MENU

Shanset që Shqipëria të digjet përsëri...

30 Qershori, qar apo zarar?

19.06.2019 - 19:48

*Nga Çapajev Gjokutaj 

Shanset që Shqipëria të digjet përsëri janë thuajse zero.

Shanset që shqiptarët të ndahen në dy grupe dhe të përgjaken me njeri tjetrin për hesap të maxhorancës apo të opozitës janë po ashtu zero.

Mundësia e përsëritjes së 1997-ës s’është veçse sendërgji politikanësh dhe gazetarësh, një metaforë apokaliptike që si të gjitha narrativat me fundbotë e sosmë synon të krijojë frikë e ankth dhe të bëjë zap kë të mundë e sa të mundë.

Shqiptarët kësaj here nuk kanë humbur paret e nxjerra nga shitja e shtëpisë, bagëtisë a katandisë dhe ashtu, të kërcënuar në ekzistencë, t’u lenë fre të lirë sjelljeve iracionale.

Shqiptarët kësaj here nuk kanë iluzionet që kishin për politikën më 1997-ën. Kanë kaluar më shumë se 20 vjet dhe të dy krahët e politikës kanë patur rast të vijnë në pushtet e të tregojnë sa u digjet barku për popullin dhe hallet e tij. U ka dalur kallaji dhe vështirë se gjendet kallajxhi t’i kallaisë.

Kush më shumë e kush më pak pak, shqiptarët sot kanë më tepër për të humbur se sa kishin në 97-ën dhe rrjedhimisht tregohen e do të tregohen më të matur për të ruajtur mallin e gjenë që nuk e kanë vjedhur, as e kanë fituar lehtë, por e kanë venë me djersën e ballit, në rropatje të përditshme, me këmbëngulje e vetmohim milingone.

Militantët e çartur të të dyja palëve janë fare pak dhe mund t’i venë flaken vendit po aq sa molotovët që hidhen te dera e kryeministrisë mund t’i venë flakën Tiranës.

Pavarësisht të gjitha këtyre, përplasjet e dy diteve të fundit për KZAZ-të, përplasjes me policësh dhe grupesh militante të opozitës, të shtyjnë të mendosh seriozisht se zgjedhjet duhen shtyrë. Arsyeja duket bazike: më shumë se dobi do sillnin dëme.

Në ditët në vijim nuk pritet qetësim i situatës, por acarim. Duket se militantët e bazës, aq sa janë dhe ashtu si janë, nuk po reagojnë aq për ide e për parti, sa për interesa personale që lidhen me pushtetin lokal.

Dekreti çdekret i presidentit duket se ka krijuar një bazë ligjore, qoftë edhe iluzore, për të motivuar veprime të çartura militantësh.

Kryetarët e bashkive që kontrollon opozita e kanë të sigurt si buka që hanë se, në se zgjedhjet mbahen në 30 qershor, duhet të dorëzojnë çelësat pa garë. Bashkë me ta klanet dhe të punësuarit prej tyre do të humbisnin pushtet, vende pune, rroga, hatërllëqe etj.

Marrë parasysh të gjitha këto janë të gjitha gjasat që tensionet e nisura në bazë dje dhe sot të vazhdojnë në shkallë ngjitëse dhe të kulmojnë më 30 qershor.

Edhe në rastin e skenarit që zgjedhjet do të mbaheshin në shumicën e vendit, me pak qendra votimi të nxjerra jashtë funksionit, kjo frymë tensioni e agresiviteti do t’i zhbënte në ind, si mola që bren e bën vrima vrima kostumin e ri.

Zgjedhjet lokale bëhen që qytetarët, në liri dhe qetësi, të zgjedhin administratorët që do të menaxhojnë qendrat e tyre të banimit. Dhe kjo është thuajse e pamundur të bëhet mbarë e mirë në politizimin ekstrem që është krijuar.

Pas këtyre zgjedhjeve të diskutueshme shoqëria jonë do të dilte edhe më e polarizuar se ç’është sot. Erdhëm në mileniumin e ri të ndarë në partizanë e ballistë, s’kemi pse t’i shtojme dru këtij zjarri që do të drobiste edhe popuj të mëdhenj e të pasur.

Zgjedhjet lokale nuk janë referendum për të mbështetur pozitën a opozitën. Po të jetë për referendume politike, na bie të zgjidhim paraprakisht kush i përfaqson gati 50% të votuesve, vendas dhe emigrantë, që abstenojnë në zgjedhjet e çdo radhe.

Pastaj të diskutojmë gjatë dhe me themel si duhet të ndryshojë sistemi që edhe kjo shumicë abstenuesish dhe të munguarshish, maxhorancë mbi maxhorancat, të ketë të drejtën e përfaqësimit.

Qofsha gabim, por parë me këtë optikë, më ngjan se zgjedhjet e 30 qershorit më shumë se qar do të na sillnin zarar.