Prokurorët suedezë vendosën të rihapin hetimet ndaj themeluesit të organizatës “Wikileaks”, Julian Assange, lidhur me akuzat për përdhunim.
Shkak i një lëvizjeje të tillë është bërë, sipas tyre, përsëritja e kërkesës nga avokati mbrojtës i njërës prej viktimave, e cila pretendon se u sulmua seksualisht nga Assange gjatë një vizite në Suedi në vitin 2010.
Ai vet i ka mohuar gjithmonë akuzat, me pretendimin se gjithçka mes tyre ka ndodhur me pëlqimin e të dyja palëve. Assange arriti ta shmangë për 7 vite ekstradimin drejt Suedisë, pasi kërkoi azil në Ambasadën e Ekuadorit në Londër në vitin 2012.
Por, 47-vjeçari u dëbua prej andej muajin e kaluar dhe u dënua me 50 muaj burg për shkeljen e kushteve të dorëzanisë. Aktualisht, ai ndodhet në burgun “Belmarsh” në kryeqytetit britanik.
Australianin e kërkojnë nga ana tjetër edhe Shtetet e Bashkuara, për rolin që dyshohet të ketë pasur në publikimin e materialeve të klasifikuara diplomatike dhe ushtarake 9 vite më parë.
Nxjerrja e tij nga Ambasada e Ekuadorit dhe vendimi për rihapjen e hetimeve, me shumë gjasë tani – siç thotë BBC, – do të shtrojë pyetjen se cila kërkesë ekstradimi ka për të pasur përparësi: ajo e SHBA-ve, apo ajo e Suedisë?