Nga Neritan Sejamini
Nëse do të detyrohej të zgjidhte mes alternativës për t’u ulur me Edi Ramën për të diskutuar një qeveri kalimtare e zgjedhje të parakohshme, nga njëra anë, dhe alternativës për të mos negociuar në asnjë rrethanë me Edi Ramën, qoftë edhe me pasojën që zgjedhjet të mbahen më 2021 me Edi Ramën kryeministër, nga ana tjetër, Lulzim Basha duhet të zgjedhë të dytën.
Ideja se Edi Rama Kryeministër është kriminel e vjedhës zgjedhjesh, ndërsa Edi Rama Kryetar i Partisë Socialiste është politikan konstruktiv, që do të heqë dorë nga vjedhja, është iluzion vetëshkatërrues.
Ka një fakt të thjeshtë në situatën e sotme politike: përballja e ardhshme zgjedhore Rama-Basha është “lojë” me shumën zero—njëri do të fitojë gjithçka dhe tjetri do të humbasë gjithçka, me gjasa edhe karrierën aktive politike.
Nëse ulet në tavolinë me Ramën, Basha do t’i dorëzojë atij avantazhin dhe kontrollin e lojës, dhe me gjasa do të dalë ai humbës nga përplasja politike.
Do të jetë një humbje e panevojshme dhe krejtësisht e shmangshme, shkaktuar vetëm nga padurimi dhe ngutja, sepse koha politike është në favor të Bashës dhe jo Ramës.
Koha vetëm do ta rrënojë Edi Ramën dhe mbështetjen për të, edhe sikur qeverisja e tij të mos prodhojë më skandale, gjë që duket e pamundur.
Nga ky rrënim, mundësitë që Rama të fitojë zgjedhjet e vitit 2021 do të ishin të vogla, edhe sikur ai të hynte si Kryeministër në këto zgjedhje.
Mundësia e vetme realiste që Rama të fitojë një mandat të tretë janë, ironikisht, zgjedhjet e parakohshme që kërkon opozita.
Aktualisht, opozita e bashkuar duket se ka më shumë vota se qeveria, por avantazhi i opozitës është ende aq i vogël sa Rama mund ta kapërcejë me manovra strategjike, si krijimi e mbështetja për parti dhe grupime të reja politike, apo përmes manipulimit të votës.
Për këtë arsye, kërkesa e pareshtur e opozitës për zgjedhje të parakohshme është e pakuptimtë nga pikëpamja strategjike.
Kjo kërkesë është e pakuptimtë edhe nga pikëpamja praktike. Përfitimi në kohë nga zgjedhjet e parakohshme, të cilat do të duan të paktën 6-12 muaj të përgatiten, do të jetë vetëm pak muaj përshpejtim nga zgjedhjet e zakonshme të vitit 2021.
Gjithë kjo energji dhe sakrificë e opozitës për të fituar vetëm pak muaj, duke rrezikuar madje ballafaqimin me zgjedhje të parakohshme pa qenë ende e përgatitur për garë, është shpërdorim i panevojshëm.
Ndërkohë, opozita ka shpallur si shpëtim të zgjedhjeve atë që ajo e quan “qeveri kalimtare”—një kabinet ministrash jashtëpartiakë apo ish-politikanësh të moderuar, nga të dyja anët e politikës.
Por një kabinet i tillë nuk do të ketë as pushtetin e nevojshëm politik, as instrumentet e domosdoshme qeverisëse për t’i mbrojtur zgjedhjet nga vjedhja.
Ministrat kalimtarë nuk do ta ndryshojnë dhe as do ta kontrollojnë dot administratën publike prej rreth 155 mijë personash, thuajse të gjithë mbështetës apo miliantë socialistë—shumica e tyre do të vazhdojnë t’i shërbejnë interesave të PS-së. Sikurse u pa më 2017, administrata publike i shpërfill ministrat jopolitikë, duke i izoluar ata vetëm me sekretarët, shoferët e këshilltarët e tyre.
Pa pushtet politik e pa kontroll administrativ, një kabinet ministrash kalimitarë nuk do të ndalojë dot kriminelët të blejnë vota, as oligarkët të financojnë blerjen e votave, as mediat të fshehin vjedhjen e votave dhe as vëzhguesit civilë të mbyllin sytë para vjedhjes së votave.
Ky kabinet nuk mund ta shtyjë as drejtësinë të hetojë e dënojë vjedhjen e votave—Edi Rama tashmë i kontrollon institucionet e administrimit të drejtësisë dhe do t’i kontrollojë ato edhe pasi të lërë pushtetin.
Me pak fjalë, edhe sikur të mund të gjenden ministra të paanshëm, të ndershëm e kurajozë—një mision shumë i vështirë edhe ky—ata nuk do të arrijnë ato që opozita pret prej tyre.
Ndërkohë, edhe sikur Edi Rama të japë dorëheqjen, ai do të vazhdojë të ushtrojë praktiktikisht të gjithë pushtetin politik dhe të ruajë të paprekur infrastrukturën e vjedhjes së votave, të përbërë nga kriminelë, oligarkë, njerëz të medias, punonjës publikë e militantë partiakë.
Madje, qeveria kalimtare do t’i japë Ramës edhe alibi nga përgjegjësia për vjedhjen: “Ia dhashë të gjithë qeverinë Lulit, ky prapë nuk fitoi dot, dhe tani ka filluar të ankohet prapë”.
Nuk po zgjatem këtu për dëmin e rëndë në imazh që do të marrë Basha nga ulja në tavolinë përsëri me Ramën—me njeriun për të cilin ai i ka bindur shqiptarët se është kriminel, njeriun për të cilin u betua se me të nuk do të ulej më kurrë. Fotot e videot e takimit do të jenë një dhuratë perfekte për ekipin e komunikimit të Ramës.
PD-ja duhet të mos i ngatërrojë më dëshirat apo kërkesat e drejta të saj me realitetin. Ajo nuk duhet ta shohë politikën me sytë e militantëve apo ta gjykojë me amatorizmin e atyre që nuk kanë as përvojë dhe as përgjegjësi politike.
PD-ja duhet të pranojë me realizëm se zgjedhjet e ardhshme do të manipulohen—pak gjasa ka të përsëritet masakra e vitit 2017, por manipulimi i tyre në një farë mase është (ende) i pashmangshëm—sepse nuk ka asnjë mjet, asnjë metodë, asnjë mundësi që të arrihet, brenda pak muajsh, të garantohen kushtet për zgjedhje të lira.
Përballë këtij realiteti të hidhur, PD-së i mbetet vetëm një strategji: të kufizojë sa të mundet manipulimin e votës. Kjo arrihet me dy mënyra kryesore: a) duke fituar mbështetje të madhe popullore, dhe b) duke shkurajuar faktorët që mund të ndihmojnë Ramën në vjedhjen e votës.
Ka një kufi se sa vota mund të manipulosh pa u parë dhe zbuluar nga e gjithë bota, veçanërisht nga një botë e vetëdijshme se mund të vjedhësh. Por, nëse opozita arrin të sigurojë ndjeshëm më shumë vota se Rama, ajo do t’i fitojë zgjedhjet pavarësisht manipulimit—mund të hamendësohet se avantazhi 5-7 për qind ndaj Ramës është fasho e sigurtë ndaj çdo manipulimi.
Me fjalë të tjera, opozita duhet të përqafojë strategjinë e “1 milionë votave”, që Rama e arriti në vitin 2013: maksimizimin e mbështetjes popullore. Si pjesë e kësaj strategjie duhet të jetë patjetër përpjekja për të bindur votuesit e prirur për të shitur votën se jeta e tyre do të përmirësohet më shumë nga katër vjet qeverisje të PD-së se sa nga 50 eurot e Edi Ramës.
Strategjia tjetër e opozitës duhet të jetë shkurajimi dhe neutralizimi i instrumenteve ndihmëse të manipulimit. Ka katër grupe kryesore që janë, drejtpërdrejt apo tërthorazi, të rëndësishme për Ramën për vjedhjen e votës: oligarkët dhe bizneset që financojnë Ramën me miliona euro; kriminelët dhe trafikantët që financojnë vjedhjen dhe kërcënojnë e ushtrojnë trysni ndaj votuesve; mediat që propagandojnë dhe mbulojnë provat e vjedhjes; dhe policia dhe punonjësit shtetërorë që ose përfshihen direkt, ose nuk pengojnë vjedhjen.
Të gjithë shkurajohen dhe mund të neutralizohen, nëse krijohet bindja publike se opozita do të fitojë, dhe Ramën nuk ka gjë që e shpëton. Shumica prej tyre nuk do të rrezikonin fatet e tyre për një humbës, ose të paktën do të kamufloheshin në mbështejten e tyre për Ramën duke ulur efikasitetin e kësaj mbështetjeje.
Natyrisht, kjo gjë kërkon që ata të besojnë edhe se, kur të vijë në pushtet, PD-ja do të ketë kurajon të “hakmerret” ndaj këtyre instrumenteve të manipulimit, duke çmontuar pushtetin e padrejtë ekonomik apo shoqëror të tyre. Për ta bërë të besueshëm këtë kërcënim, PD-ja duhet të distancohet e të shkëpusë që tani çdo lidhje me këto instrumente, veçanërisht me oligarkët dhe mediat e kontrolluara nga Rama.
Nëse ata e shikojnë se PD-ja i refuzon që në opozitë, do ta kenë më të lehtë ta kuptojnë atë që i pret kur ajo të vijë në pushtet, pavarësisht sabotimit të tyre.
Të dyja, edhe fitimi i mbështetjes nga populli, edhe krjimi i bindjes në fitore arrihen vetëm në një mënyrë: opozita duhet të propozojë një projekt të vërtetë dhe të sinqertë ndryshimi, duke iu drejtuar të gjithë shqiptarëve dhe jo vetëm militantëve.
PD-ja duhet të kuptojë se, sot, rruga e ndershme, rruga pragmatike dhe rruga e sigurt drejt fitores janë një: përqafimi i aspiratës së shqiptarëve për ndryshim të vërtetë politik, ekonomik dhe shoqëror.
Kjo aspiratë përjashton negociatat me Ramën, të cilat do t’i jepnin atij mundësinë të dukej edhe një herë në sytë e shqiptarëve jo si shkatërruesi i fateve të tyre, por si ai politikani i zoti që i manipulon dhe kontrollon të gjithë dhe të cilit nuk ia hedh dot askush.
Më “e keqja” që mund t’i vijë PD-së nga rruga parimore është ardhja në pushtet në qershor 2021, vetëm dy vjet nga tani.
Rruga e shkurtër që ajo po kërkon me verbëri strategjike vetëm do t’ia shtyjë asaj për shumë vite ardhjen në pushtet./ Marrë nga exit.al