MENU
klinika

Të dhënat për 3-mujorin e parë

Rriten të ardhurat në tregun e sigurimeve

04.05.2019 - 14:47

Tregu i sigurimeve po rritet me ritme të përmirësuar në këtë fillim viti.

Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, për tremujorin e parë të këtij viti primet e shkruara bruto u rritën me afro 12% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Rritja më e lartë u regjistrua në tregun e sigurimit të jetës, me afro 20%, ndërsa kompanitë e jo-jetës i kanë rritur të ardhurat nga primet me 10%.

Të dy tregjet ngelen të varura kryesisht nga produkte të veçanta të sigurimit të detyrueshëm.

Në tregun e sigurimit të jetës, mbi 60% e primeve vijnë nga sigurimi i jetës së debitorëve. Këto sigurime janë kusht i bankave në kontratat e kredisë bankare afatgjatë. Edhe në tregun e jo-jetës mbi 60% e primeve sigurohen nga produktet e sigurimit të detyrueshëm motorrik.

Gjatë tremujorit të parë, vërehet një rritje në peshën e disa prej klasave të sigurimit vullnetar,s i për shembull sigurimi i avionëve. Por, përvoja ka treguar se këto lloj sigurimesh janë sporadike dhe nuk japin ndikim afatgjatë në treg.

Për sa i takon dëmeve, rritja është në nivele të ngjashme me atë të primeve, në kufijtë e 12%. Kontributi në rritje ka ardhur i gjithi nga segment i jo-jetës, ku dëmet e paguara janë rritur me 15%.

Në tregun e sigurimit të jetës, dëmet kanë pësuar rënie me 10%.