Gjatë ceremonisë së homazheve në nder të nëntetares Zarife Hasanaj, kryeministri Rama shprehur disa fjalë të ndjera në mesazhin e tij.
Kreu i qeverisë tha se e ka të vështirë të gjejë fjalët duke i shprehur përulësisht ngushëllimet familjes e të afërmve për ‘vajzën e mbështjellë me flamurin e atdheut’.
“Është e vështirë të gjej fjalët për ushtaraken, të ndjerën Zarife Hasanaj, këtu në sytë e prindërve të saj që në vend se me fustanin e nusërisë në pragun e derës, në krahë të dhëndrit po e përcjellin vajzën e tyre mbështjellë me flamurin kombëtar në krah të shokëve të saj të FARSH; në praninë e 2 motrave, vëllait të saj, pranë prindërve e rrethit familjar ndiejnë boshllëkun e pangushëllueshëm; në praninë e shokëve dhe shoqeve të saj lidhur në besën e atij flamuri që na jep nderin dhe emrin shqiptar për të cilin FARSH është betuar të sakrifikojë edhe jetën në mbrojtje të atdheut dhe amanetit që atdheu e ka të shkruar në pëlhurën kuq e zi ku është mbështjellë trupi i dëshmores më të re të Republikës.
Detyra e kërkon që sidoqoftë fjalët të gjenden dhe të thuhen dhe përulësisht i shpreh ngushëllimet më të ndjera si kryeministër i Shqipërisë, si qytetar i kësaj republike dhe si prind e vëlla i prindërve, motrave, vëllait dhe gjithë të afërmve të vajzës e cila tanimë i përket të gjithë atyre që ikën dhe do të vijnë në këtë botë me gjakun dhe emrin shqiptar.
Vajza e mbështjellë me flamurin e atdheut është sot mishërimi tronditës i të vërtetës të besnikërisë ndaj atdheut që e kanë krijuar dhe e krijojnë përditë ne kryerjen e misionit të saj qenien e patjetërsueshme e pazëvendësueshme të Forcave të Armatosur të Republikës”, u shpreh kryeministri.