Pas zgjedhjeve të tmerrshme të vitit 1996, në Shqipëri qarkullonte një barcaletë që ia atribuonin një tabloidi anglez.
Ai kishte vendosur të tallej me rusët dhe zgjedhjet e tyre, duke vënë në titull të një karikature, “Zgjedhje ruse me motive shqiptare”.
Kryeministri i kohës, më duket Primakovi, paraqitet te Presidenti Jelcin, për t’i dhënë një pasqyrë të rezultateve të zgjedhjeve. Kundër Jelcinit kandidonte Lebedi një gjeneral në modë atëkohë.
Kam ardhur t’u jap dy lajme Zoti President – filloi raportimin kryeministri,- një është i mirë dhe një është i keq.
-Fillo nga i keqi- tha Jelcini.
-Lebedi ka fituar 53 përqind të votave,- murmuriti kryeministri.
Pasi dëgjoi i turbulluar, Jelcini pyeti: –Pa më thuaj lajmin e mirë tani…
-Ju keni marrë 96 përqind të votave.
Kjo shaka e tabloidit anglez, mu kujtua gjatë një emisioni mbrëmë, kur po diskutohej mbi projeksionet e votave për partitë në zgjedhjet e 30 qershorit.
Sondazhet i kishte bërë një institut i njohur, që sipas redaksisë së televizionit, ishte jo vetëm më seriozi në Itali por edhe nga më të njohurit në Europë, po edhe më gjërë. Nuk po e përmend emrin e personazhit italian që i kryen sondazhet, për arsyen që do ta them më poshtë.
Nuk mu deshën më shumë se 10 sekonda për të kuptuar se italiani nuk mund të kishte dorë në këto sondazhe, por vendosa ta lë arsyetimin tim për në fund. Kjo, edhe sepse autorët e sondazhit kishin përgatitur si fillim disa pyetje të karakterit të përgjithshëm. Në pjesën përrfundimtare të emisionit erdhi për analizë edhe një tabelë me rezultatet- projeksion të partive kryesore PS, PD, LSI dhe BD e cila zinte vendin e partive të tjera të vogla tradicionale në Shqipëri si ajo e PDIU, PPDNJ, PR, PA etj. Këto të fundit, nuk ishin fare në tabelën e llogaritjeve….
Sondazhet ishin realizuar në tre periudha, në mars, prill dhe majin e këtij viti. Në mars, PS-ja kishte një diferencë mbi 20 përqind ndaj PD-së dhe në maj pas dy sondazheve, kjo diferencë ishte zvogëluar deri në 5%. PD-ja ishte rritur me 15 përqind. Ndërkohë, LSI-ja kishte ngelur pothuajse në të njëjtin vend me 14%, më saktë, ishte zvogëluar vetëm 1%. Autorët e sondazhit, pasqyronin dhe BD-në që ngelej gjithnjë me 2%.
Për të mos i lodhur kokën lexuesit po pasqyrojmë rezultatet e sondazhit për muajin maj.
PS- 44,5%
PD-39,5%
LSI- 13%
BD- 2%
Të tjerat, pra partitë e vogla tradicionale që përmendëm më sipër, sa ngelen?
Një lexues i thjeshtë, që do të bënte këtë llogari, do i rezultonte që këto katër partitë e para, kanë 99% ndërsa të pavendosurit, plus partitë e vogla tradicionale, u ngelen vetëm 1%.
Natyrisht që një vëzhgues që di të mbledh vetëm me gishta, do t’ja shkrepte gazit nga ky përfundim. Një tjetër, që i ka qejf barcoletat dhe historitë humoristike, do të krahasonte sondazhin me tabloidin anglez. Për mua, kjo shaka që e quajnë “Sondazh Italian”, nuk e di pse është hartuar dhe kujt i shërben. Autorët duket i kanë bërë qejfin dhe PD-së dhe LSI-së, dhe në përfundim kishin nxjerrë fituese opozitën e bashkuar, bile dhe pa PDIU-në. Do ta kishin bërë me qejf thua për të përforcuar idenë e një fitoreje dërmuese të opozitës, por duhet të binin pastaj në shakanë ruse të Jelcinit. Tabela do të nxirrte më shumë se 100 përqind… Është me të vërtetë për tu qarë hallin, ose kanë harxhuar apo kanë pasur pak kohë të merren me hollësira të vogla. Ndoshta, nëse bën zhurmë PDIU, etj, etj, do ta bëjnë më mirë… a në formë më të detajuar.
Sot më thanë në formë paksa konspirative, se sondazhi që mban erë si ata që bënte Gani Bobi dikur, e ka origjinën jo në Itali, po këtu afër. Nuk jam i prirë t’u besoj teorive konspirative, kështu që duhet t’u besoj atyre që na e dhanë. Po a e bëj dot vërtet këtë?
Nuk do ta kisha shkruar shkrimin, nëse sot tek Gazeta Tema, nuk do më kishin cituar në analogji me( sondazhin Italian dhe tabloidin anglez), se i kisha dhënë PS-së nja dhjetë përqind më shumë se të tjerëve.
Të akuzoj se më kanë cituar gabimisht. Jo, nuk ka asnjë vlerë. Tani ka dalë dielli mirë se jemi në maj dhe asnjëri s’ka arsye të zemërohet…
Ndoshta, italiani, nëse vërtet nuk e ka bërë ai sondazhin, po ne këtu jo. Prodhojmë përditë të tilla gomarllëqe që thuajse në të gjitha rastet janë pa zarar.
Mua, gjithsesi, më mbetet një kuriozitet i vogël që e kam shprehur që në fillim të artikullit si titull të tij: Talian i dashur, nuk më dalin llogaritë!