MENU
klinika

"Rruga e vdekjes"

Banorët e Arapaj kërkojnë ndërhyrje

25.05.2019 - 13:24

Banorët e Arapajt janë ngritur në protestë për ti dhënë zgjidhje një problematike që ka shkaktuar viktima në rrugën Ura e Shkozetit-Plepa.

Ata kërkojnë ndërtimin aty të një mbikalimi dhe paralajmërojnë se do të përshkallëzojnë protestat në rast se Ministria nuk do tu përgjigjet.

Mos reagimi i Ministrisë së Infrastrukturës, ngriti sërish në protestë banorët e Lagjes 13 në Durrës.

“Përgjigje më ka kthyer vetëm ministria e rendit. Më tha që e ka Bashkia dhe Prefektura. Shkojmë tek Bashkia thotë nuk e kemi ne, e ka rrugorja. Sa herë kalojmë them shyqyr shpëtuan dhe këtë radhë.”, shprehen disa nga banorët.

Që kur semafori që u shërbente këtyre banorëve u prish, Drejtoria rrugëve vendosi aty blloqe betoni për të ndaluar lëvizjen nga një krah të në tjetrin.

Në këto kushte banorët dhe makinat duhet të udhëtojnë rreth një kilometër më shumë për të kaluar rrugën.

Po kjo mënyrë e ekstreme ka shkaktuar edhe viktima, ndaj banorët e kanë cilësuar këtë aks si rruga e vdekjes. Ndaj ata kërkojnë ndërtimin aty të një mbikalimi.

Banorët kërcënojnë me përshkallëzim protestash nëse propozimet e tyre nuk meren parasysh nga Ministria e Transporteve dhe Infrastrukturës.