Java e fundit e Serie A do të jetë një finale e vërtetë ku Atalanta, Interi dhe Milani luftojnë për dy vende që të dërgojnë në Champions League.
Interi luan në shtëpi ndaj Empolit që nga ana tjetër lufton për mbijetesë. Zikaltërve u nevojitet me çdo kusht fitorja, përndryshe Interi mund të ngelet jashtë Champions League.
Ultrasit e njohur si Curva Nord, kanë reaguar, pasi Interit po i rrezikohet edhe objektivi minimal.
Ata premtojnë mbështetje të madhe në ndeshjen e fundit, por nuk kanë harruar edhe të kërcënojnë, nëse nuk vjen fitorja.
“Asnjë justifikim, asnjë falje, të dielën tregoni nëse keni këllqe. Ne do ju mbështesim gjatë gjithë ndeshjes si të ishim sërish në Madrid (aty ku u fitua finalja e Ligës së Kampionëve), por në fund do të ketë festë ose luftë. Mbështesim zgjedhjen e bërë në dhomat e zhveshjes për përjashtimin e Icardit, por të gjithë duhet të marrin përgjegjësitë e tyre.
Do japim gjithçka për të mbështetur Interin, por nëse dështoni të realizoni objektivin, beteja nuk do jetë më vetëm për heqjen e Icardit. Do kërkojmë përjashtimin e të gjithë protagonistëve negativë të sezonit, që besojmë akoma se do të mbyllet me realizimin e objektivit të rëndësishëm”, thuhet në letrën e tyre.