesat kombëtare të vendit.