Presidenti Donald Trump kërcënoi me vendosjen e embargos në Kubë, të martën pas pretendimeve që qeveria komuniste po ndihmon regjimin socialist të liderit Nikolas Maduro, për të mbajtur pushtetin në Venezuelë. Presidenti tha se nëse Kuba nuk do të tërheqë trupat nga Venezuela, ai do të vendosë nivelin më të lartë të sanksioneve në ishull.
Paralajmërimin, Trump e bëri përmes një postimi në Twitter ku kërkoi tërheqjen e trupave nga Venezuela.
Kuba, megjithatë sfidoi administratën e Trump duke hedhur poshtë pretendimin se ky shtet po ndihmon Maduron në Venezuelë. Ministri i Jashtëm, Bruno Rodrigues e cilësoi Këshilltarin e Sigurisë të SHBA-së, John Bolton një “gënjeshtar patologjik”, javën e kaluar pas pretendimeve se 20 mijë trupa kubaneze në Venezuelë po ruajnë sigurinë për Maduron.
Ndërkohë, presidenti i Venezuelës, Nicolás Maduro, pretendoi se e kishte mposhtur atë që ai e quajti një përpjekje ushtarake nga kreu i opozitës, Juan Guaidó.
Maduro tha se Guaido kishte dështuar ta kthente ushtrinë kundër tij. Guaidó këmbëngul që Maduro ka humbur kontrollin e forcave të armatosura dhe se një tranzicion paqësor është në dorë.
Në fjalimin e tij televiziv presidenti akuzoi protestuesit për “krime të rënda”, të cilat ai tha se nuk do të mbeteshin të pandëshkuar.
Maduro tha përsëri se Shtetet e Bashkuara po organizonin komplot kundër tij.
Guaidó është njohur si udhëheqës i përkohshëm i Venezuelës nga më shumë se 50 vende, përfshirë SHBA, Mbretërinë e Bashkuar dhe Amerikën Latine. Por Maduro, i mbështetur nga Rusia, Kina dhe ushtria e vendit, ka refuzuar të heqë dorë.
Një video tre minutëshe nga Guaidó, publikuar në orët e hershme të së martës, tregoi se po qëndronte pranë një numri të burrave në uniformë ushtarake. Ai njoftoi se kishte mbështetjen e “ushtarëve të guximshëm” në kryeqytetin Karakas.
Ai u kërkoi venezuelanëve të bashkohen me ta në rrugë. Mbështetësit në të dy anët u mblodhën në vende të ndryshme të Caracas gjatë gjithë ditës, dhe pati përleshje mes mbështetësve të Guaido dhe ushtarakëve të armatosura.
Guaidó, kryetari i Asamblesë Kombëtare të kontrolluar nga opozita, i ka bërë thirrje ushtrisë së Venezuelës që ta mbështesë atë që kur ai u shpall president i përkohshëm në janar.
E marta shënoi episodën më të dhunshëm të krizës politike të Venezuelës këtë vit. Zyrtarët e shëndetësisë të Venezuelës thanë se 69 persona u plagosën.