MENU
klinika

Detaje

Shpërthen mina/ Vdes efektivja e Forcave të Armatosur Shqiptare në Letoni

06.05.2019 - 11:33

Një ngjarje e rëndë është shëuar në Letoni. Një efektive e Forcave të Armatosura, shqiptare, e cila ishte pjesë e misionit të NATO-s ka ndërruar jetë si pasojë e shpërthimit të një mine.

Efektivja është identifikuar si Zarife Hasanaj, 27 vjeç.

Hasanaj ishte pjesë e misionit të NATO-s, e grupit xhenierë për demontimin e minave.

Nërkohë raportohet se dy efektivë të tjerë janë plagosur dhe një tjetër është në gjendje të rëndë.

I plagosur rëndë ka mbetur Major Klodian Tanushi, ndërsa jashtë rrezikut për jetën ndodhet Rreshter Julian KAPAJ.

Në lidhje me këtë ngjarje pati një reagim edhe nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral Bardhyl Kollçaku.

Përmes një deklarate për mediat Kollçaku dha detaje në lidhje me ngjarjen e rëndë.

Ai në emër të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura bashkë me ngushëllimet e thella për familjen e viktimës, ka siguruar të gjithë familjarët e efektivëve në Letoni se po ndiqet me vëmendje maksimale ngjarja që ka ndodhur.

“Në këtë moment të vështirë jemi pranë cdo efektivi të Forcës së Armatosur në Letoni dhe kudo ku Shqipëria është e angazhuar në përmbushjen e misionit”– ka thënë ai.

DEKLARATA E PLOTË

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Letoni, ku Forcat tona të Armatosura janë përfaqësuar me një kontigjent në kuadër të misionit të NATO-s “Enhanced Forëard Presence”.

Një grup i kontigjentit të asgjesimit të municioneve dhe lëndëve eksplozive, gjatë kryerjes së detyrës së tyre, sot në ora 9.10 (ora 10.10 me orën lokale) janë dëmtuar nga shpërthimi i disa municioneve të paplasura.

Ngjarja ka ndodhur gjatë kryerjes së detyrave luftarake, në bazën e NATO-s ku ishte zhvilluar një stërvitje ushtarake e një prej aleatëve.

Nga ky shpërthim është plagosur dhe më pas ka humbur jetën Nëntetare Zarife Muharrem HASANAJ. Të plagosur kanë mbetur komandanti i kontigjentit, Major Klodian Nikolla TANUSHI dhe Rreshter Julian Xhevat KAPAJ.

Sipas informaciomeve të deritanishme Major TANUSHI dhe Rreshter KAPAJ janë nën kujdesin maksimal të mjekëve, në bazën Camp Adazi, në Letoni.

Për ngjarjen e sotme jemi në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet më të larta letoneze dhe të aleatëve tanë në mision.

Në emër të Forcave të Armatosura i shpreh ngushëllimet më të ndjera familjes së Nëntetares HASANAJ që humbi jetën në krye të detyrës dhe urojmë shërim të shpejtë për Major Klodian TANUSHI dhe Rreshter Julian KAPAJ.

Njëherësh, në emër të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura siguroj të gjithë familjarët e efektivëve tanë në Letoni se po ndjekim me vëmendjen maksimale ngjarjen që ka ndodhur.

Në këtë moment të vështirë jemi pranë cdo efektivi të Forcës së Armatosur në Letoni dhe kudo ku Shqipëria është e angazhuar në përmbushjen e misionit.