Ditën e sotme më 25 Maj 2019, opozita e bashkuar ka paralajmëruar protestën e radhës me përmasa kombëtare e cila pritet të nisë brenda pak orëve në 19:00 e do të zgjasë deri në mesnatë sipas lejes së kërkuar në Polici.
Më poshtë gjeni situatën në qarqe, teksa qytetarët nga rrethet e ndryshme nëpër Shqipëri nisen për mbërritjen në 19:00, në Tiranë.
- *Korçë
Dy protestues janë shoqëruar nga policia, ndërsa janë mbajtur të bllokuar dy autobusë. Lajmi bëhet i ditur nga kreu i PD në Korçë Andrea Mano, i cili akuzoi policinë se po ushtron presion mbi protestuesit.
Sipas Manos, dy protestuesit Artur Keci dhe Klement Karafili, ky i fundit ish-polic po mbahen pa asnjë arsye të shoqëruar ndërkohë që policia nuk ka dhënë asnjë sqarim pse u shoqëruan.
Protestuesit janë ndaluar në një postbllok policie në hyrje të qytetit, në autobusin me të cilin po udhëtonin drejt Tiranës.
- *Lezhë
Edhe Lezha i është bashkëngjitur protestës së sotme opozitare kombëtare.
Mësohet se me dhjetëra protestues, qytetarë dhe simpatizantë të opozitës së bashkuar janë nisur nga qarku i Lezhës në drejtim të Tiranës.
- *Gjirokastër
Ish-deputeti i Gjirokastrës Tritan Shehu thotë se presionet dhe përpjekjet për të penguar pjesëmarrjen në protestën e sotme të opozitës kanë dështuar.
Ai ka publikuar foto të protestuesve të nisur nga qarku i Gjirokastrës drejt Tiranës për të marrë pjesë në protestë. Sipas Shehut janë mbi 2200 protestues nga Gjirokastra.
“Mbi 2200 protestues nga Qarku i Gjirokastrës janë në udhëtim aktualisht drejt Tiranës.
Dështuan përpjekjet për të penguar këtë pjesëmarrje masive, dështuan presionet e realizuar nga shteti, dështuan vështirësitë arbitrare të krijuara edhe për lëvizjen e autobusëve.
Siç ishte parashikuar dhe deklaruar Gjirokastra, Tepelena, Memaliaj, Dropulli, Libohova, Këlcyra e Përmeti do të paraqiten në protestën e sotme me një pjesëmarrje masive, më të madhen e deri më sot.
Për këtë pjesëmarrje të lartë si qëndresë e fuqishme kundër varfërisë, papunësisë, autokracisë, arrogancës qeverisëse, me besim të patundur në demokraci, vlerat tona europiane e perëndimore etj, përfitoj nga rasti për të falënderuar jo vetëm ata që janë në udhëtim, por të gjithë mbështetësit tanë, të gjithë banorët e respektuar të atij qarku.
I shpreh mirënjohjen anëtarëve të PD aty, drejtuesve të seksioneve, grup seksione, kryesive të degëve e kryetarëve të tyre”, shkruan Shehu.
- *Fier
Qindra qytetarë nga Fieri, mbështetës të opozitës janë nisur nga Fieri drejt Tiranës për të marrë pjesë në protestën e sotme. Me autobusë dhe mjete private ata do të jenë të pranishëm në protestën e disatë kombëtare të opozitës kundër qeverisë.
Kreu i PD-së Fier, ish-deputeti Luan Baçi tha se kryeministri Edi Rama duhet të japë dorëheqjen.
“Letrat e Ramës janë letra që i bën vetë dhe i lexon vetë dhe askush nuk i kupton. Rama vuan nga dëliri i madhështisë. Nuk arrin të kuptojë që qytetarët shqiptarë janë ngritur kundër tij, kundër delirit të tij, kundër arrogancës dhe prepotencës dhe keqqeverisjes së tij. Rama duhet të jap dorëheqjen. Ne kërkojmë një qeveri tranzitore që do e çojë vendin në zgjedhje të lira dhe të ndershme”, deklaroi Baçi.
Ai akuzoi policinë e Fierit se ka ushtruar presion ndaj qytetarëve fierake dhe protestuesve duke treguar edhe një rast konkret.
- *Berat
Opozita lokale në Berat duket se do ti bashkohet edhe kësaj proteste.
Mësohet se katër autobusë janë vënë në dispozicion të anëtarëve, simpatizantëve por edhe qytetareve, të cilët po nisen drejt Tiranës. Nisja e protestuesve u organizua jashtë mjediseve të selisë blu në këtë qytet.
Dega e PD-së Berat prej ditësh organizoi punën me takime në grup-seksione në të gjitha nivelet, me qëllim organizimin e punës, në mënyrë që protesta të kishte pjesëmarrje sa më të lartë. Pranë mjediseve të PD-së u vu re edhe prezenca e shumë mjeteve të vogla private, të cilat po nisen me protestues të opozitës drejt Tiranës.
Sipas kryetarit të Partisë Demokratike të Beratit Gazmend Azizi, numri i protestuesve demokratë beratas që do t’i bashkohen protestës në Tiranë është rreth 900, ndërkohë që burime nga Selia e LSI-së konfirmojnë se rreth 400 protestues janë nisur drejt Tiranës me mjete të vogla private.
Organizime mësohet se ka pasur me mjete të vogla dhe mikrobusë edhe nga Bashkia Urë Vajgurore.
- *Elbasan
Ashtu sikundër nga çdo qark i Shqipërisë, edhe nga Elbasani janë nisur shumë protestues, që do të marrin pjesë sot në protestën e madhe të opozitës së bashkuar.
Bëhet me dije se autobusë dhe makina janë nisur normalisht nga selia blu në qytetin e Elbasanit.
Mësohet se makinat e mbushur me protestues janë kontrolluar nga policia në Rreth-rrotullimin e Bradasheshit.