Kryeministri Edi Rama iu ka bërë thirrje të gjithë ambasadorëve të huaj në vendin tonë, kryesisht atij të Bashkimit Evropian, të mos lejojnë përfshirjen e procesit të negociatave në lojën politike.
Kreu i qeverisë ua ka bërë të qartë diplomatëve ndërkombëtarë se e vetmja rrugë e Shqipërisë është Bashkimi Evropian dhe se qeveria shqiptare nuk do të ndalet deri në realizimin e saj.
“Të gjithë ambasadorëve dua t’iu them se për ne nuk ka rrugë tjetër, është e vetmja rrugë, dhe pavarësisht se çfarë ndiejmë ne kur duhet të kalojmë detin me këmbë, për shkak se ka një problem këtu e një problem andej, ajo që dimë është se kjo është e vetmja rrugë dhe do vazhdojmë të këmbëngulim në këtë rrugë.
Ju lutem, bëni atë që mundemi që të mos lejoni që loja me negociatat të kthehet në lojë me zjarrin këtu në vendin tonë. Këtë shqiptarët nuk e meritojnë. Duhet ta nxirrni procesin e negociatave nga loja politike, duke i hapur negociatat dhe duke e bërë të pamundur që njëra palë apo tjetra ta shfrytëzojë”, tha kreu i qeverisë.
Gjithashtu, Rama deklaroi se ndonëse nuk dihet çfarë do të ndodhë në qershor, Shqipëria do të vazhdojë t’i bëjë detyrat e saj drejt rrugës evropiane. Sipas tij, janë të gjitha rrethanat që brenda këtij viti do të hapen negociatat e Shqipërisë me BE.
“KE tha vitin e kaluar se në këtë qershor do të çelen negociatat dhe në dhjetor do të bëhet konferenca e parë, duke vendosur dhe disa detyra të tjera, që janë normale. Ajo që ka shumë rëndësi për ne është se u hap dera që Shqipëria të fillojë procesin. Kushedi çfarë do ndodhë në qershor! E them këtë sepse duhet të presim ditën. Ne do vazhdojmë t’i bëjmë detyrat tona, jo se i kërkon komisioni, por se në fund të gjithë duhet të jenë të kënaqur, por edhe sepse e kërkon e ardhmja e vendit tonë.
Integrimi është një proces që na jep një fuqi njohjeje, dijeje, shtetbërjeje, që nuk na buron nga tradita, sepse tradita nuk është aty për të na mësuar se si bëhet një shtet funksional demokratik dhe për këtë arsye na vjen nga e vetmja rrugë, që është BE. Askush nuk e di këtu se çfarë do të vendoset në qershor, por jam i bindur se ky është viti ku të gjitha rrethanat janë dhe do të jenë aty për të çelur negociatat”, deklaroi Rama.