MENU
klinika

Parashikimi

Rritet kredia/ BSH: Rritja ekonomike, 3. 1 % për 2019

16.05.2019 - 19:55

Banka e Shqipërisë parashikon që ekonomia shqiptare të rritet me të njëjtat ritme si tremujori i fundit i vitit 2018, pra 3. 1 %.

Banka e Shqipërisë prezantoi sot raportin e politikës monetare për tremujorin e parë të këtij viti. Sipas ekspertëve të bankës, rritja ekonomike në tremujorin e parë 2019 do të ketë ecuri të ngjashme me tremujorin e katërt 2018, çka do të thotë se ritmet e rritjes do të jene disi më të ngadalta se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Sipas të dhënave të tjera të INSTAT, në tremujorin e fundit 2018, rritja ekonomike ishte 3.1%.

Në raport me tremujorët e mëparshëm, rritja është shumë më e ulët.

Në tremujorin e parë 2018 ekonomia u rrit me 4.42%, në të dytin me 4.32% dhe në të tretin me 4.48%, e nxitur nga prodhimi i energjisë nga reshjet e bollshme. Në raportin e saj Banka vlerëson që mungesa e prodhimit të energjisë dha një efekt të dyfishtë si në rritjen ekonomike dhe në zgjerimin e deficitit tregtar në tremujorin e parë të këtij viti. Sipas raportit, zhvillimet ekonomike e financiare në vend mbeten pozitive.

Aktiviteti ekonomik vijon të rritet, kapacitetet e pashfrytëzuara në tregun e punës e kapitalit janë reduktuar dhe tregjet financiare janë të qeta. Presionet e brendshme inflacioniste janë forcuar, por efekti i mbiçmimit të kursit të këmbimit ka frenuar rritjen e inflacionit drejt objektivit.

Ritmi i rritjes ekonomike në tremujorin e katërt të vitit 2018 dhe norma e inflacionit në tremujorin e parë të vitit 2019 u ngadalësuan. Kjo ecuri ishte në përputhje me pritjet tona, por treguesit rezultuan në nivele më të ulëta sesa parashikimet.

Inflacioni vjetor shënoi vlerën mesatare 1.6% për tremujorin e parë të vitit 2019, duke u reduktuar nga tremujori paraardhës.

Rënia e tij pasqyroi kryesisht shuarjen e efektit të rritjes së çmimeve të qerasë dhe ujit një vil më parë dhe reduktimin e fortë të inflacionit të produkteve bujqësore në muajin mars.
Ecuria e inflacionit është diktuar kryesisht nga faktorë të ofertës, ku veçojmë mbiçmimin e kursit të këmbimit dhe ngadalësimin e inflacionit me partnerët tanë tregtarë, i cili ka qenë më i madh në tremujorin e parë të 2019. Ai pritet që të reduktohet gradualisht në tremujorët pasues.
Ecuria e inflacionit ka gjetur mbështetje nga zgjerimi i kërkesës, i pasqyruar më tej në përmirësimin e aktivitetit ekonomik dhe shfrytëzimin më të lartë të kapaciteteve prodhuese.

Megjithatë, nivelet e ulëta të inflacionit bazë sugjerojnë se presionet inflacioniste afatmesme janë të ulëta.

Prodhimi i brendshëm bruto u rrit me 3.1 % gjatë tremujorin të katërt dhe me 4.1 % për vitin 2018. Rënia e prodhimit të energjisë elektrike dhe ritmet më të ngadalta të rritjes në sektorin e shërbimeve sollën ngadalësimin e rritjes ekonomike në tremujorin e fundit.

Në këndvështrimin e kërkesës, rritja ekonomike u mbështet nga kërkesa e brendshme private, ndërsa eksportet neto e ndikuar negativisht atë. Të dhënat paraprake sugjerojnë se rritja ekonomike në tremujorin e parë të vitit 2019 do të vijojë me ritme të përafërta me ato të tremujorit të kaluar.

Kredia për ekonominë është rritur me 6 % në tremujorin e parë, e zhveshur nga kursi i këmbimit dhe efekti i fshirjes nga bilancet të kredive të këqija.

Zhvillimet ekonomike në vend janë mbështetur, ndër të tjera, nga politika monetare lehtësuese. Niveli i normës bazë të interesit, orientimi i tregjeve mbi ecurinë e ardhshme të politikës monetare dhe injektimi i vazhdueshëm i likuiditetit në tregun ndërbankar, kanë ulur kostot e financimit të sektorit privat, duke nxitur rritjen e konsumit dhe të investimeve.

Ritmi i kreditimit të sektorit privat është përmirësuar në tremujorin e parë të 2019, i mbështetur nga rritja e kredisë në lekë dhe nga rritja e kredisë për biznese.

Politika monetare stimuluese ka krijuar kushte për kthimin e inflacionit në objektiv. Perspektiva afatmesme ekonomike është pozitive. Aktiviteti ekonomik dhe kërkesa agregate pritet të vijojnë rritjen me ritme të qendrueshme në vitet e ardhshme.

Zgjerimi i kërkesës agregate do të mundësojë rritjen e mëtejshme të punësimit, shfrytëzimin më të mirë të kapaciteteve prodhuese dhe rritjen më të shpejtë të pagave dhe të kostove të prodhimit. Këto zhvillime do të mundësojnë kthimin e inflacionit në objektiv në fillim të vitit 2021, pak më vonë se në parashikimin e kaluar.

Kjo shtyrje në kohë e arritjes së objektivit është ndikuar më së shumti nga përkeqësimi i parashikimeve për ekonominë e Eurozonës, të cilat përfshihen në parashikimin tonë.

Euro bie në nivelin më të ulët të dy viteve kundrejt dollarit

Çfarë po ndodh me monedhën europiane?

“Do ketë barazim të moshës për secilën gjini“

Daljet në pension 67 vjeç, Qeveria: Përpara vitit 2056!

REL: Zilja e alarmit është ndezur!

Ekonomia ruse drejt rënies së pashmangshme!