MENU
klinika

Apeli dhe përgjigjia drejt Berishës

“Aksident në Librazhd, vdes badigardi i Ramës”/ Lleshaj: Blof i turpshëm!

15.06.2019 - 14:06

Ministri i Brendshëm, ka reaguar ashpër pas denoncimit të bërë nga ish-kryeministri Berisha, që mëngjesin e sotëm shkruajti në faqen e tij në FB se një badigard i Ramës ka ndërruar jetë në incidentin e Librazhdit, dhe policia po e fsheh ngjarjen.

Pas sqarimit zyrtar të dhënë nga MB që e cilësoi tërësisht të pavërtetë një gjë të tillë, ministri Lleshaj bën thirrje për mediat dhe qytetarët të bëjnë kujdes të shtuar ndaj dezinformimit të qëllimshëm si ky bllof i turpshëm.

  • Postimi i ministrit Lleshaj:

Mediat dhe qytetarët janë të ftuar për kujdes të shtuar ndaj dezinformimit të qëllimshëm si ky bllofi i turpshëm, që u pa qartësisht sot dhe që pason të njëjtën tentativë kriminale për të mashtruar shqiptarët pas protestës së datës 2 qershor, kur u tentua t’i faturohej Policisë një vepër kriminale e kryer nga vetë protestuesit.

  • Reagimi i Ministrisë së Brendshme

Ministria e Brendshme nuk angazhohet në përgënjeshtrimin publik të insinuatave apo lajmeve të rreme që publikohen nëpër rrjetet sociale.

Por kur media të caktuara, që pretendojnë seriozitet dhe përgjegjshmëri publike, bëhen zëdhënës të tyre, Ministria e Brendshme e quan me dobi publike reagimin.

MB hedh poshtë me neveri insinuatën e turpshme të publikuar sot në disa media për kinse humbje jete apo plagosje të truprojeve të Kryeministrit gjatë provokimeve nga disa protestues të Partisë Demokratike në Librazhd, më datë 13.06.2019.

Nuk ka pasur kurrfarë problemi për jetën dhe shëndetin e truprojeve të Kryeministrit gjatë veprimtarisë së zhvilluar në Librazhd, apo në qarqet e tjera të vendit gjatë këtyre ditëve.

Ministria e Brendshme fton median e përgjegjshme dhe opinionin publik që të jenë shumë të kujdesshëm me insinuata të kësaj natyre haluçinante, të cilat kanë shpesh herë të njëjtin burim dezinformimi dhe që synojnë vetëm një gjë: krijimin e një klime pasigurie dhe paqartësie në vend.

MB i kujton opinionit publik se nga i njëjti burim, që ka publikuar së pari insinuatën e sotme, vetëm përpara pak ditësh, u përhapën trillime monstruoze që synonin të kompromentonin Policinë e Shtetit dhe t’i ngarkonin asaj paturpësisht përgjegjësinë për goditjen e dy protestuesve gjatë protestës së datës 2 qershor 2019, të cilat, siç u provua botërisht, kishin ardhur nga protestues të tjerë.

MB fton mediat që kanë publikuar këtë insinuatë kaq flagrante dhe në shpërfillje të plotë të parimeve profesionale të gazetarisë që të distancohen nga praktika të tilla, që të përgënjeshtrojnë njoftimin e dhënë dhe të marrin masa që në të ardhmen të mos ndodhin më raste të ngjashme dezinformimi.