Skema e re e trajtimit financiar për minatorët, naftëtarët dhe metalurgët
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, prezantoi sot në seancën plenare të Kuvendit të Shqipërisë projektligjin “Për trajtimin financiar suplementar të punonjësve që kanë punuar në miniera nëntokë, të punonjësve të industrisë së naftës e të gazit dhe të punonjësve që kanë punuar në metalurgji”.
Në bazë të projektligjit, 23.400 punonjës të profesioneve të vështira të minatorit, naftëtarit dhe metalurgut, të cilët janë në pension ose do të dalin në pension në vitet në vijim, do të përfitojnë trajtim suplementar shtesë.
Gjithashtu, përfitim tjetër i këtyre kategorive është edhe ulja e moshës për daljen në pension, në 55 vjet për minatorët dhe 60 vjet për naftëtarët dhe metalurgët.
Ministrja informoi gjatë fjalës së saj se nga ky projektligj do të përfitojnë 13.300 minatorë, 7.600 naftëtarë dhe 2.500 metalurgë, me një vlerë totale prej 14 milion dollarë në vit.
Duke marë parasysh harkun kohor të veprimit prej 10 vjetësh, bëhet fjalë për një vlerë prej 140 milion dollarë, që buxheti i shtetit do t’i akordojë Institutit të Sigurimeve Shoqërore, si agjencia që mbulon çështjet e pensioneve.
Ministrja Denaj theksoi faktin se projektligji është diskutuar me grupet e interesit, sindikatat përkatëse të minatorëve, industrisë dhe naftës, dhe individë ish minatorë, tani në pension.
Projektligji është paraqitur për miratim edhe Këshillit Kombëtar të Punës në nëntor 2018, si detyrim ligjor i Kodit të Punës dhe në mbledhjen e fundit të këtij Këshilli, sindikatat e minatorëve, të industrisë dhe të naftës kërkuan me insistim kalimin e projektligjit me procedurë të shpejtuar