MENU
klinika

Fushata në Fier

30 Qershori/ Rama: Ju japim karnavaleve një mësim!

27.06.2019 - 20:59

Kryeministri Edi Rama ka shprehur jo pak konsiderata për Fierin dhe mbështetësit e PS në këtë bashki në mitingun përmbyllës të fushatës.

Ai tha se gjithmonë ka qenë një mbresë e bukur në Fier, por se i sotmi është takimi më masiv që ka parë.

Rama theksoi se 30 qershori “është momenti kur populli ka mundësinë që t’i japë një mësim shembullor, karnavaleve që u mblodhën sot për të t’u konsultuar në presidencën e kthyer në seli të revolucionit imagjinar”.

“Shumë faleminderit të gjithëve. Shumë faleminderit edhe përsëri edhe këtu në Fier, njësoj si në disa bashki të tjera më duhet të them se kam qenë i pranishëm në takimet elektorale të PS qysh prej zgjedhjeve vendore të vitit 2007. Gjithmonë ka qenë kënaqësi, gjithmonë ka qenë një vizitë në një burim të madh energjish.

Gjithmonë ka qenë një mbresë e bukur kur kam ardhur këtu në Fier por po i thosha edhe Gramozit, por tani që e shoh të gjithë praninë tuaj asnjëherë nuk e kam parë një takim kaq masiv sa këtë herë. Besoj se ka arsye të forta për këtë prani.

Nga njëra anë arsyeja është puna e palodhur, veprat e pamohueshme dhe realiteti i transformuar në këtë bashki të re që nga zemra e këtij qyteti falë drejtimit të Armandos.

Dhe besoj që arsyeja tjetër e fortë është se tani më populli dhe ju që jeni këtu dhe padiskutim të parët e kanë kuptuar se në 30 qershor nuk është thjesht një çështje zgjedhjesh vendore por është momenti kur populli ka mundësinë që t’i japë një mësim shembullor, karnavaleve që u mblodhën sot për të t’u konsultuar në presidencën e kthyer në seli të revolucionit imagjinar”, deklaroi kryeministri.

Rama deklaroi se ky qytet është kryeqyteti i socialistëve.

Ai u shpreh se në mandatin e radhës, socialistët e kanë sfidë me veten që ta bëjnë edhe Fierin me det dhe ku të ketë pushues.

Rama theksoi se Fieri ka det, por nuk ka plazh, por së shpejti qyteti do të ketë plazhin e vet.

“Kudo që kemi drejtuar bashkitë, veprat e katër viteve flasin më shumë se të gjitha fjalët që i themi. Para 4 vitesh ky nuk ishte shesh për qytetarët. Por kryq makinash dhe rrethuar nga ngrehina të shëmtuara.

Unë iu thashë para 4 vitesh jepjani votën Armandos dhe do të shikoni ndryshimin. Ja ku jemi sot, për këdo që ka mendje dhe do të arsyetojë. Në 4 vjet kemi bërë sa për të gjitha vitet e tjera së marra së bashku.

Transformimet në qytet janë të jashtëzakonshme. Në 4 vitet e ardhshme do të flasim më shumë me vepra. Ky është vetëm fillimi dhe s’keni parë asgjë akoma dhe me lumin. Sfida e 4 viteve që vijnë është që Fierit t’i japim bregdetin, që rivalitetin me Vlorën të jetë më i fortë.

Do të shtojmë Fierin në hartën turistike të Shqipërisë. Një cun më doli rrugës dhe i thashë o cun ti nuk e di se po shkoj në kryeqytetin e socialistëve”, tha Rama.