Në vitin 1992 Kryetari i Kuvendit i kërkoi deputetëve të mbanin një minutë heshtje në kujtim të viktimave të shumta të komunizmit. Asnjë deputet socialist nuk u ngrit në këmbë. AS EDHE NJË!
Sot, Shqipëria dhe shqiptarët vazhdojnë të refuzojnë të përballen me të shkuarën e tyre komuniste dhe klasa politike e këtij vendi, edhe 28 vjet më pas, refuzon të angazhohet për dënimin e arkitektëve dhe ekzekutorëve të krimeve mizore të periudhës komuniste.
Për vite me radhë të këtij tranzicioni të stërgjatur, të gjitha qeveritë, e të gjitha legjislaturat e Kuvendit të Shqipërisë kanë zgjedhur, jo pa qëllim, që të heshtin, duke varrosur kështu në errësirë jo vetëm ngjarjet e viktimat e diktaturës mizore komuniste, por duke marrë në mbrojtje e duke rehabilituar përgjegjësit kryesorë të atij sistemi të pashpirt e thellësisht anti-demokratik e anti-shqiptar.
Një miku im i afërt që jeton jashtë vendit, më këshilloi para pak kohësh që të mos merresha më me komunizmin, sepse është një periudhë historike që nuk e kupton më njeri, dhe që nuk i intereson më askujt politikisht. Është një këshillë, të cilën bindjet e mia politike, thellësisht anti-komuniste, ma bëjnë të pamundur t’a pranoj. Sepse unë besoj fort se pothuajse çdo dështim i shqiptarëve gjatë këtij tranzicioni për të ndërtuar shtetin e së drejtës, lidhet ngushtë me mos-ndëshkimin e krimeve dhe kriminelëve të komunizmit.
Sot, ata, përmes djemve e vajzave, nipërve e mbesave të tyre, vazhdojnë të kontrollojnë të pashqetësuar hallkat kryesore të pushtetit legjislativ, ekzekutiv e gjyqësor, si dhe aktivitete kyçe të ekonomisë shqiptare, duke dëshmuar qartë se periudha komuniste nuk ka rënë. Përkundrazi, komunistët thjesht ndërruan qimen e garantuan vazhdimësinë e zakonit.
Misioni dhe qëllimi i punës së Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit është grumbullimi, studimi, analizimi, evidentimi i fakteve dhe informimi i publikut në lidhje me periudhën komuniste në Shqipëri.
ISKK duhet të analizojë e dokumentojë krimet e kryera nga organet e diktaturës komuniste, si dhe pasojat gjatë dhe pas periudhës së komunizmit; ISKK duhet të vlerësojë veprimtarinë kriminale të Partisë Komuniste të Shqipërisë, e më pas të Partisë së Punës të Shqipërisë dhe të organizatave të tjera, të krijuara në mbështetje të ideologjisë së saj; Në Kodin Penal, krijimi i kushteve lehtësuese për kryerjen e një krimi, si dhe fshehja e autorëve apo bashkëpunëtorëve në kryerjen e një krimi, për t’iu shmangur dënimit, dënohet me burg.
Duhet t’a kemi të qartë se qeveritarët e shumica e deputetëve të periudhës pas-komuniste në Shqipëri, kanë qenë aktivisht të angazhuar për të fshehur krimet e komunizmit e për të mbrojtur jetët e asetet e komunistëve. Kanë kryer vepër penale!
Ne ende nuk kemi bërë ndarjen me të shkuarën tonë të dhimbshme komuniste, sepse komunistët, familjarët e ish anëtarëve të Byrosë Politike e të Partisë së Punës, ish-sigurimsat e bashkëpunëtorët e tyre – i kemi ende mes nesh, shëndoshë e mirë, të pangacmuar e të qetë në vazhdimin e misionit të tyre.
Pavarësisht thirrjeve të shumta nga partnerët tanë ndërkombëtarë në vite ndaj çdo qeverie shqiptare pas vitit 1991, për distancimin e qartë nga krimet e regjimit totalitar komunist, klasa politike shqiptare ka refuzuar në mënyrë djallëzore të përballet me të shkuarën e të dënojë përgjegjësit.
Kongresi e Senati Amerikan, Bashkimi Evropian, Këshilli i Evropës, Parlamenti Evropian, Bundestagu e parlamente të vendeve të tjera partnere, na kanë kërkuar, e vazhdojnë të na kujtojnë domosdoshmërinë e dënimit të krimeve të regjimit komunist e përgjegjësve të tyre.
Biles, Deklarata e Prages “Mbi ndërgjegjen europiane dhe komunizimin” (2008) përcakton angazhimin për të dënuar krimet e komunizmit, sipas praktikës së Gjyqit të Nyrenbergut, si krime kundër njerëzimit; ASNJE LEVIZJE DOMETHENESE NGA SHQIPERIA! PERSE?
A jemi vërtet ne një shoqëri kaq e verbër saqë të mos e shohim e të pranojmë se sa i lidhur është dështimi ynë në shtetin e së drejtës me atë që po ndodh sot në Shqipëri?
Regjimi komunist i Enver Hoxhës dhe i klikës së tij të keqe u ndërtua jo mbi respekimin e të drejtave themeltare të njeriut, por mbi dhunimin tyre me ligj, mbi vrasje e ekzekutime, individuale e kolektive, mbi shfarosjen e klasës intelektuale e elitare të vendit, internimin masiv të qytetarëve, kampet e përqendrimit, torturat mizore, puna skllavëruese, terrori fizik dhe psikologjik, grabitja e pronës private, ndalimi kategorik i ndërgjegjes e shprehjes së lirë të mendimit politik e besimit fetar, si dhe persekutimi ndaj kujtdo që kërkonte pluralizëm politik.
Ja pra sot, 28 vjet pas atij regjimi totalitar, qytetarët shqiptarë gëzojnë shumë pak të drejta. E drejta e pronës – totalisht e mohuar dhe e përdhunuar!
E drejta e shprehjes – Pjesërisht e lirë, e karakterizuar nga auto-çensura! Media totalisht e kapur! Klasa intelektuale e vendit e shtresa e mesme vazhdojnë të persekutohen e po detyrohen të shporren nga ky vend! Qytetarët nuk internohen më në kampe përqendrimi, por jeta në këtë vend po u bëhet e pajetueshme!
Nuk ka më torturë fizike, por ka torturë psikologjike, intimidim politik e kapje peng të aseteve ekonomike të vendit nga krimi i organizuar me lidhje të forta politike! Dhe më e rëndësishmja për këto ditët e sotme, kushdo që kërkon pluralizëm politik të vërtetë, persekutohet politikisht, intimidohet, kërcënohet, sulmohet e detyrohet të largohet nga angazhimi fisnik qytetar politik.
Ndoshta të vetmet të drejta të pacënuara janë e drejta për të marrë frymë e për të besuar në Zot! Ka një zgjidhje kjo punë! Dhe zgjidhja është tek ndarja një herë e mirë me të shkuarën e me përgjegjësit e saj, dënimi i tyre me ligj, e rikthimi tek të drejtat themeltare, si ajo për të trashëguar pronën private dhe ajo për të zgjedhur lirisht. Sot shqiptarët votojnë, por nuk zgjedhin!
Edhe gjatë komunizmit votohej, por nuk zgjidhej! Sot ende luftojmë për zgjedhje të lira e të barabarta, sepse Shqipëria nuk ka pluralizëm të vërtetë politik. Shqipëria nuk ka demokraci të brendshme të partive të saj politike, e për rrjedhojë nuk prodhon dot një listë deputetësh me integritet e që përfaqësojnë realisht vullnetin e popullit.
Sot vota ende shitet e blihet! Sot njerëzit ende votojnë nën thundrën e intimidimit politik e pa asnjë besim se vota e tyre do të numërohet! Ka një zgjidhje Z. Kryeministër. Ka një zgjidhje kolegë.
Ndryshimi i sistemit zgjedhor politik! Kjo është ‘thembra e Akilit’. Këtu rrotullohen të gjitha krizat politike të këtij vendi. Shqiptarët kanë nevojë e kërkojnë ndryshimin e sistemit, hapjen e garës së lirë e të barabartë, garimin në zgjedhje të partive politike e kandidatëve të pavarur, njëlloj siç bëhet në demokraci të shëndosha evropiane.
Ndaj duke filluar që nesër në komisionin e posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore, të fillojmë menjëherë përgatitjen e arkitekturës ligjore për ndryshimet e nevojshme kushtetuese e atyre në kodin zgjedhor që cojnë në miratimin një herë e mirë të një sistemi të drejtë zgjedhor e që garanton kushte të barabarta garimi si brenda partive politike, ashtu edhe në zgjedhjet e përgjithshme e ato lokale të Shqipërisë.
Vetëm kështu mund të ndahemi nga e shkuara komuniste!