Tre vite pas nisjes së punimeve të Gazsjellësit Trans Adriatik (TAP ) kompania njoftoi se ka përfunduar rreth 87 % të punimeve të përgjithshme të projektit.
Kompania tha se ka shtrirë në tokë rreth 99% të tubave të linjës mes Greqisë dhe Shqipërisë ndërkohë që në Itali, po vijojnë punimet në terminalin pritës të gazsjellësit. Kompania vlerëson se më shumë se 93% e sipërfaqes së tokës përgjatë gjurmës së TAP në Greqi dhe Shqipëri është kthyer në gjendjen fillestare, ndërkohë që kanë përfunduar mbi 85% të punimeve për stacionet e matjes dhe kompresorëve.
Kompania po vijon edhe shtrimin e tubave në pjesën detare mes Shqipërisë dhe Italisë në përputhje me afatet e projektit. Kompania tha se ekipet e saj kanë drejtuar mjete për më shumë se 116 milionë kilometra dhe kanë bërë rreth 41 milionë orë pune pa incidente madhore në lidhje me sigurimit teknik në punë, shkruan Voa.
Drejtori Menaxhues i TAP-it, Luca Schieppati tha se “Projekti TAP është i rëndësishëm pasi sjell përfitime të menjëhershme për të tre vendet pritëse dhe për më tepër, ai do t’i ofrojë rajonit siguri në furnizimin me energji dhe diversifikim të burimeve, që më parë nuk e kishte”.
Zoti Schieppati tha se “TAP është gjithashtu një projekt kyç që do ta bëjë më të lehtë tranzicionin energjetik të Evropë“. Projekti TAP është pjesë e Korridorit Jugor të Gazit që shtrihet nga Deti Kaspik deri në Evropë, me gjatësi rreth 3.500 kilometrash dhe vlerë rreth 40 miliardë dollarë. TAP do të ofrojë një korridor të drejtpërdrejtë dhe me leverdi ekonomike për vendet e Evropës Juglindore, dhe më tej. Ai do të transportojë gaz natyror nga basenet e Kaspikut drejt Evropës, duke përshkuar Greqinë, Shqipërinë dhe Detin Adriatik, përpara se të dalë në tokë në brigjet e Italisë së Jugut, ku do të lidhet me rrjetin italian të gazit natyror.
Gjurma e gazsjellësit TransAdriatik në Shqipëri përshkon qytetet Korçë, Berat dhe Fier dhe del më pas në det për t’u lidhur me Italinë.