Ajo është e mbijetuar e dhunës seksuale ushtruar gjatë luftës në Kosovë.
Vasfije Krasniqi është përzgjedhur për të marrë çmimin Kim Bok-dong për Paqe për vitin 2019.
Çmimi ndahet nga Këshilli Korean për Drejtësi dhe Përkujtim të Çështjeve të Skllavërisë Seksuale Ushtarake nga Japonia, dhe nderon individët apo organizatat që punojnë për të zgjidhur çështjen e dhunës seksuale gjatë luftës dhe për të siguruar të drejtat e grave në konfliktet e armatosura anembanë botës.
Në njoftimin e Këshillit Korean për Drejtësi e Përkujtim të Çështjeve të Skllavërisë Seksuale Ushtarake shkruhej:
“Vasfije Krasniqi Goodman është e angazhuar në ndërgjegjësimin e njerëzve lidhur me përdhunimet gjatë luftës ndërsa është edhe personi i parë që ka ndarë publikisht historinë dhe traumën e saj të dhunës seksuale, që kishte përjetuar gjatë luftës në Kosovë”.
Kujtojmë që Krasniqi u përdhunuar nga forcat serbe kur ishte vetëm 16 vjeçe.
Pasi ka shpëtuar nga forcat serbe, Krasniqi ka vazhduar angazhimin për vënien para drejtësisë të kryesve të kësaj vepre, ndërsa ka marrë pjesë në ngjarje të ndryshme duke përfshirë fjalimet publike, si në fushatën “Bëhu zëri im” përmes së cilës synohet ngritja e vetëdijesimit për këtë çështje.
Përveç që ka përfaqësuar zërin e të mbijetuarve të dhunës seksuale, nga koha e luftës në Kosovë nëpër shumë konferenca e simpoziume ndërkombëtare, ajo ka dhënë dëshmitë e saj edhe para Këshillit për të Drejtat e Njeriut të Kombeve të Bashkuara dhe së fundmi para Kongresit Amerikan.