Protestuesit e opozitës kanë nisur marshimin në drejtim të Drejtorisë së Policisë së Shtetit.
Nënkryetari i PD-së, Edi Paloka i kërkoi militantëve që të ndjekin liderin e opozitës, Lulzim Basha. “Të gjithë drejt Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, pastaj do marshojmë tek Parlamenti i krimit, do marshojmë drejt ministrisë së Brendshme dhe më pas në Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Ndiqni kryetarin e opozitës”, tha Paloka.
Pak minuta më përpara, Basha u kërkoi protestuesve që të marshonin drejt 5 institucioneve, ndërsa hodhi akuza të forta ndaj ministrit të Brendshëm, Lleshaj.
“Sipërmarrës, të papunë, intelektualë, pensionistë, të gjithë bashkë në një betejë, krah për krah për të çliruar Shqipërinë nga qeveria e krimit. Jemi para selisë së kryeministrit ilegjitim që i ka orët e numëruara dhe do të marshojmë së bashku ne 5 pikat që simbolizojnë institucionet që u ka vjedhur shqiptarëve.
Së pari drejt institucionit të kryeministrit, që nuk nxjerr më ligje, më pas drejt Drejtorisë e Përgjithshme e Policisë, me mesazhin se ne duam një polici të ligjit, jo një polici të krimit. Pas kësaj drejt Parlamentit, me mesazhin tonë të prerë se nuk e njohim Kuvendin e Krimit“-tha Basha.