MENU
klinika

Qëndrimi për propozimin e presidentit

Shtyhet data e zgjedhjeve? Rama-Metës: Jepi Çezarit atë që i takon Çezarit!

29.05.2019 - 16:59

“PS nuk ka datë për të negociuar sa i takon zgjedhjeve të 30 qershorit”.

Kështu është shprehur kryeministri Edi Rama ditën e sotme teksa ishte në një konferencë për shtyp së bashku me ambasadorin e BE-së, Luigi Soreca.

I pyetur nga gazetarët lidhur me qëndrimin e tij për propozimin e presidentit Meta, i cili më herët garantoi edhe gatishmërinë e tij për rishikimin e dekretit që prek datën e zhvillimit të zgjedhjeve lokale. Kjo kërkesë, vjen në funksion të zgjidhjes së ngërçit politik.

Rama theksoi se vendi nuk mund të merret peng apo t’i nënshtrohet axhendave partiake të kujtdo qoftë, duke shtuar kështu se zgjedhjet e 30 qershorit, më shumë se një betejë për të fituar PS-ja apo ndonjë parti tjetër është që të fitojë Shqipëria institucionale.

Më poshtë deklarata e plotë:

“Presidenti në këndvështrimin tim, ka shprehur një gatishmëri për t’u vënë në dispozicion të një zgjidhje me pëlqimin e partive politike. Më lejoni t’ju përsëris që PS, shumica qeverisëse, nuk ka asnjë pëlqim lidhur me asnjë diskutim për shtyrjen e datës së zgjedhjeve. Kjo nuk ka lidhje me sforcon e respektueshme të Presidentit, kjo ka lidhje me qëndrimin tonë të prerë e të qartë që më 30 qershor, nuk është cështja kush do të fitojë zgjedhjet bashkiake, por duhet të fitojë Shqipëria institucionale dhe kushtetuese, e cila nuk mund të merret peng e nuk mund t’i nënshtrohet axhendave partiake të kujtdo qoftë.

Në këtë aspekt, në raport me presidentin kam qenë e mbetem i bindjes se i duhet dhënë Cezarit ajo që i takon Cezarit. E vlerësoj, gatishmërinë e presidentit dhe jam i bindur që nuk e keqkupton reagimin në raport me këtë pyetje që ne nuk kemi datë për të negociuar dhe nuk kemi kushtetutë për të anashkaluar.” -tha Rama.