“Pres që Republika e Turqisë të konfirmojë mbështetjen për Republikën e Maqedonisë së Veriut në rrugën e saj Euro-Atlantike nëpërmjet ratifikimit të Protokollit të Anëtarësimit në NATO”, ishte kjo thirrja e Presidentit së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, drejtuar Turqisë.
Deklarata e tij, u bë në fjalimin që mbajti dje në darkën e iftarit në Universitetin Ndërkombëtar Ballkanik Shkup, organizuar nga Ambasada e Republikës së Turqisë.
Në praninë e Kryetarit të Asamblesë së Madhe Kombëtare të Republikës së Turqisë, Mustafa Shentop, Pendarovski theksoi se që nga fillimi i pavarësisë sonë, Republika e Turqisë ka mbështetur Republikën e Maqedonisë së Veriut në rrugët e saj evropiane dhe euroatlantike.
“Ndonjëherë mund të kemi pasur edhe pikëpamje të ndryshme për disa çështje, por gjithmonë mund të arrish të gjesh zgjidhje më të pranueshme për të dyja palët.
Prandaj, si President pres që miqtë tanë turq ta konfirmojnë këtë mbështetje duke ratifikuar protokollin për anëtarësim të Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO. Sepse anëtarësimi ynë në Aleancë nuk nënkupton vetëm potencialin tonë ushtarak, por edhe vlerat tona të bashkëjetesës dhe të respektit të diversitetit”, tha presidenti Pendarovski.