MENU
klinika

Nga Jozef Radi

Të ngrihet Savra… të shkatërrohet Savra!

29.05.2019 - 10:00

Vitet ‘44-’54, do të mbesin në historinë shqiptare si vitet më të errta të terrorit komunist, (jo se vitet që pasuan ishin më pak të errta!!)…

Vllavrasjet e shumta që shkaktoi lufta “për marrjen e pushtetit”, arratisja e mjaft prej atyre që e dinin “stuhinë” që po vinte, ishin të ndërgjegjshëm se çështja shqiptare qe shitur, vrasjet e pafundme pa gjyq, arrestimet, dënimet, pushkatimet, rezistenca në male, djegiet e kullave, shpronsimet, zaptimet e dhunshme të shtëpive, rrëmbimi i pasurisë dhe arit, interrnimet masive të familjeve (kryesisht të grave, pleqve dhe fëmijve) të krejt elitës shqiptare e shëndrruan dhjetëvjeçarin e parë mbasçlirimit, në faqen më të zezë, më makabre të nji genocidi të ende panjohur midis vetë shqiptarëve…

Ajo çka shpesh harrohet o anashkalohet prej kësaj periudhë është fakti se gjithë shtresa më e lartë shqiptare, humbi vijimësinë e përtëritjes, u këput nji nga hallkat më të rëndësishme të jetës, vazhdimësia e gjeneratave dhe integriteti i familjes ishte vënë në ankand…

Hakmarrja e kuqe po godiste rëndë familjen e pambrojtur: gjë e pandodhur ndër shqiptarë… Në harkun e atij dhjetvjeçari terrori, krejt familjet e asaj që mund të quhet elita shqiptare, ose pjesa më e emancipuar e saj, prej atij kalvari të papërshkrueshëm, kish zbritur në natalitetin zero ose pothuaj zero!

Pra, misioni i parë i diktaturës që realizuar: Kishte shkëputur normalitetin e jetës!

Familjet e elitës praktikisht kishin humbur gjithçka, së pari boshtin: burrat, pjesa më e madhe e të cilëve o ishin vrarë, o ishin nëpër male apo arratisur, o ishin nëpër burgje… apo prisnin t’u vinte rradha… Kishin humbur banesat dhe krejt pasuritë! Ishin në rrugë! Mbijetesa pothuaj e pamundur por më e frikshmja ishte se koha s’jepte asnji shpresë të fashitjes së kësaj urrejtje të përbindshme, që u shfaqej egërsisht gjithkah!

Pleqtë, nënat, gratë, fëmijët dhe foshnjat vërtiteshin në karuzelin e madh të interrnimeve prej nji kampi në tjetrin, me zi se kafshët! Tepelena, Porto-Palermo, Berati, Kruja, Valiasi, Lozhani, Kuçi i Kurveleshit, Zvërneci shërbenin tashmë si kampe të shfarosjes në masë, për ata më të pafajshmit: pleqtë, foshnjat dhe fëmijët; dhe as bëhej fjalë për vazhdimësi jete, ndërsa programohej zhbirja me themel të asaj shtrese…
Kishin kaluar dhjetë vjet prej këtij pogromi sistematik e të studiuar mjeshtërisht në laboratoret e genocidit dhe terrorit të kuq komunist… kur në tavolinat e përgjakura të Klanit Byroist u shfaq projekti i parë i nji shprese të vakët: Të ngrihet Savra!

…dhe nisi rrugë, nji nga projektet më afatlargëta e më diabolike të diktaturës komuniste, që zgjati për gati dyzet vjet:
Savra, ose thënë ndryshe: Genocidi dhe urrejtja klasore në përjetësi!!
Vërtet Savra nisi si projekti më famëkeq, më shpresëvrasës dhe më rrënues… po njiherësh në provën e kohës ai rezultoi si më i dështuari dhe më demaskuesi i diktaturës!
Unë do të përpiqem ta çvesh veten prej emocioneve, për të dëshmuar të vërtetën që ka lindur bashkë me mua, mbi at projekt që ende e kam të gdhendur në lëkurë; at projekt që e kam luftuar me gjithçka kam pasur mundësi, si fëmijë, djalosh dhe burrë; at projekt që gjithë ata si unë, me të cilët ndamë vuajtjen dhe terrorin aty në Savër, po dhe në gjithë Savrat e komunizmit shqiptar, nji ditë duhet t’ia dëshmojmë historisë si krimin më të madh po edhe dështimin më spektakolar të diktaturës!

Në foto: Baraka sot… ku dikur përkthehej “Orlando i çmendun”

Pra, në fillim të viteve ‘50, diktatura ndërmori projektin djallëzor të retushimit të krimit, qoftë edhe me at pudrosje formale të imazhit të saj të përçudnuar! Urdhëri qe i prerë: Të ngrihesh Savra…!

Savra në të vërtetë ishte nji Asgjë: nji fushë e dystë pa asnji shenjë ndërtese as peme, thjesht nji hapsirë mes kallamishtesh dhe mushkonjash shfaqur nga tharja e kënetës së Myzeqesë; me nji konotacion të vetëm historik: dikur aty, pesë shekuj të shkuar qenë ndeshur dy prej principatave më në zë të Arbërit: Balshajt me Topiajt, dhe ku perandoria otomane kishte gjetur shkak për t’u shfaqur në Adriatik duke përkrahur… njerën palë!!!
Diktatura e nisi me vrull projektin e saj më ambicioz. Savra do të ishte e para! Pionerja! Mbas saj do të vinin Savrat e tjera, sigurisht me emra të tjerë, me vuajtje edhe më të mëdha, po në thelb gjithnji ideja e ndëshkimit të individit, familjes dhe shtresës “armike”! Cilido individ, familje, apo grup shoqëror që zgjonte irinitë e shtetit komunist, krahas burgjeve të shumta (rreth 39), tashti do të kishte edhe Savrën e ndëshkimt, izolimit dhe riedukimit nëpërmjet punës dhe stërmundimit shembullor… pra, të bëhej e vështirë e pothuaj e pamundur që t’i shpëtoje kësaj hallke djallëzore të shtetit!

Vërtet idenë e Savrës e hodhën komunistët shqiptarë, po themelet e saj, s’i nji mallkim ballkanas, i vunë komunistët e përzënë grekë! Ata që kishin ëndërruar nji Greqi të Kuqe, tash kontribuonin për të ngritur nji Shqipëri edhe më të Zezë se ishte! Kjo përbën atë që mund të quhet edhe “interrnacionalizmi i interrnimeve”!

Në fund të vitit ‘53 dhe fillim të vitit ‘54, projekti më “fatlum” i diktaturës ishte gati! Për herë të parë mbas dhjetë vitesh terror të përditshëm, “familja e klasave të përmbysura” do të kishte nji strehë dhe jo nji stallë, do të kishte nji shtrat dhe jo nji kapanon, do të kishte nji tenxhere dhe jo nji kazan, do të kishte nji mbulesë dhe jo nji batanije të pocaqisur, do të kishte nji ëndërr dhe jo nji klithmë vdekjeje…

Në ditën e parë të çangës në apelin e parë, të, kampit të parë të dhunës së pafundme do të përgjigjeshin familjet Markagjoni, Pervizi, Bajraktari, Dukagjini, Kokali, Dine, Vatnikaj, Koliqi, Biçaku, Mulleti, Alla, Merlika, Topalli, Radi, Alizoti, Matjani, Kupi, Dosti, Kaloshi, Tinaj, Kolgjini, Sina, Bami, Plasoti… etjerë… nji listë kilometrike, e cila plotësohej përditë me “mish” të freskët nga e përjetshmja “luftë klasash”. Jo pak për të qenë legjendë, nëpër at vend do të kalonin familjet e pesë kryeministrave shqiptarë: Koço Kotës, Fejzi Alizotit, Mehdi Frashërit, Mustafa Merlikës dhe Fiqiri Dines! S’ma merr mendja se mund të ketë ndonjë fshat të kësaj botë ku të kenë jetuar pesë familje Kryeministrash… e pra Shqipëria e ka! Savrën!

Kështu u ngrit e para Savër, vend i ndëshkimeve shembullore dhe mbas saj do të lindnin gjithkah këpurdha të së njejtës hidhtësi; së pari do popullohej Myzeqeja me: Çermën, Gradishtën, Grabianin, Plugun, Dushkun, Gjazën, Sulzotajn, Rrapzën, etjerë; e më pas në gjithë Shqipëria me: Shtyllasin, Radostinën, Belshin, Shtyllën, Adriatikun, Akerninë, Lubonjën, Bedatin… e kështu me rradhë!

Edhe në të keqen e madhe, për t’parën herë mbas aq vitesh u duk se lindi Jeta! Shumë djemve dhe vajzave të lindur në vitet ‘40, po u ikte me shpejtësi mosha për t’u martuar, për të krijuar familje e për të pasur fëmijë… mbasi deri at’herë kish qenë e pamundur… Savra, riktheu besimin te jeta dhe shpresën se mund të jetohej edhe aty; se ishte e domosdoshme të jetohej; se njerzorja vërtet qe gjunjëzuar, po ajo s’mund t’i nënshtrohej asnji diktature…

Dhe Savra e viteve ‘60, ishte nji nga mrekullitë që diktatura s’mundi ta zhbënte. Ai grumbull barakash i quajtur Savër, shpejt u shfaq si nji “qytet” i vogël, kur Lushnja ende ishte nji “fshat” i madh! Se janë njerzit që i japin shpirt nji vendi, dhe jo e kundërta! E ajo frymë e lindur aty i mbeti atij vendi po edhe gjithë brezave që erdhën më pas! Të gjithë ata që jetuan aty qoftë edhe nji ditë dëshmuan se ishin bij të asaj fryme: Të frymës së lirisë dhe harmonisë, të frymës së kulturës dhe mirkuptimit, të frymës së konvergimit dhe respektit për këdo që vlente, po edhe të mospajtimit dhe shpërfilljes ndaj gjithë atyre që e shkelnin kët kod të shpirtit të vuajtjes krenare!

Aty u shfaq nji rini ndryshe, nji rini e bukur, plot dritë, plot humor dhe plot shpresë: djem dhe vajza që me shpirt nëpër dhëmbë punonin gjithë ditën arave, po edhe mbaronin shkollën e mesme, edhe flisnin për libra, për filma, për veshje, për muzikë, për modele flokësh, për sport, për festivale që qepnin dhe qëndisnin atë që s’ua lejonte shteti, dhe shfaqeshin të lumtur a thua se ishin diku në Europë dhe jo aty midis nji kamp përqëndrimi…

S’mund t’i harroj ato mbrëmjet e gjata të verës, mbasi mbaronte apeli, dhe karvani i djemve dhe vajzave me biçikleta nisej gazmor drejt qytetit… Si fëmijë, e ndiqja të qeshurën e tyre, dhe më dukej sikur më merrnin me vete, e më bënin pjesë të haresë së tyre, sikur mbrenda nji dite edhe unë isha si ata: ashtu i lumtur e i lirë, edhe pse jeta ime kishte filluar prej atij kampi skëterrë!

Foto/ Vajza dhe gra të Savrës viti 1955

Kët shkrim, e shoqëroj edhe me disa foto të viteve ’55 -’63! Dëshmi që s’kanë nevojë për asnji koment!! Por po ndalem te njera prej tyre…

Filmat e Neorelizmit italian, dhe artistët e saj kohe, s’kanë asgjë më shumë se këta djem e vajza të Savrës së athershme, dalë midis nji are me pambuk, sigurisht mbas lodhjes së përditshme, e që në t’vërtetë s’duket! Ata janë shfaqja më me drite e asaj rinie… dhe unë me dëshirë po i përmend nji për nji ata: Lekë Bajraktarin, Andan Hoxhën, Lirie Bajraktarin, Irena Dukagjinin, Rukie Hoxhën, Kastriot Bajraktarin, Sazan Dinen, Neriman Hoxhën, Vera Demën, Lekë Dukagjinin; që janë në kët foto, por s’mund të rri pa i bashkuar edhe ata të shumtët që s’janë aty, po janë nji për nji në kujtesën time dhe gjithë si të ishte fjala për dje: Veronika, Ernest, Leka dhe Tomorr Dostin, Gjosho Vasija, Nikolin e Zheta Destanishtën, Pano Taçin, Elami, Ajete e Luftanije Agollin, Kristina, Çelestina dhe Gjon Markagjonin, Pjerin Janën, Gëzim Barutin, Fadil dhe Tefta Çapën, Dine dhe Tomorr Dinen, Tefta Bajraktarin, Reshit Mulletin, Dhurata Tabakun, Kin Bashën, Meri Topallin, Ahmet e Feride Kolgjinin, Fatbardh e Hyrie e Dudie Kupin, Ilir Spahiun, Idriz Cafën, Spiro dhe Marika Anastasin, Xhevat Lamçen, Sanije Metalian, Tefik Çelon, Ali e Rudina Demën, Ilir dhe Fatime Biçakun, Luçie Grizhën, Naim Staraveckën, Abaz Alizotin, Musa, Tomorr e Kujtim Maçin, Suzana Hoxhën, Valbona Çokun, Lekë e Mojs Mirakën, Elez Hoxhën, Gani e Kadire Nezën, Petraq, Evgjeni e Polikron Kuqeshin, Kosta dhe Eleni Guvellin, Lefteri e Theodhora Kënutin, Dhimitër Thanon, Katerina dhe Zef Mirakën, Dush Margjekën, Ligor Kalivjotin, Sose Sokolin, Sokol e Simon Mirakën, Hyrka Lahollin, djemtë e fisit Kulla, Francën, volejbollisten e famshme… e plot emra të tjerë, të cilët i dhanë rini dhe jetë atij vendi; dhe ata që e projektuan Savrën si nji gulag të rrënimit shpirtëror e fizik dështuan!

Dështuan turpshëm! As me vitet pafund të burgimeve, as me terrorin e përditshëm të lodhjes dhe fushatave, as me apelet tri herë në ditë, as me demaskimet, as me shpërngulje masive në të tjera kampe… ata s’arritën të vrasin frymën që krijoi Savra!

Vitet ‘60, mbetën vite të arta të dashurisë dhe kombinimeve! Nisën martesat e para, disa mjaft të bujshme. Shumë djem dhe vajza të kampit e kishin kapërcyer moshën e për shumë prej tyre jo vetëm ishte në rrezik fati i krijimit të familjeve, po për fat të keq mbeten edhe mjaft beqarë të përjetshëm! Ndër martesat e para ishte ajo e djalit të Muharrem Bajraktarit me vajzën e Fiqiri Dines; e djalit të Hasan Dostit me të bijën e Abaz Kupit; e gjeneral Tahsin Spahiut me mbesën e Ahmet bej Resulit; e djalit të Fiqiri Dines me të bijën e Hasan Dostit; e Ibrahim Sokolit me Shanisha Dostin; e djalit të Kol Bib Mirakës me vajzën e Hulusi Spahiut; e djalit të Pal Mirakës me vajzën e Mentor Çokut… e mjaft të tjera që i dhanë kuptim jetës dhe brenda pak kohe shtatë barakat e famshme të Savrës, duke i bërë edhe sfidë të hapur edhe luftës së klasave! Shpejt rrugët e Savrës nisën të gjëmonin nga zërat e fëmijve dhe… jeta po riniste pikërisht aty ku qe këputur! Te fëmijët e lindur në kamp!

Foto/ Genc Muharrem Bajraktari dhe Hana Fiqiri Dine

Ishte kjo atmosferë magjike ku dominonte kultura e librit, e filmit, e muzikës, e mirkuptimit, e gjuhëve të huaja, e familjaritetit, e dashurisë dhe martesave brenda kampit, që s’mund ta kapërdinte diktatura dhe as ta pranonte atë!!!

Dhe nuk vonoi: në hierarkitë e krimit shtetëror u ulërit urdhëri tjetër: Të shkatërrohej Savra!
Harruan se tashmë Savra s’ishte thjesht nji kamp njerzish fatkeqë që shteti mund t’i degdiste ku të donte e si të donte; Savra tashmë ishte frymë, ishte shpirt lirie dhe s’mund të shkulesh as me vendime qeverie, as me rekrutime dhe as me burgje!

Në fund të viteve ‘60, erdhi raprezalja e rradhës e shtetit…

Armiqsia e shtetit rinisi pikërisht me krijesën e vet: Savrën.
Brenda nji nate pjesa më e madhe e familjeve Dine, Kupi, Matjani, Miraka, Maçi, Spahiu, Markagjoni, Dosti, Kolgjini, Bajraktari, Alizoti do të shkuleshin dhunshëm prej aty dhe do të degdiseshin në kampet e tjera, të Myzeqesë dhe Shqipërisë. Po kalohej prej nji interrnimi te nji tjetër interrnim! Qëllim i vetëm: të rrënohej shpresa, të ndalohej e qeshura, të vritej fryma e lindur në Savër: fryma e mospajtimit me dhunën dhe ëndrra me dritë e lirisë…

Po harruan diçka të vogël: duke dashur ta rrënonin Savrën, ata po krijonin gjithkund Savra të reja!

(pjesë nga libri “Savra – Mon Amour!” 12 Janar 2013)

“Luna Park”, me Adriana Matoshi dhe Nik Xhelilaj

Drama shqiptare, në Festivalin e Filmit në Selanik

“Ç’janë këto veshje, këto bizhuteri, këto këngë?!”

Refleksionet e shkrimtarit të njohur, për festivalin e 11-të

Mundësi për të aplikuar në Guinness

Për Darkën e Lamës përgatitet flija 2-metërshe